Sokol Ramadani, njëherësh i punësuar, edhe në ERE edhe në kompani private

859
Sigal

Skandali/Qeveria në ikje miraton punësimin e kryetarit të ERE-s në një kompani energjetike

Qeveria në ikje, ndoshta në mbledhjen e fundit të mandatit të saj, merr një vendim tepër skandaloz.  Emëron punësimin e kryetarit të ERE-s, Sokol Ramadanin, – pas lirimit nga detyra- në një kompani energjetike, sikurse është “Energji Ashta”, sh.a., Tiranë, Shqipëri.

Konflikt interesi, apo tregues i allishverisheve

Kryetari i ERE-s, Sokol Ramadani akoma nuk është liruar, nuk është larguar nga detyra. Kuvendi nuk ka marrë vendim as ta lirojë dhe as ta largojë. Kësisoj, si ka mundësi që qeveria, të miratojë punësimin e një anëtari të Bordit të ERE-s,. kur ai ende nuk është larguar, liruar nga detyra? Madje, në një kompani energjetike, të cilën Ramadani, si kryetari i ERE-s e ka favorizuar.  Përse kjo ngutje nga qeveria në ikje, e cila, deri në momentin e fundit përkujdesohet për të zgjedhurit e saj? Kjo ngutje e qeverisë, për të miratuar punësimin e kryetarit të ERE-s në një kompani energjetike, ka të bëjë me frikën, se mos qeveria e re nuk e miraton më vonë këtë punësim?!

Kryetari i ERE-s duhet të hetohet!

Sokol Ramadani, si kryetari i ERE-s duhet të hetohet për shumë zullume që ka bërë në kryerjen e detyrës së tij, veprimet e të cilit kanë dëmtuar me miliona euro buxhetin e shtetit.  Së pari, kryetari i ERE-s duhet të hetohet nga prokuroria edhe për privilegjet që i ka bërë kompanisë  “Energji Ashta”.

Kryetari i ERE-s mban përgjegjësinë e plotë për gjendjen katastrofike që është katandisur CEZ-i, pasi asnjëherë ai, si kryetar i ERE-s, por as ERE nuk e kanë kryer detyrën ligjore ndaj CEZ-it, për ta kontrolluar dhe për të mos e lejuar që CEZ-i të vidhte dhe të abuzonte me shqiptarët dhe shtetin. ERE, jo vetëm nuk ushtroi kontroll ndaj CEZ-it, por asnjëherë nuk përfilli asnjë ankesë të shqiptarëve ndaj vjedhjeve dhe abuzimeve të CEZ-it.  ERE nuk ushtroi asnjëherë kontroll ndaj CEZ-it për të parë sesi po zbatoheshin kushtet e koncesionit që kishte CEZ-i me shtetin. Që ERE mori vendimin për largimin e CEZ-it, pikërisht për vjedhjet dhe abuzimet, nuk u bë asnjë analizë e shkaqeve dhe të evidentoheshin edhe fajtorët e kësaj gjendjeje. Nëse CEZ fiton në gjyqin ndërkombëtar me shtetin shqiptar, ERE, si përgjegjësi kryesor, duhet të hetohet dhe të përgjigjet penalisht për çdo pasojë, dhe jo të paguajnë taksapaguesit shqiptarë. ERE, duhet të hetohet sepse në politikën që ushtroi ndaj ERE-s, më shumë u bë avokat i interesave private të CEZ-it në dëm të shqiptarëve.

Sokol Ramadani firmos uljen e shitjes të energjisë elektrike për CEZ, pa firmën e ministrit

Para se ERE të hiqte licencën CEZ-it çek, kryetari i ERE-s i bën një favorizim ekonomik CEZ-it. Në vitin 2012, ERE vendos që për periudhën 2012-2014 KESH-i t’i shesë CEZ-it çek 2,2 lekë/kë nga 2,8 lekë/ kë,  dhe nga kjo ulje, KESH-i kishte një dëm vjetor, prej 50 milionë euro. Ndërkohë, kur ERE i lejon CEZ-it që të rritë çmimin e shitjes ndaj qytetarëve.  Por ajo që përbën skandal, është se ky vendim i ERE-s për të ulur çmimin e shitjes të energjisë elektrike të KESH-it për CEZ-in çek, nuk u firmos nga ministri i atëhershëm iMETE-s, por vetëm me firmën e vulën e kryetarit të ERE-s, Sokol Ramadanit.

