Sot opozita e bashkuar do të kërkojë dorëheqjen e ministrit Xhafaj, si kusht për negociatat

498
Sigal

Sot PD e LSI do të bllokojnë seancën plenare të Parlamentit

Vazhdon protesta e Opozitës, e cila kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm

Edhe pse opozita, pas protestës së 26 majit 2018 deklaroi se nuk do të ketë më protesta deri në 28 qershor 2018, dita kur Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian do të vendosë, nëse do të hapë ose jo negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, format e saj të protestës vazhdojnë të jenë bllokimi i seancave plenare të parlamentit, si edhe të komisioneve parlamentare.

Sot protesta në parlament

Opozita nuk tërhiqet nga strategjia e saj për të mos lejuar punime normale në Kuvendin e Shqipërisë, deri në 28 qershor, kur do jepet vendimin për çeljen, ose jo, të negociatave. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike u mblodh dje për të vendosur taktikat e politikës që do ndjekë në seancën parlamentare e ditës së sotme, ndërsa burimet për gazetën “Telegraf” pohuan se u morr vendimi, që deputetët do të bllokojnë foltoren, ndërsa do komunikojnë me qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale. Edhe në komisionet parlamentare deputetët demokratë do të mbajnë të njëjtin qëndrim duke e fokusuar diskutimin vetëm tek akuzat ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryeministrit Edi Rama, si dy persona që sipas demokratëve mbrojnë krimin dhe korrupsionin. Kjo sjelle politike e Partisë Demokratike, do të vazhdojë deri në 28 qershor, e në qoftë se vendi ynë merr përgjigje negative nga Bashkimi Evropian për negociatat, nuk përjashtohet që opozita të radikalizojë qëndrimet deri në bojkot të institucioneve. Në mbledhjen e një jave më parë të grupit parlamentar deputetët demokratë në bllok propozuan bojkotimin e Kuvendit pas refuzimit të Fatmir Xhafajt për tu dorëhequr, po kryetari Lulzim Basha, doli kundër me argumentin se ky vendim mund të dëmtonte procesin integrues.