Raporti është kopjuar nga faqja e UNESCO, por është paraqitur si gjoja “Plan menaxhimi koncesionar” nga Elva Margariti e 29 zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, nga ciceronë, anëtarë shoqatash e deri kryepleqtë, që janë magazinierë, berberë,, suvaxhinj etj, për të krijuar imazhin sikur këtë koncesion e kanë studiuar shumë grupe ‘shkencore’ të qeverisë e shoqërisë civile.

Koncesioni i Butrintit, shitja e perlës së Jugut tek investitorë të kamufluar pas të ashtuquajturit Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka në përbërje të tjera skandale të rënda. Më 28 prill 2022, u publikua fakti se koncesioni i Butrintit nuk është investim amerikan, siç po serviret me letra false në parlament e para shqiptarëve, por është aferë korruptive e ideuar dhe urdhëruar nga Edi Rama, si biznes i përbashkët familjar me oligarkun e tij ndërtues Aleksandër Sarapuli. Po publikojmë një dokument tjetër, që tregon se uzurpimi dhe shkatërrimi i kësaj qendre arkeologjike në mes të Parkut Natyror 9424 hektarë, po bëhet me dosje false, të firmosur nga nëpunës e punonjës shërbimi të Ministrisë së Kulturës e Bashkive të zonës, që janë në vartësinë e kryeministrit Edi Rama. Konkretisht, raporti është kopjuar shkronjë për shkronjë, skica e pamje nga studimi dhe vrojtimet që ka bërë UNESCO, ndërsa në projekt-ligjin e dërguar në parlament, ministresha Elva Margariti e ka paraqitur si gjoja studim shkencor i grupit të punës të ngritur prej saj. Por nga cilët përbëhet “grupi shkencor”, që ka kopjuar materialin nga faqja zyrtare e UNESCO, i ka futur në mes planin-biznesin ndërtimor Rama- Sarapuli të resortit me hotele, vila, kënde lojrash, restorante, qendra bixhozi e kioska “Fast Food”?! Ata që kanë firmosur si ekspertë e studiues shkencorë në raport- projektligjin e PPP-Butrintit, janë 29 zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, 2 nëpunës të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, drejtoresha e Portit të Sarandës, 3 nëpunës të Ministrisë së Turizmit dhe 18 punonjës të njësive bashkiake në Sarandë, Konispol, Finiq, Vrinë, Xarrë. Por fiktiviteti dhe mashtrimi i qeverisë, me raportin e koncesionit të Butrintit, vërtetohet dhe nga fakti që si “ekspertë e studiues shkencorë”, kanë firmosur 2 mësues ciceronë vullnetarë, 2 kryetarë agjencie udhëtimesh turistike, punonjës socialë, psikologë, biletashitës, arkëtarë e llogaritarë. Por gallata vazhdon, kur shikon se në “Raport studimin shkencor” për dhënien e Butrintit me PPP, kanë fimosur dhe shefi i policisë së Sarandës, shefi i Kabinetit të Bashkisë së Sarandës, 6 artizanë nga fshati Shëndelli i Konispolit, 4 roje të Agjencisë së Zonave të Mbrojtuara të Vlorës. Për Butrintin, kanë firmosur si “ekspertë e studiues shkencorë” dhe 21 kryepleqtë e fshatrave të zonës Konispol- Xarrë- Vrinë-Shëndelli etj, të cilët janë në punë magazinerë, taksixhinj, roje, berberë, baxhoxhinj, suvaxhinj, marangozë, kultivues agrumesh e punonjës guroresh sipas pamfletit. Këto fakte, mjaftojnë për të provuar se koncesioni i Butrintit, është një aferë e bërë me raporte fiktive, por me uzurpim e vjedhje reale të kësaj pasurive kombëtare, tamam siç u veprua me vendimet dhe letrat zyrtare për 3 landfillet.





















