SPAK nis hetimin për shembjen e teatrit, por pa “autor”

331
Sigal

SPAK njoftoi se ka regjistruar kallëzimin e depozituar nga artistët ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe zëvendësit të tij, Arbjan Mazniku, por ende nuk ka një emër të regjistruar në procedim.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka nisur hetimin lidhur me kallëzimin e kryer nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, AMT ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nënkryetarit Arbjan Mazniku.

Drejtuesi i SPAK, prokurori Arben Kraja, i tha BIRN se ka një procedim penal të regjistruar mbi bazën e kallëzimit të artistëve, por se nuk ka emër të regjistruar.

“Çështja është në hetim”, pohoi Kraja.

Më 6 maj, AMT kallëzoi pranë SPAK, Veliajn dhe Maznikun për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv të zyrtarëve që kryejnë funksione publike”.

“Ne gjatë kësaj kohe kemi bërë gjithë analizën ligjore financiare qoftë të ligjit special, qoftë të VKM-së 352 që ka dalë në zbatim të ligjit special. Neni 3 i ligjit special e qartëson specifikisht që ndërtimi i teatrit të ri kombëtar do të bëhet me partneritet publik-privat. Pra në këtë pikë nuk ka më mundësi që ky ndërtim të bëhet vetëm nga pala e shtetit”, tha atëherë për mediet aktivistja Adriana Kalaja, e cila shtoi se ishin edhe kundër ligjit special dhe VKM-së të nxjerrë për mundësimin e zbatimit të tij.

Një dokument që mban firmën e kryetarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, i rrjedhur në media, sugjeron se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka marrë një vendim të enjten më 14 maj, për shembjen e Teatrit Kombëtar. Sipas dokumentit, vendimi është marrë në bazë të një “akt-ekspertize të Institutit të Ndërtimit, e cila mban datën 13 Maj 2020. Vendimi i këshillit bashkiak i marrë të enjten duhet fillimisht të publikohet dhe hyn në fuqi dhjetë ditë pas publikimit.

Beteja për Teatrin Kombëtar filloi në Shkurt 2018, kur qeveria e kryeministrit Edi Rama nisi planet për një kontratë koncesionare kontroverse, e cila dështoi dy vjet më vonë pas rezistencës së aktivistëve, të cilët e denoncuan atë njëkohësisht si një shembull tipik i klientelizmit politik dhe si një sulm ndaj trashëgimisë kulturore dhe memories historike të vendit.

Kundër shembjes së Teatrit Kombëtar reagoi së fundmi edhe Bashkimi Europian, përmes Komisioneres Mariya Gabriel, e cila mbulon mes të tjerash çështjet e kulturës. BE këshillon kundër shembjes, duke e quajtur atë “hap të pakthyeshëm”.