Sot, është dita që duhet t’i rikthehemi partive!

440
Sigal

Nga Admir Malaj

Shumë persona me të cilët kam folur këto ditë krize janë shqetësuar dhe disi të dekurajuar.
Pak, sepse kjo krizë është diçka e paparë dhe pak sepse nga brenda i bren ai dyshimi:
A kemi sot njerëzit më të mirë në krye të punëve të shtetit, në krye të shëndetësisë, të rendit, të financave, të ushtrisë, e pastaj, arsimit, drejtësisë, administrimit të komuniteteve, etj. Këto dyshime pastaj shoqërohen me shumë “po sikur” të tjera.
Në mendimin tim, çështja është shumë e thjeshtë.
Për aq kohë sa qytetarët u larguan nga partitë politike dhe i lanë ato në dorë të të mbeturve, do ishin pikërisht këto të mbetur që sot do ishin vendim-marrës se “kush” dhe “si” do drejtonte shtetin tonë, edhe në këto kohë krize. Na pëlqen, nuk na pëlqen, kjo është objektive.
Ne kemi vendosur që të kemi një sistem demokratik – liberal në Shqipëri dhe duhet të kuptojmë se aktorët më të rëndësishëm të ndryshimit janë partitë politike, ato janë kutitë magjike ku fle lepuri dhe del kur i do qejfi.
Aq më shumë injorojmë rëndësinë e këtyre kutive magjike, aq më shumë ata kthehen në kuti të zeza, ku hyn krim dhe del uzurpim. Pastaj vjen një ditë dhe dikush i merr fare këto kutia dhe i çon në offshore, larg vendit tënd, në një lojë kutish kineze, ku hap e hap, e të del se demokracia jote liberale i ka butonat e komandës në zyrën e një oligarku, në një bankë në Vjenë, Roterdam, o ku di unë.
Por çfarë ndodh nëse ne rimarrim kutitë tona? Nëse ne fusim votat tona, idetë, talentin tonë, patjetër që nga ata kutia do dali vullnet pozitiv, për të mbrojtur Shqipërinë dhe për ta zhvilluar atë. Nëse ne kontrollojmë kutitë, sigurohemi që mos kenë funde të dyfishta, t’i izolojmë nga llumi dhe krimi, patjetër që kutitë magjike do funksionojnë për mrekulli.
Prandaj, eja t’i marrim kutitë tona magjike. Partitë janë tonat dhe jo të anëtarëve. Sepse sot anëtar je ti, e nesër nuk je më, e jam unë.
Eja marrim partitë tona, secili sipas bindjeve të tij, sepse unë nuk njoh një vend të begatë që ka ndërruar partitë këto 150 vjet, përveç atyre të pushtuar dhe të humbur.
Nëse keni dyshime dhe po prisni partinë, apo lëvizjen e re, kutinë me xixa mrekulli-bërëse të stisur nga miljarderi apo i çmenduri i radhës, atëherë paçi fat, se në atë kuti me xixa, do fusni ëndrra dhe do merrni atë që nuk thuhet.
#EjaMarrimPartitëTona dhe t’i mbajmë të forta për ditë të vështira!