SKENARËT QË RIHAPËN DOSJEN E KOKAINËS

524
Petraq Barjami

Ministri i Brendshëm Xhafa në rolin e hetuesit, urdhëron prokurorinë 
Politikanët ndoshta e dinë se kush janë garantuesit qeveritarë të 613 kg kokainë, por tremben ta thonë
Ndoshta politikanët tanë e dinë mirë, se cilët janë garantuesit (qeveritarë) të 613 kg kokainës që erdhi nga Kolumbia në Shqipëri, me destinacion tranzit, të shpërndahej, paskëtaj në Evropë. Dhe, këto informacione që kanë, tashmë i përdorin si instrument presioni dhe shantazhi kundër kundërshtarit politik, për të përfituar. 

Ministri i Brendshëm me instinktin profesional të hetuesit
Megjithëse Kushtetuta, ligji dhe morali nuk e lejojnë një ministër, që të urdhërojë, të diktojë prokurorinë, gjykatën, kë person duhet të hetojë, apo të gjykojë, ministri i Brendshëm Xhafa, publikoi një letër që i drejton kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj,, që të thërrasë (për dëshmitarë) kundërshtarët e tij politikë, ish-kryeministrin Berisha dhe kryetarin e Opozitës, për të dëshmuar, se cilët janë ata që porositën dhe garantuan 613 kg kokainë në Shqipëri. Deklaratat politike, të cilave u referohet ministri, si provë që prokuroria të hetojë, Berisha dhe Basha i kanë bërë publike, kështu, që prokuroria, duhet të veprojë pa ndërhyrjen dhe diktimin e ministrit të Brendshëm. 

Ministri Xhafa, kërkon “Ndihmë” nga Opozita ndaj Ramës?….
Është detyrë institucionale dhe kushtetuese që ministri Brendshëm, si përgjegjës politik, të gjejë autorët e trafikimit të 613 kg kokainë dhe garantuesit qeveritarë, sepse është e kuptueshme, që ka bashkëpunim të krimit me segmente të caktuara të shtetit për të sjellë dhe trafikuar këtë sasi kaq të madhe kokainë. Nëse ministri i Brendshëm nuk i gjen trafikantët, është paaftësi profesionale. Nëse ministri i Brendshëm ka informacione, di shumë gjëra për çështjen e kokainës, por trembet të flasë, dhe dikton me letër publike, drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që të hetojë persona me emër dhe mbiemër, atëherë edhe kjo është mungesë personaliteti. Ndoshta ministri Brendshëm ka informacione se “fajtorët” e krimit janë në krahun e tij politik dhe nuk mundet dot të flasë, por duke i përcaktuar Prokurorisë se kë të marrë për dëshmitarë, mbase kështu shpreson që kundërshtarët e tij politikë (Berisha dhe Basha) do ta “ndihmojnë” të kallëzojnë ata në prokurori kundërshtarët politikë të ministrit të Brendshëm brenda partisë (Berisha dhe Basha kanë përmendur emrin e vëllait të kryeministrit si garantuesin politik të 613 kg kokaine). 

Qëllimi: T’i mbyllë gojën opozitës?…
Ndoshta qëllimi i letrës publike të Ministrit të Brendshëm Xhafa drejtuar kryeprokurorit të Krimeve të Rënda mund të jetë tërthorazi edhe një përpjekje (politike) që mazhoranca t’i mbyllë gojën e akuzave opozitës, të harrohet dhe të anashkalohet çështja e 613 kg kokaine, apo edhe të shpërqendrojë hetimet e Prokurorisë ndaj autorëve të vërtetë dhe të adresojë hetimet në drejtimet pa krye, duke diktuar se kë dëshmitar të thërrasë për hetim, dhe çfarë duhet të hetojë. 

Letra e ministrit të Brendshëm Xhafa për kryeprokurorin e Krimeve të Rënda:
“Nga këto deklarime publike bie veçanërisht në sy fakti se nga zoti Sali Berisha dhe zoti Lulzim Basha pretendohet qartë, që ata kanë dijeni për fakte konkrete lidhur me klanet e trafikut të drogës në Shqipëri. Po sipas këtyre deklarimeve publike, rezulton se të dy këta persona kanë veçanërisht dijeni mbi poseduesit dhe përfituesit e sasisë prej 613 kilogram kokainë të sekuestruar së fundmi në Portin e Durrësit”. Ministri i Brendshëm nënvizon se është detyrim kushtetues i zotit Berisha dhe zotit Basha t’i paraqesin Prokurorisë së Krimeve të Rënda faktet dhe provat që disponojnë.
Reagimi i Bashës: Prokuroria të gjurmojë Olsi Ramën dhe Agron Xhafën
Kreu i opozitës Lulzim Basha e quajti një akt të dënueshëm letrën dhe tha se, i vetmi informacion që mund t’i jepte prokurorisë ishte, të gjurmonte Olsi Ramën dhe Agron Xhafajn. “Kjo letër është një akt i dënueshëm i Fatmir Xhafaj. Është vendosja edhe de juro e prokurorisë në urdhrat e qeverisë, ministrisë së brendshme. Informacioni më i sigurt që mund të jap unë është, që prokuroria të gjurmojë Olsi Ramën dhe Agron Xhafën. Uroj që kjo përgjigje të mos mjegullojë shqetësimet për ekonominë të opozitës. Uroj që përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje dhe ndaj këtij akti të dënueshëm të mos e mjegullojë apo të mos shkojë në kurriz të mesazhit për ekonominë të dhënë nga FMN-ja dhe shqetësimeve që përsërita sot në emër të opozitës”.
Sigal