Sondazhet kundër Trump, Presidenti: Janë lajme të rreme

507
Sigal
Donald Trump ka treguar se nuk i toleron kritikat apo opinionet kundër tij, e nuk kishte si të mos reagonte ndaj sondazhit të fundit të CNN dhe ORC që pas Gjykatës së Apelit.
Mbështetja për Trump-in, sipas sondazhit, ka rënë në nivelin e 44 përqindëshit, pas masave kontroverse kundër myslimanëve apo përplasjeve me Meksikën për çështjen e murit. Kjo e bën atë presidentin më pak të pëlqyer në historinë amerikane, në fillimet e mandatit. Por për kreun e Shtëpisë së Bardhë këto s’janë gjë tjetër veçse lajme të rreme.
“Çdo sondazh negativ është i rremë, ashtu si sondazhet e CNN, ABC, NBC gjatë fushatës elektorale. Më falni, por njerëzit duan siguri në kufij dhe verifikime ekstreme”, pohoi Trump në rrjetin social “Twitter”.
Por nuk e ka lënë me kaq. Ai i është rikthyer çështjes në një postim të dytë, duke akuzuar ato që i quajti mediat e lajmeve të rreme për përhapjen e gënjeshtrave. Por pavarësisht refuzimit të Trump-it për të pranuar shifrat, sondazhet që e vënë në vështirësi udhëheqësin e ri amerikan sa vijnë e shtohen.
“Gallup”, që ka matur nivelin e popullariteti për çdo president që prej Dwight D Eisenhoëer, sugjeron në një sondazh të ri se mbështetjet për miliarderin janë edhe më të ulëta, 42 përqind. Sipas “Gallup”, bëhet fjalë për një rekord të ulët për presidencën dy javore të një presidenti.
Barack Obama gëzonte 76 përqind të mbështetjeve në 14 ditët e para të mandatit të tij në 2008, ndërsa George Bush dhe Bill Clinton respektivisht 58 dhe 59 përqind.
Sondazhi i CNN zbuloi gjithashtu se numri i atyre që kundërshtojë fuqishëm veprimet e presidentit të ri që prej marrjes së frerëve të vendit është po aq i madh sa numri total i atyre që i aprovojnë.
NOA