Skandali: Vidhen dosjet në sirtar, krimi bashkëpunon me prokurorinë

716
Sigal

Shteti nuk është në gjendje të ruajë nga hajdutët as institucionin e prokurorisë

Dje, në orët e para të mëngjesit, u vodhën dokumente në zyrën e prokurorit Afrim Shehu, në prokurorinë e Durrësit. Shteti nuk është i aftë të ruajë nga hajdutët as prokurorinë.

Pse Policia e Shtetit nuk ruan institucionin e Prokurorisë?

Qeveria e Rilindjes ka dhënë në ankand me koncesione gjithë shtetin. Sa edhe ruajtja e institucionit të Prokurorisë i besohet policisë private, kur dihet se Prokuroria është një institucion i Sigurisë Kombëtare, sikurse edhe Gjykatat. Hajdutët, edhe pse supozohet se Prokuroria ruhet nga policia private, hynë të pa shqetësuar në mjediset e godinës, dhe vodhën çfarë dokumente donin.

Bashkëpunim krimi me prokurorinë

Hajdutët ishin të mirë informuar për gjithçka. Ku ishte zyra e prokurorit, çfarë dokumentacione ka në dosje prokurori, ku janë serveri i prokurorisë, etj. Vjedhja nuk është rastësi, sikurse nuk është rastësi, që prokurorisë së Durrësit i vidhen 2 herë, brenda 2 javëve, posta dhe dokumentacione brenda në sirtarë të zyrës së prokurorisë. Krimi bashkëpunon me persona të caktuar brenda prokurorisë, saqë përpiqen të zhdukin dosje të tëra. . Prokuroria ka dyshime se pas grabitjeve të bujshme që organit të akuzës në Durrës është një grup i strukturuar kriminal. Dosjet të zyrtarëve të lartë nën hetim u grabitën mbrëmjen e kaluar nga persona që u futën në zyrën e prokurorit Afrim Shehu, ndërsa më pas dëmtuan serverin qendror dhe sistemin e kamerave të sigurisë. Mister mbetet mënyra si ata arritën të futen brenda prokurorisë, çka ka përforcuar dyshimet për një bashkëpunëtor të brendshëm, të autorëve të grabitjes në institucion.

Dëmtohet serveri

Autorët dëmtuan serverin qendror të prokurorisë së Durrësit gjatë natës ku morën dokumente hetimore në dosjen e prokurorit Afrim Shehu dhe një oficeri të Policisë gjyqësore. Në largim autorët kanë marrë edhe pajisjet CD ku janë regjistruar pamjet e kamerave të sigurisë gjatë kohës së vjedhjes.

Përdoren kartat CIP

Dyshohet se autorët hynë nga dera kryesore, por fakti që nuk ka shenja dhune ka ngritur dyshime se ata kishin kartën e posaçme që përdoret për të hapur derën kryesore. Në këto kushte, hetuesit kanë ngritur dyshimin për një vjedhje nga persona të brendshëm ose autorët kanë bashkëpunuar me punonjës të organit të akuzës. 

Dyshime se pas vjedhjeve është një grup i strukturuar kriminal

Autorët dyshohet se janë i njëjti grup që më 8 maj grabitën postën sekrete të prokurorisë së Durrësit, ku edhe në atë kohë u raportua për lëvizje dokumentesh të rëndësishme në hetime.

Ja cilat dosje mund të jenë grabitur nga Prokuroria Durrës

Dokumentet e prokurorisë Durrës janë grabitur dy herë brenda dy javësh. Më 8 maj, persona ende të paidentifikuar grabitën me dhunë postën sekrete të kësaj prokurorie, ndërsa mëngjesin e djeshëm janë grabitur dosjet nga zyra e prokurorit Afrim Shehu dhe serveri qendror. Një tjetër zyrë që është bastisur është ajo e oficerit të Policisë Gjyqësore që punonte me prokurorin Afrim Shehu. Oficeri i policisë gjyqësore është njëkohësisht dhe pjesë e task-forcës “Forca e Ligjit”. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, prokurori Shehu kishte në përgjegjësi dosje të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë si për shembull:

– Dosja e hetimit për ekstradimin e Nazer Seitit, ne vendimin e ekstradimit të së cilit është e përfshirë edhe vetë Arta Marku. Kjo dosje i është dërguar pikërisht Task Forcës në Durrës në janar 2018.

– Dosja e hetimit për 613 kilogramë kokainë të kapura në Maminas në shkurt 2018. Kjo dosje i kaloi prokurorisë Durrës në mars 2018, kur prokuroria drejtohej ende nga Donika Prela, një prej njerëzve më të afërt të Arta Markut.

– Dosja e hetimit për kamionin me tetë ton kanabis të kapur në Itali dhe që kishte kaluar pa u vë re në dy pika të rëndësishme kufitare në Qafë Thanë dhe në Durrës dhe dokumentet e zhdoganimit ishin bërë nga kompania e bashkëshortes së Kryebashkiakut të Elbasanit.

– Dosja e hetimit për lirimin me kusht të Lulzim Berishës.

– Dosja e hetimit për gjyqtarët të cilët kanë dhënë vendimin për tjetërsimin e truallit ku ndodhet godina “Vollga”, çështje ku është i përfshirë dhe Emiljano Shullazi.

– Dosjen e hetimit për tjetërsimin e pronave në bregun e Ishmit, çështje për të cilën janë arrestuar katër persona, mes të cilëve dhe Sulejman Ibrahimi, ish-kryetar i Komunës Ishëm.

Gjithashtu po heton edhe dy drejtorë të rëndësishëm të Bashkisë Durrës, si:

– Dosja e hetimit për dhënien e lejeve të paligjshme brenda zonës së mbrojtur në Durrës, nga Drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimi të territorit në Bashkinë Durrës.

– Dosja e hetimit për zyrtarët e Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë Durrës.