Spahiu: LSI ka një plan për rritjen e pensioneve

220
Sigal

Kreu i LSI-së në Tiranë, njëherësh edhe kandidat për deputet, Përparim Spahiu ka komentuar anketën e publikuar nga revista ”Monitor”, ku 9/10 të moshuar shprehen se pensioni i tyre është i pamjaftueshëm. Teksa thotë se LSI-ja ka një plan të qartë të rritjes së pensioneve vit pas viti, thekson edhe se ekonomia informale ka shkaktuar një gropë të frikshme në buxhet. ”Nuk ka para, ndaj nuk rriten pensionet. Në vend të kësaj, rritet vetëm propaganda dhe Shqipëria imagjinare. Formalizimi i ekonomisë dhe ndërprerja e hemoragjisë financiare kundrejt PPP-ve korruptive do të sjellë më shumë para në arkën e shtetit e rrjedhimisht, më shumë para për rroga e pensione”,-shkruan Spahiu në facebook.

Postimi i plotë

9 në 10 persona të moshuar gjykojnë se pensioni i tyre është i pamjaftueshëm. Megjithëse ka propaganduar solidaritet social dhe vëmendjen ndaj pensionistëve, qeveria në ikje nuk bëri asgjë në 4 vite për këtë shtresë të popullsisë.

Vetëm indeksimi i pensionit është i pamjaftueshëm dhe niveli i të ardhurave për të moshuarit është më i ulëti në Europë. Shumë prej tyre nuk paguajnë dot ilaçet për sëmundjet e moshës, pasi ato pak para që u jep shteti duhen për të mbajtur shpirtin gjallë.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka një program të qartë për rritjen e pensioneve vit pas viti. Aktualisht, ekonomia informale ka shkaktuar një gropë të frikshme në buxhet. Nuk ka para, ndaj nuk rriten pensionet. Dhe në vend të kësaj, rritet vetëm propaganda dhe Shqipëria imagjinare.

Formalizimi i ekonomisë dhe ndërprerja e hemoragjisë financiare kundrejt PPP-ve korruptive do të sjellë më shumë para në arkën e shtetit e rrjedhimisht, më shumë para për rroga e pensione.

25 prilli është dita e ndryshimit!