Skandali/ Avokati zbulon falsifikimin nga prokuroria për orën e arrestimit të protestuesit

417
Sigal

Avokati Ivi Kaso zbuloi dje një detaj lidhur me atë që e konsideroi si falsifikim të rëndë nga prokuroria të procesverbalit mbi arrestimin e shtetasit Florenc Hoxha, një prej qytetarëve të ndaluar nga policia me akuzën e dhunës në protestën e 16 shkurtit. Z. Kaso tha se prokuroria ka falsifikuar procesverbalin e arrestimit të Hoxhës fare haptazi, pasi në orën 21:00 kur shkruan se ka ndodhur arrestimi, në shtëpinë e Hoxhës ka qenë i pranishëm vetë kryetari i PD, Lulzim Basha dhe deputetët e djathtë. Ata janë larguar prej aty në orën 22:00, orë pas të cilit me ligj nuk mund të kryhej arrestimi. “E theksoj se në orën 21:00, në ambientet e shtetasit Florenc Hoxha kanë qenë disa deputetë të PD, të kryesuar nga kryetari i opozitës, i PD, që nuk kanë lëvizur nga kjo banesë deri në orën 22:00.” Për këtë arsye, avokati Kaso deklaroi se për këtë dokument të falsifikuar ka bërë kallëzim ndaj krerëve më të lartë të Policisë. Ndërsa, për protestuesit e tjerë të arrestuar, tha se nuk ka prova që të dëshmohet dhunë nga ana e tyre.