Punësimi i Ramadanit në kompani energjetike private, ende pa u larguar nga ERE, duhet hetuar

A duhet që qeveria të miratojë punësimin e një anëtari të bordit të ERE-s,  kur ky ende është në marrëdhënie pune me ERE-n në një kompani energjetike, ende pa u liruar nga detyra? Kjo është një pikëpyetje, që gjithkush e ka të drejtën të pyesë qeverinë, teksa merr të tilla vendime, pikërisht në sekondën e mandatit të saj. Ligji Për sektorin e energjisë elektrike”, Neni 6, pika 4 e përcakton kështu: “Për një periudhë njëvjeçare pas largimit nga detyra, anëtari i Bordit nuk ka të drejtë të punësohet ose të kompensohet në ndonjë mënyrë nga ndonjë shoqëri që ka qenë ose ka aplikuar për licencë, gjatë kohës që ai ka qenë anëtar i Bordit, pa miratimin paraprak të Këshillit të Ministrave.”.

Flet për “Telegraf”, specialisti i ekonomisë, Pajtim Bello

“Kurrsesi një anëtar i Bordit të ERE-s, ca më pak kryetari i saj, nuk mund të emërohen nga qeveria të punësohen në një kompani energjetike, para një periudhe kohore, pasi janë larguar nga detyra. Kjo më përpara ka qenë deri në 2 vjet. Ky emërim i qeverisë përbën konflikt interesi të pastër, pasi Ramadani ende nuk është larguar nga kryetari i ERE-s.

Ramadani punësohet në kompaninë energjetike të cilën e ka favorizuar si kryetar i ERE-s

Leja për punësim,  si rregull duhej marrë pasi drejtori Ramadani të kishte dorëzuar detyrën. Kurse vendimi duhej nxjerrë nëse për arsye profesionale dhe të nivelit të lartë shkencor do punësohej në institucione shtetërore si KESH, apo CEZ ,OST, etj.. Fakti që ai jep dorëheqjen para kohe dhe se këtë dorëheqje duhej t’ja paraqiste Kuvendit hedh hije të rënda dyshimi. Ai duhej të largohet, kur i mbaron mandate dhe është e papranueshme qëndrimi që mbajti qeveria, e cila ishte një gafë e rëndë, duke i përcaktuar edhe vendin e punës, si specialist pranë “Energji Ashta”.  Ligji e ndalon që ai të punësohet 1 vit pas largimit, tek ata institucione, të cilat i ka licencuar. HEC-i,  ku u punësua, ka problem me DISBALANCËN. Ky investim ka probleme, sipas specialistëve edhe me teknologjinë me miniturbina. Gjithashtu, Ashtës i është dhënë licencë prodhimi dhe tregtimi, si furnizues i kualifikuar. Përjashtimi i “Energji Ashta”, nga dita avancet  dhe parashikimi i prodhimit është një goditje për bizneset e tjera dhe privilegj që e gëzon “Energji Ashta”, me firmën e Ramadanit të ERE-s.  Te gjitha këto janë objekt investigimi nga “Telegraf” dhe shumë shpejt do bëhen publike monopolet e energjisë të disa kompanive dhe mbi të gjitha kompanisë që ka punësuar drejtorin e ERE-s. Sokol Ramadani duhet të shkojë para drejtësisë dhe të japë llogari për të gjitha aktet që ka nxjerrë në lidhje me CEZ-in dhe ato që nuk kanë pasur firmën e ministrit të  linjës. Edhe për problemet dhe favorizimet e “KURUM”-it  ka përgjegjësi ish-kreu i ERE-s, Sokol Ramadani.

 Vendimi skandaloz  i qeverisë për miratimin e punësimit të kryetarit të ERE në kompani private energjetike

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.9072,  datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit,  Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

 1.     Dhënien e miratimit paraprak për lejimin e z. Sokol Ramadani, kryetar i Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), që, pas lirimit nga detyra, të punësohet në funksione tekniko-menaxhuese pranë kompanisë “Energji Ashta”, sh.a., Tiranë, Shqipëri.

 2.     Ngarkohet Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.