Sistemi i radarëve, LSI llogari Xhaçkës: Pse nuk ishin në punë tre vite?

541
Vazhdon debati në distancë mes LSI-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes për sistemin e radarëve, i cili nuk ka funksionuar për të cilin akuzohet ish-ministrja Kodheli
Ministria e Mbrojtjes ka nisur një kontroll të imtësishëm nëpër të gjitha ish-pronat që ka nën administrim. Sipas një njoftimi të dalë nga zyra e shtypit e këtij institucioni, çdo repart e komandë është ngarkuar, që me të gjitha burimet njerëzore në dispozicion, të evidentojë saktësisht statusin aktual, pikërisht të atyre pronave që aktualisht nuk janë vend-dislokime ushtarake. Ajo foli edhe për sistemin e radarëve. Sipas Xhaçkës tashmë që qeveria ka shtuar fondin për Ministrinë e Mbrojtjes në buxhet, do të bëhet i mundur blerja e sistemit radar ajror, investimi i parë për ruajtjen e qiejve shqiptarë në demokraci. Kur e bëri këtë deklaratë ajo ishte bashkë me ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Luan Ramës, deputet i LSI-së, i cili prej ditësh është duke kërkuar nga kjo ministri të gjejë përgjegjësit e mungesës së radarëve në tre vitet e fundit. “Zonja Ministre e Mbrojtjes paska thënë se, Ministria e Mbrojtjes do të blejë radarë të rinj! Po përse nuk kanë qenë në punë prej më shumë se tre vitesh radarët ekzistues, kur do të na e thotë?! Po përse sistemi i radarëve është vënë në shërbim të grupeve kriminale të trafikantëve të drogës, kur do të na e thotë?! Po përse janë cenuar standardet e sigurisë kombëtare në kontrollin e hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë kur do të na e thotë?!” shkruan ai. Xhaçka deklaroi sot se do të jenë 400 mln lekë shtesë për buxhetin e mbrojtjes për blerjen e sistemit radar ajror, ndërsa do të ketë grupe pune me ministrin Xhafaj për vëzhgimin e hapësirës detare. Iniciativa për vëzhgimin e hapësirës detare vjen pas akuzave të LSI-së dhe opozitës se nuk funksionojnë ose janë fikur radarët për të favorizuar trafikun e drogës. Por komunikimi në distancë nuk ka mbetur këtu. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, i është përgjigjur zv.kryetarit të LSI, Luan Rama, në lidhje me funksionimin e radarëve. Pyetjes së Luan Ramës në lidhje me mosfunksionimin e radarëve për tre vjet, ministrja Xhaçka i përgjigjet shkurt: “Kërko një interpelancë parlamentare dhe do të jem në dispozicion për të dhënë të gjitha informacionet zyrtare, me përgjegjësi të plotë institucionale. Më tej, Xhaçka shkruan në ‘facebook’, se deputeti i LSI sulmon në mënyrë të përsëritur Ministrinë e Mbrojtjes me ‘të vërteta’ të pavërteta. Sipas saj, pasi ngre akuza, bën pyetje në distancën e kontaminuar nga politika e baltës dhe balta e dezinformimit mediatik. “I nderuari deputet Luan Rama, në mënyrë të përsëritur sulmon Ministrinë e Mbrojtjes me “të vërteta” të pavërteta. Dhe ka zgjedhur mediat e të gjitha llojeve për ta bërë këtë gjë, përfshirë edhe rrjetin social. Pasi ngre akuzat e radhës, bën pyetje në distancën e kontaminuar nga politika e baltës dhe balta e dezinformimit mediatik, për të cilat kam vetëm një përgjigje, për të nderuarin Luan. Të kërkojë një interpelancë parlamentare dhe do të jem në dispozicion për të dhënë të gjithë informacionin zyrtar, me përgjegjësi të plotë institucionale”, shkruan Xhaçka.
Sigal