Skandali ‘McGonigal’, opozita protestë kombëtare në 11 shkurt kundër Edi Ramës

212
Sigal

Kryesia e Partisë Demokratike ka caktuar datën 11 shkurt, ora 12:00, për të mbajtur protestën kombëtare para Kryeministrisë, për largimin e Edi Ramës. 

Kryetari i PD, Sali Berisha njoftoi vendimin pas mbledhjes së Kryesisë.

Berisha tha se skandalit korruptiv i Edi Ramës me ish-shefin e FBI, Charles McGonigal, ka patur për qëllim të shkatërrojë PD-në dhe opozitën.

Berisha tha se tashmë koha është të flasë opozita dhe ftoi qytetarët në 11 shkurt para Kryeministrisë.

Largimi i Edi Ramës nga pushteti është jetike, tha Berisha, të cilin e quajti armik të egër të opozitës shqiptare.

“U diskutua gjerësisht mbi situatën kritike në të cilën po kalon Shqipëria, situatë e pashembullt në ndonjë vend. Çdo shqiptar u njoh me dokumente autentike ndërkombëtare, me angazhimin e Edi Ramës në procesin e asgjësimit të pluralizmit dhe opozitës në Shqipëri. Kryesia e PD-së mendon se sot është jetike, është vendimtare largimi i këtij armiku të egër të opozitës shqiptare nga pushteti. Largimi sa më shpejt i Edi Ramës, i cili prej së paku 6 vitesh ka angazhuar shuma përrallore, ka angazhuar policira sekrete, ka angazhuar dhe korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së. Ka marrë peng ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, ka bërë gjithçka për asgjësimin politik të Sali Berishës, me qëllimin e vetëm, shkatërrimin e opozitës së vërtetë në Shqipëri. Koha është në flasë opozita. Të flasë gjer në largimin e kësaj kalbësire, nga pushteti. Gjer në largimin e këtij turpi, njeriu që ska asnjë parim, normal, moral, nder, dinjitet që nuk ka asnjë kufi në poshtërsitë e tij për të qëndruar vetë në pushtet, pavarësisht se çfarë i shkakton demokracisë dhe vendit të vet. Me datën 11 Shkurt ora 12:00, Shqipëria marshon drejt Tiranës, Tirana vërshon në rrugët e saj“, u shpreh Berisha.