Skema e mashtrimit të legalizimeve

374

“Rilindja” premtoi në 2013, se do të bënte legalizimin e ndërtimeveinformale falas, brenda 4 vjetëve të qeverisjes. Pas 7 vjetëve, qeveria u voli paratë, por nuk u jep tapitë qytetarëve

Sigal

 “Karota” e  shtetit për vjeljen e parave nga ata që duan të legalizojnë shtëpitë dhe “kamxhiku” i sorollatjeve

Mashtrimi i “Rilindjes”  për legalizimet e banesave  falas, që nga 2013-ta

Petraq BARJAMI

Rilindja Socialiste, në fushatën e saj elektorale të 2013-s premtoi me të madhe, se në qeverisjen e saj, brenda katërveçarit të parë, do të mbarojë deri në 98 % dhënia e tapive të banesave të ndërtimeve informale, madje ky proces do të bëhet falas. Mirëpo, tashmë kanë kaluar më shumë se 7 vjet qeverisje, dhe jo vetëm që procesi i legalizimit të ndërtimeve informale nuk ka mbërritur drejt përfundimit, por, qeveria e “Rilindjes” po i mashtron shqiptarët, duke vjelë prej tyre të gjithë shumën e parave të legalizimit për tokën, ndërkohë, që tapitë flenë në dollapët e zyrave të legalizimit.

Ja skema e mashtrimit të legalizimit

Qeveria zbatoi në mënyrë të përshpejtuar procedurat e dorëzimit të kërkesave të qytetarëve, duke paguar me lekë në dorë të gjithë faturën. Duhet thënë, që procedura e legalizimit nuk është falas, pasi kërkohen një qerre dokumentesh, të cilat kushtojnë, por të interesuarit për legalizimin e ndërtesave informale paguajnë edhe faturën shtetërore për sipërfaqen e tokës të zënë. Madje, qeveria, për t’i zhvatur edhe më shumë shqiptarët, ka vendosur tarifa shumë të shtrenjta për tokën e banesës. Kështu, nëse sipërfaqja e tokës së banesës është më shumë se 299 metra katrore, atëhere çdo metër katrore do të paguhet në shtet me çmimin e vlerës së tregut. Qeveria, pasi u ka marrë gjithë paratë e sipërfaqes së tokës, u ka dhënë me shkrim të interesuarve një dëshmi, që Shteti, si pronar i tokës i shet të interesuarit për legalizimin e banesës informate, sipërfaqen e tokës. Me këtë dokument, i interesuari i legalizimit të banesës informale bëhet pronar i tokës. Mirëpo, edhe pse me dokument shtetëror, që është pronar i tokës, i interesuari nuk mund të marrë nga hipoteka tapinë e banesës, sepse toka është me mbivendosje. Shteti i ka marrë të interesuarit paratë për shitjen e tokës rreth banesës informale, por shteti ende nuk ka dëmshpërblyer ish pronarët e tokës. Shteti i ka vjelë lekët për shitjen që i bëri formalisht qytetarit që t’i legalizojë banesën, por këto para, në vend që të përdoren së pari, për dëmshpërblimin e ish pronarëve, që të bëhet legalizimi i banesave informale, shteti i përdor për koncesionet, duke mbajtur pezull edhe legalizimin, por edhe dëmshpërblimin e ish- pronarëve të tokave.

Nga ana tjetër, edhe në rastet, kur ka dalë VKM-ja, që dëmshpërblen ish pronarët e tokave në të cilat janë ndërtuar banesat informale, sërish shteti nuk u jep tapinë qytetarëve, por i zvarrit.

Kështu, çdo herë që ofrohen zgjedhjet parlamentare dhe vendore, qeveria e kryeministrit Rama, përdor “karotën”, domethënë premtimet për legalizimet falas të shtëpive, ndërkohë, sa vjel votat, hedh në kosh premtimet për legalizimet falas. Kjo shpjegon faktin, që edhe pse Kryeministri Rama premtoi që brenda 4- vjeçarit të parë të qeverisjes, do të mbaronte mbi 90 % legalizimi i banesave falas, ende, pas 7- vjet qeverisje, legalizimi i shtëpive ka ngecur në ingranazhet e mashtrimit të qeverisë së kryeministrit Rama.

Premtimi elektoral i ligjit “Për taksat vendore”

Meqë jemi në prag zgjedhjesh parlamentare dhe vendore, sërish qeveria e kryeministrit Rama po përdor “karotën” e legalizimeve, për të joshur qytetarët ta votojnë. Kështu, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi ndryshimet në ligjin “Për taksat vendore,” përmes së cilit synohet përshpejtimi i legalizimit të ndërtimeve informale. Nëpërmjet këtij projektligji, në këtë fushatë elektorale, premtohet heqja e detyrimit për pagesën e taksës së infrastrukturës nga ana e subjektit që ka kryer ndërtimin informal që mund të jetë banesë apo edhe biznes, si kusht për t’u pajisur me lejen e legalizimit. Në vitin 2018 u miratua në ligjin “Për taksat vendore” ndryshimi sipas së cilit subjektet që kërkonin legalizimin e ndërtimit të tyre informal duhet të paguanin fillimisht taksën e ndikimit në infrastrukturë pranë bashkive dhe më pas do të pajiseshin me lejen e legalizimit. Por kjo procedurë  konsiderohet e gjatë, ka ulur interesin e qytetarëve për të kryer legalizimin e pronës së tyre. Deputetja socialiste Kushi,  pohon  se sipas statistikave, numri i aplikimeve për të legalizuar ndërtimet informale nga ana e qytetarëve ka një rënie me 2-3 herë për shkak të kësaj procedure.