Simon Miraka/ Nëse Basha nuk reformaton e bashkon të Djathtën, do humbasë edhe zgjedhjet e 2017

476
Sigal

Simon Miraka, Kreu i Shoqatës së ish-të përndjekurve politikë,në intervistën për gazëtën “Telegraf”, shprehet se humbja e PD në zgjedhjet e 21 qershorit duhet të kërkohet te përzgjedhja e gabuar që iu bë kandidatëve, por edhe sepse e Djathta nuk u bashkua. Ndaj, thotë zoti Miraka, kryetari i PD tashmë duhet që të bashkojë e reformojë të Djathtën, nëse do që të fitojnë në 2017. Ndërsa për reformën në drejtësi, zoti Miraka shprehet pessimist, pasi këtë reformë nuk mund ta bëjnë ata që bënë Kushtetutën e 1976, ata që ishin ekzekutuesit e ligjeve të diktaturës.

– Zoti Miraka ju si i vlerësoni rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit? Përse humbi thellë e djathta?

– Humbja e zgjedhjeve të 21 Qershorit sipas mendimit tim i ka rrënjët te humbja e zgjedhjeve të Qershorit të 2013. Kësaj humbje të thellë, pavarësisht difekteve apo blerjes së votës, që u justifikua humbja, nuk u bë një analizë për të gjetur shkaqet. U mjaftua duke thënë se fajtorë ishin drejtorët me arrogancën e tyre. Mendoj se ishte një justifikim i pa justifikueshëm. Dështimi i zgjedhjeve të 21 Qershorit tim është firmosur në mënyrë indirekte me bojkotin që iu bë pjesëmarrjes në parlament, kur maxhoranca paraqiti para parlamentit variantin e saj për ndarjen territoriale. Këtu ka dy qëndrime të PD që bien në kundërshtim me njëra tjetren. Në njërën anë bojkoton e nuk paraqet alternativë si opozitë e në anën tjetër merr pjesë në zgjedhje. Pjesëmarrja në zgjedhje ligjëroi alternativën e maxhorancës. Një politikan i mirë thotë Çurçill parashikon atë që do të ndodhë sot, nesër, pas një muaj, e pas një viti e ka kurajon të thotë pse nuk ndodhi. As një maxhorancë nuk harton ligje për opozitën, por harton ligje kryesisht për të realizuar programin e saj. Shkak tjetër mendoj është dhe përzgjedhja e individëve për kryebashkiak. Le të ndalemi te rasti i Durrësit. U diskutua se i vetmi që mund të fitojë në Durrës ishte z Duka, një biznesmen i suksesshëm, një njeri me reputacion, i cili merrte vota majtas e djathtas. Ky nuk u përzgjodh, megjithëse i kishte të gjitha mundësitë për të fituar Bashkinë e Durrësit. U përzgjodh zj Duma, një zonjë nga Tirana përzgjidhet për Kryebashkiake në Durrës, a thua se e djathta durrsake s’paska intelektual për të hyrë në garë për Bashkinë e Durrësit. Po kështu u humbën bastionet e djathta si Kavaja, Kurbini, Shijaku, Kruja, Dibra, Këlcyra. etj. Nuk mundet të justifikohet humbja, duke na thënë se na i vodhën votat. Gabime u bënë dhe në përzgjedhjen e anëtarëve për këshillin bashkiak. Sipas mendimit tim u përzgjodhën, jo sipase kontributeve, por sipas miqësive. E them këtë se nuk mund të vendoset në listë i 53 Bislim Ahmeti, i cili është kryetari i lëvizjes studentore të’90-s dhe një ndër themeluesit e PD, apo Murat Basha. Asnjë i përndjekur nuk ishte në listë si fitues vetëm si plotësues. Në raste se do i qëndrojmë këtij arësyetimi, atëhere ne po pregatitim dhe humbjen në 2017, se ata pra përsëri do na i vjedhin votat. Mendoj se zgjedhjet u humbën edhe për një shkak tjetër të mosfunksionimit të aleancës së Djathtë, duke u larguar si PL, PBK, PDK, etj. Po kujtoj me këtë rast dhe një thënie të Konicës, se të bashkuar e pamundura bëhet e mundur, ndërsa të ndarë e mundura bëhet e pamundur. Dhe ashtu siç tha dhe lideri historik i kësaj partie z.Berisha, duhet një analizë e thellë e sinqertë. Unë kam thënë dhe po e përsëris se PD duhet të bëjë një riformatim të ri të drejtuesve qëndror. Në drejtim të PD duhet të jenë njerëz me eksperiencë politike, për ta ngritur në pjedestalin që meriton. Mendoj se edhe me rindërtimin e strukturave u gabua. Janë ato struktura që e çuan PD të qeverisë vendin për 14 vjet. Pra, Kryetar, dy nënkryetarë e sekretar i Përgjithshëm. Në kryesi të ishte një përfaqësues i pronarëve, i propozuar nga pronarët, po kështu dhe një përfaqësues i të përndjekurve i propozuar nga ata e një nga dhjetoristët i propozuar prej tyre, një prej pensionistëve i propozuar po prej tyre..

– A përbën sot e Djathta një alternativë për pushtet, duke qënë se zgjedhjet e 2017 trokasin afër?

