Vota nga instrumenti i qytetarit, u kthye instrument pasurimi për zyrtarët në bashkëpunim me Kreun e KQZ, Celibashin që tenderoi miliona me paratë e shqiptarëve, të cilët morën si shpërblim tjetërsimin e vullnetit të tyre në zgjedhje. Tani do detyron të paguajnë edhe 260 mijë euro kamatë DHL
Zgjedhjet lokale dhe pagesat 35 milionë euro
Të gjithë e kuptuan heshtjen për dështimin e teknologjisë, edhe pse shqiptarët për tenderin që bëri KQZ-ja, paguan 35 mln euro vetëm për zgjedhjet lokale të 2023, por që babëzia do shumfishohej në 2 vite nuk vjen qartazi e justifikuar me milionat që dalin nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, ku Ilirjan Celibashi dhe KQZ kërkuan nga buxheti i shtetit 137 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve 2025. Sipas të dhënave të Open Data Albania, 23 tenderë janë zhvilluar me negocim pa njoftim paraprak, një procedurë që rrallë herë garanton konkurrencë dhe transparencë. Madje, këto procedura përfaqësojnë 89% të totalit të shpenzimeve, çka ngre dyshime serioze për mënyrën sesi është menaxhuar buxheti zgjedhor nga Celibashi. Pse duhet të harxhohen kaq shumë para për identifikim elektronik, për pajisje elektronike, për kamera, skanerë, etj, dhe rezultati kontestohet.
Celibashi bën kërdinë, 137 milion euro tendera në 2025
Fatura që shfaqet është dëshmia e gjallë e një padrejtësie të madhe: vetëm 2.875 lekë (rreth 30 euro) për një komisioner që ka kaluar orë të tëra në qendrën e votimit, i lodhur e i përkushtuar për të ruajtur votën e qytetarit. Ndërkohë, Ilirjan Celibashi dhe KQZ kërkuan nga buxheti i shtetit 137 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve 2025, shkruan Klajdi Bello si komisioner në zgjedhjet e 2025. Ky kontrast nuk është thjesht absurd është një ofendim i hapur për qytetarët dhe për vetë procesin demokratik. Miliona euro për tendera, për kontrata të dyshimta, për projekte të fryra në kosto; por kur vjen puna tek ata që mbajnë mbi supe gjithë peshën e procesit zgjedhor, shpërblimi është qesharak, i mjerë, dhe i padenjë.
Pabarazia e qëllimshme
Komisionerët janë ata që përballen me presionin, me tensionin e natës së gjatë të numërimit, me vëzhguesit partiakë dhe me çdo konflikt që shpërthen në qendrat e votimit. Por në fund, përpjekja e tyre vlerësohet me një fletëmandat poshtërues si ky. Në të njëjtën kohë, drejtuesit e KQZ-së lëvizin mes miliona eurove, duke justifikuar çdo shifër marramendëse me pretekstin e “garantimit të standardeve zgjedhore”.
Korrupsion i institucionalizuar
Kjo nuk është më thjesht një “pabarazi pagash”. Ky është një mekanizëm korrupsioni: të shfrytëzosh punën e komisionerëve dhe t’i lësh ata me 30 euro, ndërsa në krah tjetër fryhen faturat e tenderave e kontratave publike, që i kalojnë xhepit të një grushti njerëzish. Celibashi dhe aparati i tij në KQZ nuk janë thjesht administrues të një procesi teknik; ata janë bërë arkitektë të një skeme ku demokracia është fasadë, dhe paratë publike janë qëllimi real.
Mesazhi që i jepet shoqërisë
Kur një komisioner merr 30 euro, por KQZ shpenzon miliona, mesazhi që i jepet shoqërisë është i qartë: në këtë vend, puna nuk vlen, por tenderi po. Vota nuk është më instrumenti i qytetarit, por është bërë instrument pasurimi për zyrtarët. Prandaj, përballë kësaj situate, nuk mund të heshtim. Duhet thënë me zë të lartë:Vazhdoni vidhni, o të pangopur! Sepse vetëm kështu ky sistem nxjerr në pah kontrastin mes atyre që sakrifikojnë për demokracinë dhe atyre që e përdorin demokracinë si biznes personal.






















