“Skandali Klosit është vetëm simbol i vjedhjeve të tyre”, Berisha: Edi Rama po e kthen vendin në tokë të mallkuar

114
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur sot në takim të rinjtë e Partisë Demokratike, kur na ndajnë vetëm pak ditë nga protesta e 11 shkurtit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama se e ka kthyer Shqipërinë në një tokë të mallkuar për qytetarët, duke sjellë në vëmendje këtu shifrat e largimit të banorëve në vitet e fundit.

Sipas Berishës, rasti i ish-zyrtares së Kryeministrisë, të cilës iu gjet një shumë e madhe parash, është vetëm një simbol i vjedhjes së kësaj qeverie.

Berisha: Takimi me ju është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është një takim në një moment kritik për vendin, kritik për demokracinë, kritik për të ardhmen. Tre ditë më parë, Eurostat njoftoi se nga 2014-a deri në fund të 2022, numri i shqiptarëve të larguar në hapësirën e BE-së, ka arritur në 934 mijë vetë. Ka arritur pra në më shumë se 33% të popullatës, por po të shtojmë këtu edhe ata që janë larguar drejt vendeve jo anëtare të BE-së, kjo shifër shkon edhe deri në 35%. Imagjinoni në çfarë situate është katandisur sot ky komb dhe ky vend. Kur lexon këto shifra, secili mund të habitet se pse ju keni ikur.

Pra, jetojmë sot një kohë kur ky vend braktiset dhe vetëm braktiset. Braktiset natën, braktiset ditën, me anije, me rrugë tokësore dhe në rrugë ajrore. Dhe ju garantoj se, nuk po braktiset vetëm vendi nga popullata. Po braktiset e nesërmja për vendin. Ky vend, nëse vazhdon kështu, nuk ka të ardhme. Ky vend sot, ka nevojë më shumë se kurrë të shpëtohet. Luftrat i largojnë njerëzit. Në luftra vdesin nga fronti, vdesin nga sëmundje dhe shumë probleme. Vendi që është pakësuar më shumë nga lufta është Polonia, duke humbur 20% të popullit të vetë nga Lufta e Dytë Botërore.

Shqipëria humb në 8 vite, 35% të popullsisë së vetë. Kjo ndodh sepse, Edi Rama po vret me regjimin e tij, shpresën tek shqiptarët. Unë ju garantoj ju, se edhe keni dalë e do dilni të shihni. Por vend më të begatë, nuk mund të gjeni kurrë. Megjithatë, ky vend, nga Edi Rama dhe regjimi i tij është shndërruar në një tokë të mallkuar. Fondet dhe buxheti i tij, në një ndëshkim për qytetarët. E gjitha kjo, sepse ky grup kriminal që qeveris sot, nuk ka asnjë interes tjetër, as kombëtar, as shoqëror dhe as njerëzor, përveçse interesit të pushtetit të tyre.

Për këtë arsye këta vjedhin në 9 muaj, 1.1 mld euro. Ai skandali që ka shpërthyer i Klosit, është vetëm një simbol i asaj sa vjedhin këta.