Skandali i zgjedhjeve: 66 mijë vota të pavlefshme

263
Sigal

Imponimi me shumicën e votave nga ekspertët  politik dhe vendimmarrja e Kolegjit, krijoi kaosin më të madh të votave të pavlefshme në historinë e votimeve të shtetit shqiptar. 66 mijë votat e pavlefshme deri dje në mbrëmje janë të barabarta me 8 mandate deputetësh. E ndërlikuar apo e qëllimshme për të manipuluar rezultatin zgjedhor? Ja faktet sesi nxirreshin të pavlefshme fletët e votimit  nga komisionerët

 

Gazeta Telegraf

Në këto zgjedhje, përshtypje të bën fakti që në orët e pasdites së djeshme, kur kurba e përqindjes së rezultatit zgjedhor të PS-së, po pësonte një ulje drastike dhe njëkohësisht PD-AN po rriteshin në votë në të gjitha qarqet, edhe në ato qarqe që konsiderohen si “kështjella” të PS-së paralelisht, në tabelën e rezultateve të KQZ-së, po rritej në mënyrë gjeometrike numri i votave të pavlefshme. Të bën përshtypje, që deri në orën 12.00, numri i votave të pavlefshme ishte vetëm 23.000, në orën 22.30, numri i votave të pavlefshme ishte 65.835 (imagjino, nuk është çudi që, me ritmin e saj të deritanishëm, deri në orët e para të ditës së sotme, votat e pavlefshme të kapërcejnë edhe kufirin e mbi 100.000!).

Në zgjedhjet parlamentare  të 2017-s, numri i përgjishëm i votave të pavlefshme ishte vetëm 2%.  Atëhere, cili është shkaku i këtij fenomeni skandaloz të zgjedhjeve të votave të pavlefshme, që nuk është çudi, që në numërimin përfundimtar të votave, ato të dalin “parti e tretë”?

Së pari, fleta e votimit, e cila u imponua vetëm nga PS-ja, e cila nuk pranoi që në fletën e votimit të shkruheshin edhe emrat e kandidatëve, me pretekstin se, fleta e votimit do të ishte tepër e vështirë për votuesit. Fakti që kështu siç u pranua, fleta e votimit me këtë numër rekord  të pavlefshmërisë, tregoi, jo vetëm një dështim, por pse të mos dyshojmë që u bë qëllimisht, që votuesi  të mos orientohej dhe fare thjesht, të ngatërrohej e ta bënte fletëvotimin të pavlefshëm. Plus, që askush nuk u interesua që të bënte të qartë fletën e votimit, se si duhej të votonim, derisa koha televizive u mbush me oratoritë e stërgjatura të liderëve të partive.

Fletët e pavlefshme mbi 7 mandate

Derisa rezultati zgjedhor është kaq i ngushtë,  sa edhe 2-3 mandate përcaktojnë fituesin zgjedhor, fletëvotimet e pavlefshme, të cilat në orën që mbrëmë shkruajmë shkrimin janë afërsisht 61 mijë, ku një mandat fitohet me 8-10 mijë vota, kuptohet, që me këto fletëvotimet e pavlefshme humbasin mbi 7 mandate, që do të thotë se rezultati zgjedhor që mund të shpallet, mund të konsiderohet edhe i pavlerë. Nëse do analizohen fletëvotimet e pavlefshme, se kujt subjekti elektoral  i përkasin, edhe mund të hamendësosh, se kujt subjekti elektoral i interesonte që të jetë sa më e lartë përqindja e fletëvotimit të pavlefshme. Shto edhe bllokimin e qëllimshëm nga qeveria, që iu bë ardhjes  në Shqipëri për të votuar të emigrantëve shqiptarë nga Greqia, kuptohet  fare mirë se kujt subjekti elektoral i interesonte numri sa më i pakët i fletëvotimeve të rregullta, për të përfituar sa më shumë në rezultatin zgjedhor.

Flasin ekspertët

Gazeta “Telegraf” iu drejtua ekspertëve zgjedhorë, Prof. Kristaq Kume ish- kryetar i KQZ-së dhe Hysen Osmanaj, ish -anëtar i KQZ-së, për të marrë një mendim për fletët e pavlefshme. Prof. Kristaq Kume pohon se deri në 2008, Kodi Zgjedhor përcaktonte se, nëse fletët e votimit janë në përqindje më shumë sesa diferenca e rezultatit zgjedhor midis subjekteve elektorale, atëhere, përsëriten zgjedhjet në ato Qendra Votimi, KZAZ, apo edhe në gjithë vendin, duke e konsideruar heqjen e kësaj klauzole si padrejtësi zgjedhore. Hysen Osmanaj pohon se kjo është hequr në Kodin Zgjedhor aktual, duke i dhënë shkas edhe mundësive të tjetërsimit të rezultatit zgjedhor, nëpërmjet përqindjes shumë të lartë të fletëvotimeve të pavlefshme.

A do të hetojë SPAK?

Fakti që dje u denoncuan komisionerë, që qëllimisht po nxirrnin fletëvotimi të pavlefshme, qarkulluan edhe video të këtyre rasteve, por edhe fenomeni i marrjes së fletëvotimit të bardhë, që më pas, edhe mund të zëvendësoheshin me fletët e votimit, lë shkak, që SPAK, si prokuroria e cila është ngarkuar nga Kodi Zgjedhor të hetojë krimin zgjedhor, duhet të hetojë shkaqet.

anash

Denoncim nga Vetëvendosje për tjetërsim votash në Tepelenë

Kandidati i pavarur në qarkun e Gjirokastrës, Kreshnik Merxhani, i mbështetur nga Vetëvendosje, denoncoi të hënën procesin e numërimit. Ai tha se po tjetërsohet vullneti i qytetarëve dhe e cilësoi procesin e numërimit si partiak. “Mbi 1000 vota të pavlefshme në qarkun Gjirokastër, nuk janë rastësisht. Në video duket qartësisht se si ky mekanizëm 30-të vjeçar, minon demokracinë dhe tjetërson vullnetin e votuesve”, tha ai duke postuar një video nga qendra e votimit. Ai tha se në qytetin e Tepelenës, në Pallatin e Kulturës Tepelenë, saktësisht KZAZ Nr.79, në orën 06:51, datë 26.04.2021, konstatuam se numëruesit pa u penguar nga askush dhe haptazi, pasi shumica e vëzhguesve lanë qendrën e numërimit, pasi ju komunikua se u mbyll procesi, një tjetër proces nisi paralelisht, ai i falsifikimit të fletëve të votimit. “Vëzhguesit tanë, filmuan dhe dokumentuan atë proces që kolegët në Tiranë e kanë deklaruar publikisht. Njësoj si kanë vepruar në Tiranë, dhe në qarkun Gjirokastër fenomeni është i njëjtë”, tha ai. Merxhani deklaroi se kjo është një nga mënyrat se si po vjedhin dhe deformojnë votën. “Aty ku qytetari ka vendosur një “X” poshtë nr. 13, në fletën e votimit pranë emrit tim, te i njëjti fletëvotim kanë vendosur edhe një “X” tjetër, te një prej subjekteve apo kandidatëve të çfarëdo force tjetër, duke e shpallur të pavlefshme fletën e votimit ose duke e deklaruar ndryshe”, sqaroi ai. Merxhani tha se do të ndjekë çështjen penalisht.