– E Djathta ka të gjithë potencialin e nevojshëm politik, për të dalë fituese në zgjedhjet e 2017. Duhet të kemi parasysh se zgjedhjet nuk fitohen pse duam ne. Ato fitohen nëse gjejmë njerëzit e duhur, nxirren gabimet e humbjes mbas një analize të thellë dhe tjetra mendoj unë motivimi i njerëzve. Ne deri tani nuk kemi një ekip që të çon drejt fitores. Ka një koncept të gabuar për mendimin tim zëvendësimi i ekipit me të rinj. Absolutisht nuk jam kundër të rinjve se kjo do ishte një marrëzi. Në një skuader futbolli trajneri alternon të vjetrit me të rinjtë. Ndërsa kur bën një zëvendësim total me të rinj ai ekip bëhet fitues mbas një apo dy dekadash. Për mendimin tim, numri dy i PD është pa përvojën e nevojshme politike për të qenë numri dy i një partie siç është PD. Ai mund të bëhet i aftë si drejtues partie mbasi të ketë fituar eksperiencën e nevojshme. Z.Selami mund të ishte njeriu i duhur në atë post, Alibej, Patozi. Z Basha mendoj duhet të thërrasë të gjithë, të dëgjojë dhe zërin kundra brenda PD. Nuk mund të lihen jashtë vlera të tilla si, Mark Marku, Selami Xhepa, Enkeled Alibeja, Rusmaili, Përnaska, Hoti, Hoxha, Xhaferri, Beja, Juka, Paluca, Karapici, Meksi, Brojka, Kroqi, Musaraj, Ibra, etj. Mendoj se Basha duhet të marrë një takim me intelektualë të PD e të së Djathtës. Të marrë mendimet e tyre për hartimin e një strategjie që të çon drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme. Vetëm të bashkuar e pamundura bëhet e mundur. E të gjithë duhet të mbështesim z.Basha për të shkuar drejt fitores në 2017. Z Basha senatorët apo të vjetrit në thojza janë pasuri të pazëvendësushme. Për mendimin tim kryetarët kanë dhënë maksimumin. Por u gabua me individët, pra me përzgjedhjen e kandidatëve. Duhet të heqim dorë nga zgjedhja e kandidatëve nga marrëdhëniet miqësore. Kandidati duhe të përzgjidhet nga baza, nga anëtaresia…

-Elektorati nuk u besoi as PS derisa ajo humbi 15 % elektorat. Përse në këto zgjedhje PD dhe PS u votuan më pak e partitë e vogla fituan elektorat?

– Nga partitë e tjera mendoj janë dy ato që qenë të suksesshme. LSI, PDIU. Kur je në qeveri sigurisht që fillojnë rrjedhjet. Mua më tepër më shqetëson humbja e qendrës së Djathtë. Mendoj se PD e lideri i saj duhet të jenë më afër të përndjekurve politik, e pronarve. Si dy shtresat kryesore të mbështetjes së saj. Ajo nuk duhet t’i shikojë vetëm si prodhues votash, por edhe përfitues prej këtyre votave, këtë nuk e them për aspektin ekonomik. Nuk mund të mohohen perpjekjet e vazhdueshme për integrimin e tyre, vëmendje më shumë në prezencën e këtyre shtresave në vendimmarrjet politike.

– Në 600 ditëshin e analizës kryeministri renditi arritjet sa pohoi që qeveria ka nevojë të freskohet me pushime e jo të bëhen freskime në qeveri. Sipas jush, a është në drejtimin e duhur qeverisja?

– Për arritjet e një qeverie barometri është populli. Them duke marrë parasysh eksodin që po ndodh mbas një çerek shekulli, se qeveria nuk është në drejtimin e duhur. Nuk besoj se ka njerez që largohen nga vendi tyre me dëshirën për t’u larguar, jo atyre ju është vrarë shpresa. Mendoj se përgjegjësia më e madhe i bie qeverisë. Ka dikastere që nuk kanë funksionuar sa duhet.

– A i ka përmbushur zotimet e dhëna qeveria ndaj ish të përndjekurve e ish të dënuarve politikë? Mos duhet më shumë kohë?

– Qeveria ka bërë një hap përpara me dëmshpërblimin. Duke e njohur ligjin e dëmshpërblimit e duke e vazhduar atë, qeveria i ka dhënë prioritet të burgosurve që janë gjallë, mirë po në njërën anë vazhdon dëmshperblimin e në anën tjetër ka bërë shumë largime nga puna të kësaj shtrese. Qeveria duhet të nxjerrë një vendim sa më parë për dosjet e prapambetura jashtë afatit që situata të mos agravojë. Duhet të përshpejtojë dhe dhënien e kësteve për trashëgimtarët.

-A besoni se me miratimin e reformës në drejtësi do të kemi një drejtësi që të japë drejtësi për të gjithë? Kjo reformë e pengonte drejtësinë?

– Për sa i përket reformës në drejtësi unë jam pesimist. Drejtësia mendoj se ka nevojë për të gjetur njerëzit e duhur se ligjet janë. Sigurisht që ka nevojë për reformë, e kjo arrihet duke marrë pjesë të gjitha palët, edhe shoqëria civile. Por reformë nuk mund ta bëjnë ata që hartuan ligjet e diktaturës, që morrën mijra jetë njerëzish, që shkatërruan Kisha, Xhamia, Teqe e i kthyen në stalla. Nuk mund të jenë pjesë e reformës ata që hartuan Kushtetutën e ’76-s, që ashpërsoi luftën e klasave që shkatërroi ekonominë e vendit, që mbushi burgjet e që ekzekutoi qindra të pafajshëm. Mendoj se reforma për drejtësi nuk ka nevojë për shkaktarët e padrejtësisë. Në rast se të përndjekurit politikë dhe pronarët e vërtetë nuk do të shohin një rivlerësim të tyre si mbështetësit kryesorë të PD si lider e së Djathtës atëhere diskutimet për krijimin e një fronti të Djathtë me të përndjekurit, pronarët, partitë e Djatha tradicionale dhe me të gjithë ata që do të gjejnë veten në këtë front të Djathtë, do të bëhet realitet.
– Faleminderit!