Silva Caka: Paratë e krimit prishin konkurrencën në tregun e pasurive të paluajtshme

288
Sigal

Ish-deputetja LSI, Silva Caka, ka reaguar lidhur me raportin e Numbeo, i cili pasqyron të dhënat mbi koston dhe cilësinë e jetesës në Europë dhe e rendit Shqipërinë ndër vendet më të shtrenjta në rajon përsa i përket çmimit të apartamenteve.

Referuar këtij studimi, Silva Caka thotë se “Paratë e krimit prishin konkurrencën në tregun e pasurive të paluajtshme”.

Më tej, Caka shton se “Qëllimi i Rilindjes është t’a bëjë Shqipërinë vendin më të pajetueshëm; detyra jonë është të çrrënjosë këtë të keqe të madhe e t’a bëjë gjithë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve!”

 

Reagimi i plotë i ish-deputetes, Silva Caka, në Facebook

Paratë e krimit prishin konkurrencën në tregun e pasurive të paluajtshme.

Raporti i Numbeo, i cili pasqyron të dhënat mbi koston dhe cilësinë e jetesës, e rendit Shqipërinë, veçanërisht Tiranën, për të dytin vit rresht (2019 – 2020), si vendin e 2-të më të shtrenjtë në Europë, për të blerë një apartament.

Sipas studimit, një familje shqiptare, duhet të punojë të paktën 15 vite (pa shkëputje dhe me paga mbi nivelin mesatar), për të përballuar blerjen e një apartamenti.

Indeksi, i cili merr për bazë të ardhurat neto të një familjeje, çmimin mesatar për metër katror në qendër dhe periferi, si dhe koston e një kredie për 20 vite, për Shqipërinë rezulton të jetë 15. 49, ndërkohë që në Austri indeksi është 10.88, Suedia ka një indeks prej 9.27, ndërsa Norvegjia 8.77.

Në Itali dhe Francë çmimet e shtëpive janë më të larta, por familjeve respektive iu duhen më pak vite për të blerë një apartament, për shkak të të ardhurave të larta.

Shqipëria ka kaluar shumë shpejt nga vendi i 6 në vendin e 3-të dhe kjo ka vetëm një arsye: pastrimi i parave të krimit.

Ky fenomen, shoqëruar edhe me rritjen e CASH-it, ka rritur ndjeshëm çmimet e apartamenteve, duke i bërë ato të papërballueshme për familjet me të ardhura mesatare.

Ka vite që Shqipëria është kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave të pista dhe kjo e ka dëmtuar ekonominë në shumë drejtime.

Qëllimi i Rilindjes është t’a bëjë Shqipërinë vendin më të pajetueshëm; detyra jonë është të çrrënjosë këtë të keqe të madhe e t’a bëjë gjithë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve!