SOT STUDENTËT VËRSHOJNË NË RRUGËT E TIRANËS

435
Sot beteja për universitetet, studentët përballë qeverisë
Qindra pedagogë, prindër, nxënës e qytetarë do të grumbullohen përpara kryeministrisë për tarifat e shkollave të larta publike
Qindra studentë, të shoqëruar edhe nga pedagogë, prindër, nxënës e qytetarë, do të grumbullohen paraditen e sotme përpara selisë së qeverisë për të kundërshtuar tarifat e studimit në shkollat e larta publike. Në vijim të një përpjekje disamujore për të kundërshtuar pagesat në universitete, studentët kanë paralajmëruar se do të zhvillojnë një nga protestat e tyre më të forta. Në listën e kërkesave të studentëve është përgjysmimi i tarifave studimore në të gjitha degët dhe nivelet e studimeve, si dhe heqja e barrës financiare për certifikimin e gjuhës së huaj. Në të njëjtën kohë, studentët kërkojnë të hiqet pagesa dyfish e krediteve për provimet e mbartura, ndërsa në solidaritet me studentët e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, ata kërkojnë kthimin e godinës historike të këtij fakulteti. Për protestën e sotme përpara selisë së qeverisë, Lëvizja për Universitetin ka njoftuar se është përgatitur prej ditësh. Përveç njoftimeve publike, janë zhvilluar edhe dhjetëra takime më të vogla, ndërsa janë përgatitur edhe pankartat që do të përdoren, ku kërkohet në mënyrë të hapur që studentët të mos zhvaten në universitetet publike. Aktualisht, kosto e studimit në universitetet publike është rritur dhe është shumë pranë asaj në shkollat e larta private, ndonëse godinat dhe asete të tjera janë pronë shtetërore. Viki Çipi, një nga aktivistet e Lëvizjes për Universitetin, u shpreh se arsimi sot është kthyer në një ëndërr për familjet dhe rininë shqiptare. “Për shkak të punës që kam bërë për më shumë se dy vite, më është dashur që të takoj me qindra punëtorë fasonerie, minatorë, punëtorë ndërtimi, naftëtarë dhe së fundmi punëtorë në sektorin e bujqësisë. Nga punëtori në punëtor kam parë sy të zgurdulluar e të skuqur, duar të çara ose me kallo si dhe fytyra të rrudhura e të plakura para kohe. Edhe pse ishin të vetëdijshëm për kushtet ku punonin dhe shfrytëzimin në punë, punëtorët shkonin çdo ditë në orarin në vendin e punës sepse kishin një ëndërr. Në një nga pyetjet më interesante drejtuar tyre ishte: Çfarë ëndërroni për të ardhmen? Pothuajse 98% prej tyre shpreheshin: Të çoj vajzën dhe djalin në shkollë! Arsimi sot është kthyer në ëndërr për prindërit tanë e ëndërr për rininë”, tha Çipi. Sipas saj, sot jo të gjithë ata që e meritojnë arrijnë të arsimohen, sepse kriteri i ditëve të sotme për t’u arsimuar është tarifa dhe jo merita. “Ndaj, njësoj si prindërit e mi e tanët, njësoj si punëtorët, njësoj si moshatarët e mi, edhe unë e kam një ëndërr: ULNI TARIFAT!”, nënvizoi Çipi, duke u bërë thirrje të rinjve të mblidhen sot në orën 11:00 në marshimin nga Korpusi i Universitetit drejt Kryeministrisë.

Gjithashtu, sipas burimeve, policia ka marrë masat e saj për marshimin e sotëm të studentëve. Një numër jo i vogël i uniformave blu pritet të angazhohen prej nisjes së marshimit në Korpusin e Universitetit, për të vijuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe për të arritur kulmin përballë selisë së qeverisë. Në protestat e shkuara të studentëve nuk kanë munguar edhe përplasjet e tyre me policinë, ndërsa një nga aktivistet e Lëvizjes për Universitetin sulmoi edhe ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, në një dalje publike, duke hedhur salcë në drejtim të saj. Më parë, viktimë e sulmeve të Lëvizjes për Universitetin ka rënë edhe vetë kryeministri Rama, i cili u sulmua me vezë në kulmin e debatit për reformën në arsimin e lartë. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Gardës, shefi i qeverisë u largua, ndërsa policia reagoi me ashpërsi ndaj studentëve protestues. 
Kërkesat:
1 – Të përgjysmohen tarifat studimore në të gjitha degët dhe nivelet e studimeve; 
2 – Të hiqet barra financiare për certifikimin e gjuhës së huaj;
3 – Të hiqet pagesa dyfish e krediteve për provimet e mbartura;
4 – Në solidaritet dhe bashkë me studentët e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, qeveria t’i kthejë godinën e saj historike FGJM-së.
Thirrja e Lëvizjes për Universitetin

Të dashur studentë, pedagogë, prindër, nxënës, qytetarë…
Kauza e uljes së tarifave është një kauzë e drejtë, shumë e drejtë. Këtu argumenti është i fituar, një herë e përgjithmonë. Kërkesa për përgjysmimin e tarifave është një kërkesë minimale, duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet social-ekonomike, si në botë edhe në Shqipëri. Por qysh se ne si shoqëri nuk jemi mësuar të kërkojmë të drejtën, por vetëm të japim nga të drejtat tona, e veç të na marrin, me dhunën e ligjit e VKM-ve, atëherë padrejtësia kthehet në normalitet. Normalitet i frikshëm. Kjo duhet përmbysur një orë e më parë. Këto tarifa nuk janë fare normale!

Në afatgjatë duhet kërkuar shumë më tepër, duhet kërkuar tarifë zero, duhet kërkuar mbështetje për studentët: libra, strehim, ushqim, transport, kulturë, dhe praktika profesionale. Këto nuk janë ëndrra në diell, apo utopike, këto tashmë ofrohen në shumë vende të zhvilluara me karakter social e demokratik. E gjithashtu me patjetër duhet kërkuar që shteti të rrisë buxhetin për arsimin e lartë, e këto fonde të jenë për universitet publike, e jo të zhvaten nga diplomoret private për të përfituar një grusht biznesmenësh. Jo, dija nuk është mall. Dija është e mirë publike, e mirë për të gjithë shoqërinë. Muajt e fundit me dhjetëra studentë janë angazhuar fort në ngritjen e kësaj fushate, kanë grumbulluar me mijëra firma për peticionin, kanë folur me qindra studentë të tjerë, kanë ngjitur postera e shpërndarë fletushka.

Të dashur studentë, pedagogë, prindër, lexues të këtyre radhëve, ju bëjmë thirrje të bashkoheni nesër (sot) në protestë. Nesër (sot) është radha juaj!

Mijëra firmat në peticion nuk do i ulin tarifat, duhet ushtruar një presion shumë i madh studentor e qytetar. Nesër (sot) duhet të bëhemi bashkë, me mijëra vetë përballë kryeministrisë. Nesër (sot), asgjë nuk ka vlerë, as seminari, as pesimizmi, as indiferenca, nesër ka vlerë pjesëmarrja në protestë.

Protestat sjellin ndryshime. Pa diskutim! Me protestat në vitin 2015 ndaluam rritjen e mëtejshme të tarifave. Me protestat në vitin 2016 ndikuam në përmirësimin e skemës së pranimeve në universitete në vitin pasardhës. Ne si qytetarë nuk kemi shumë mjete në dispozicion. Ne kemi, ose votën, ose presionin përmes protestave. Në 25 vite, me votë nuk kemi ndryshuar gjë. Shqipëria e papunë po zbrazet nga të rinjtë, po varfërohet, po bëhet më e pashpresë, po kriminalizohet, po privatizohet, … edhe universiteti po privatizohet, po bëhet i pa jetueshëm për shumicën.

Ne si studentë, përmes organizimit e protestave, mund dhe duhet të ndryshojmë universitetin, të paktën universitetin. Të paktën universitetin. Po nuk e bëmë ne, kush do ta bëjë?!

Të dashur studentë, pedagogë, prindër, nxënës, lexues të këtyre radhëve, ju bëjmë thirrje të bashkoheni në protestë! Ne e bëmë tonën, nesër (sot) – për një orë – është radha juaj!

24 janar, te Korpusi në orën 11.00
Sigal