Skandal me pasaportat, çmimi i ri zbatohet pa hyrë vendimi në fuqi

861
Sigal

Reagimi Erjon Braçes, në 25 prill 2013: Qeveria po zhvat qytetarët

Skandali tjetër ndodh me çmimet e pasaportave të reja biometrike dhe Kartat e Identitetit. Krahas çmimit të rritur, qytetarët janë përballur edhe me një abuzim, që nuk dihet se prej kujt po bëhet. Janë tre institucione që kanë lidhje me zbatimin e vendimit për çmimin e pasaportave: qeveria shqiptare që përcakton çmimin, posta shqiptare që mbledh pagesat e pasaportave dhe firma ‘ALEAT’ që prodhon pasaportat. Këto tre institucione, kanë krijuar një ‘merimangë’ të re, lidhur me zbatimin e vendimit të qeverisë për çmimin e ri të pasaportave, ku konstatohet një abuzim i inskenuar në formë gjoja ‘keqkuptimi’ dhe ‘pakujdesie’ mes tre institucioneve, por që na fakt po zhvat hapur e dhunshëm qytetarët që duan të pajisen me pasaporta të reja. Ja çfarë ka ndodhur e po ndodh… Dje në redaksinë e gazetës ‘Telegraf’, kanë ardhur 107 denoncime për vjedhjen që po u bëhet qytetarëve me çmimin e ndryshuar të pasaportave. Vendimi i qeverisë, u njoftua se hyn në fuqi në datën 1 janar 2015 dhe sipas vendimit, që nga kjo datë aplikohet dhe çmimi i ri me 1500 lekë të reja shtesë. Por qytetarët në 12 drejtoritë e policisë së qarqeve, kanë aplikuar për pasaporta e Karta Identiteti, përpara datës 1 janar 2015, pra në 3 ditët e fundit të muajit dhjetor 2014. Ata kanë paguar nga 6000 lekë të reja në sportelet e Postës Shqiptare dhe në 1 janar 2015 janë paraqitur në sportelet e firmës së prodhimit të pasaportave ‘ALEAT’ por nuk janë pranuar për aplikim, me kuponët e pagesave me çmimin 6 mijë lekë për pasaportat dhe 1200 lekë për Kartat e Identitetit. Qytetarëve u është kërkuar pagesa me çmimet e reja, duke i detyruar të bëjnë pagesat shtesë në zyrat postare. Ky qëndrim nuk është ‘pakujdesi’ por vjedhje e hapur. Pse? Sepse vendimi hyn në fuqi në datën 1 janar 2015. Pagesat prej shumë qytetarëve janë bërë në dhjetor 2014 sipas vendimit që ishte në fuqi për çmimin e ‘vjetër’. Firma e prodhimit të pasaportave kërkon edhe 1500 lekë të reja shtesë, duke iu referuar çmimit të ri me vendimin e vitit 2015, për një shërbim që është bërë me vendimin e vitit 2014. përballë këtij skandali, Ministria e Brendshme po hesht, duke u bërë palë me firmën ‘ALEAT’.

Çmimi i një pasaporte, sa 75% e një pensioni invalidi

Sikur të mos mjaftojnë taksat e reja, çmimet e rritura të energjisë elektrike dhe çmimeve të mallrave të konsumit në treg, shqiptarët janë përballur me një tjetër goditje financiare e asociale, që i rëndon  ekonomikisht. Eshtë fjala për çmimin e ri të pasaportave, të rritur prej qeverisë shqiptare në favor të firmës së prodhimit që ka fituar këtë të drejtë monopol, që në shtator të vitit 2008. Sipas llogarisë së bërë, rezulton se çmimi i pasaportës biometrike është rritur në masën 23% të vlerës. Deri në 31 dhjetor 2014, pasaporta kushtonte 6 mijë lekë të reja, ndërsa nga 1 janari 2015, çmimi është fiksuar zyrtarisht  në 7 mijë e 500 lekë të reja, ose 1500 lekë të reja më tepër, sa 4 ndihma ekonomike mujore që jep qeveria për një shqiptar të papunë, ose baraz me 75% të një pensioni mujor invalidi. Ndërsa për Karta e Identitetit, çmimi është bërë 1500 lekë të reja, nga 1200 lekë të reja që ishte. Për emigrantët që aplikojnë në selitë diplomatike shqiptare, nga 108 euro që ishte çmimi i 1 pasaporte, tashmë është bërë 135 euro për pasaportëndhe afro 13 euro për  Kartën e Identitetit, nga 10 euro që është aktualisht.

Rritja e çmimeve është bërë ligj, në 25 prill 2013

Rritja e çmimit të dokumenteve do të nisë vërtet më 1 janar, por kjo gjë është miratuar në muajin prill 2013, nga maxhoranca e mëparshme, vetëm 2  muaj para zgjedhjeve parlamentare. Është hartuar si projektligj me objekt “Për ratifikimin e kontratës për zgjatjen dhe përmirësimet e kontratës së koncesionit për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe çmimet e pasaportave elektronike”. Eshtë miratuar  ndërmjet palëve: Ministria e Brendshme e Shqipërisë, Grupimit të ‘MORPHO’ dhe ‘Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve”. Pas këtij miratimi është kaluar në Komisionin për “Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut” të Kuvendit më 16 prill 2013, më pas ka kaluar në seancë plenare dhe është miratuar më 25 prill 2013 vetëm me 73 vota e ish mazhoranës, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 80, datë 15 maj 2013 dhe u fut në zbatim nga kjo maxhorancë në 1 janar 2015.

Reagimi Erjon Braçes, në 25 prill 2013: Qeveria po zhvat qytetarët

Në 25 prill 2013, kur ish qeveria ‘Berisha’ deklaroi dhe bëri ligj rritjen e çmimit të pasaportave, deputeti Erion Braçe reagoi ashpër ndaj këtij ligji,, duke e quajtur Ligj ‘zhvatës’ dhe kërkoi në parlament, të publikoheshin kostot për kompaninë që prodhonte pasaportat, për të parë edhe fitimin që ajo kishte nga ky koncesion që qeveria ‘Berisha’ ia zgjati deri më 31 korrik 2023. Ja fjala e Erjon Braçes: “Pak më parë unë pyeta, se cila është kostoja e prodhimit të kartës së identitetit dhe e pasaportës. Nuk mora asnjë përgjigje. Pyeta nisur nga problemi social që ka shpërndarja e kartave të identitetit dhe e pasaportave. Gjithashtu, pyeta edhe për një element tjetër: Cila është norma e fitimit e të gjithë këtyre kompanive, që ne po u japim shërbime ekskluzive dhe që përkundrejt të cilave qytetari shqiptar është i detyruar të shkojë ta marrë? Që kur u nënshkrua kjo kontratë edhe për dokumentet aktuale të identifikimit, çmimi ishte i shtrenjtë. E kemi bërë këtë debat në sallën e Kuvendit dhe kemi pranuar se çmimi është rritur disa herë dhe është i shtrenjtë. Rritja e re e çmimit në 75 mijë lekë për pasaportën dhe 15 mijë lekë për kartën e identitetit, pra 90 mijë lekë në total e bën të papërballueshme. Mjafton t’ju them, se është e barabartë me gati një pension pleqërie. Pra, pavarësisht se fillon nga 1 janari i vitit 2015, ai është i shtrenjtë. Nga ana tjetër, përfitimi i kompanisë nga ky koncesion është shumë i madh dhe abuziv…”

 Përparim HALILI