Spartak Ngjela/ Gjendja politike, duhet gjetur me çdo kusht një rrugëdalje

410
Sigal

Debati mes  ministrit Tahiri dhe Presidentit Nishani, sipas avokat Spartak Ngjelës, është një nga pikat kritike ku ka gjeneruar situata në drejtësi . Lidhur me  këtë, në FB, ai ka dhënë alarmin për gjetjen  e një rrugëdalje sa më shpejt, sa nuk është vonë….Gjithmonë ka pasur e do të këtë gjithashtu përherë një lidhje midis politikës, kulturës dhe institucioneve demokratike. Kjo është koha moderne, por që është shumë larg nga ne, sepse, që të kesh institucione moderne dhe politikë të kohës, domethënë moderne, duhet të kesh njerëz që i njohin këto. Ja, shiheni se çfarë po na ndodh sot: një ministër i Brendshëm që nuk e di që procedurat e shkarkimit të gjyqtarëve fillojnë vetëm nga ministri i Drejtësisë dhe jo nga Presidenti i Republikës. Dhe pastaj, ky Nishani tallet me “fëmijët” e Ramës dhe Rama rri e bën sehir, se në fakt s’ka se çfarë të bëjë: të prishë ndërtimet pa leje, apo të strukturojë reformat për institucionet moderne të shtetit shqiptar?

Shqiptarët duan punë, dhe kjo vjen nëpërmjet prodhimit. Prodhim s’ka, se nuk ka investime, kurse investitorët nuk investojnë se nuk janë të sigurt me një pushtet gjyqësor të korruptuar dhe me një administratë vjedhacake. Perëndimi, gjithashtu, nuk jep para, sepse nuk është aq i “lehtë” nga mendja që ato t’ia përlajë korrupsioni shqiptar. Dhe gjendja ka ngrirë. Koha nuk pret, kurse institucionet janë të mbushura me njerëz që duan para për të të shërbyer. Një gjendje që duhet ndërruar. Por kush ta ndërrojë, “fëmijët e Ramës” që nuk njohin ligjet; që nuk e dinë esencialisht se ç’ janë institucionet dhe çfarë është një shtet demokratik modern? Kush ta ndërrojë, ministrat e Metës që gjithë ditën nuk punojnë për shtetin, por për të bërë paratë që i duhen për të larë haraçin që iu kërkon Meta? Shteti shqiptar është ende një turp historik. Dhe priteni, se gjendja do të precipitojë edhe më rëndë. E patë sesi na nëpërkëmbi Serbia në arenën europiane? E dini pse?… sepse nuk kemi pushtetarë që të dinë se çfarë është politika moderne; dhe, edhe pse kanë Amerikën me vete, nuk dinë të fitojnë asgjë. Në fakt këta janë pushtetarë që nuk dihet se për kë punojnë, se për shqiptarët dihet që s’kanë punuar asnjëherë. Dhe, a e patë sesi u fsheh presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit? Sepse nuk ka një shtet shqiptar që t’i kërcasë dhëmbët e t’i gjejë vendin një birboje që ndihmon Platininë kundër vendit të tij… Pritni se do të shihni edhe të tjera dobësi të një shteti që s’ka respekt në arenën ndërkombëtare, sepse s’ka politikanë dhe burra shteti që ta drejtojnë… Do shihni edhe më…prisni…! Ja, kjo është gjendja jonë me pak fjalë…dhe duhet gjetur me çdo kusht një rrugëdalje”, përfundon avokat Ngjela në statusin e tij.