Silva Caka: Ministrat dhe dosjet që flenë

692
Fill pas zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, i kam drejtuar asaj një thirrje, ku i sugjeroja që të dorëhiqej, sepse supozoja se një grua, e cila ushtron profesionin si prokurore prej më shumë se 15 vitesh, duhet të kishte integritet profesional dhe moral (e supozoja, sepse nuk e vërtetoja dot për aq kohë sa Znj. Marku nuk iu nënshtrua paraprakisht procesit të Vetting-ut) dhe të mos e pranonte procedurën antiligjore dhe antikushtetuese me të cilën e zgjodhën. Fundi i thirrjes përmbante një rregull të përgjithshëm, të pashkruar, nga i cili vështirë se shpëton kush: Një detyrë e nisur në shkelje të çdo ligji edhe vazhdimësinë të tillë do ta ketë. Këtij rregulli, mesa po shohim kohët e fundit, nuk po i shpëton dot as Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, e cila për disa ka filluar të sillet si Prokurorja e Nënës e për disa të tjerë, si Prokurorja e Njerkës.

Prokurorja e Nënës:
1 – Mbyll çështjen e Edi Ramës, lidhur me thirrjen antikushtetuese, drejtuar Policisë së Shtetit në zgjedhjet e qershorit 2017;
2 – Nuk nis hetimin për Damian Gjiknurin, që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton t’i ketë shkaktuar buxhetit një dëm kolosal prej 650 milionë euro;
3 – Nuk nis hetimin për Z. Gjiknuri, për blerjen dhe vjedhjen masive të votës, në zgjedhjet lokale për Bashkinë e Dibrës;
4 – Hesht si shurdh-memece për ekstradimin e paligjshëm të dëshmitarit kyç të çështjes Tahiri;
5 – Mban me hatër e nuk nis hetimin për Ministren e Drejtësisë, e cila shkeli me të dyja këmbët ligjin penal për ekstradimet, duke larguar dëshmitarin kyç për çështjen Tahiri;
6 – Nuk nis hetimin, edhe pse disponon përgjimet për dy Kryebashkiakët e lidhur pazgjidhshmërisht me krimin; Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini.

Ndërsa Prokurorja e Njerkës, ajo që zgjidhet me 69 vota, nis çështje penale ndaj çdo individi, vetëm me kushtin që të jetë anëtar, simpatizant apo funksionar i opozitës. Reformën në Drejtësi nuk e miratuam për ta përdorur si sharrë e për të bërë kasaphanë politike, nuk e miratuam që në organet e saj të zgjedhim njerëz që nuk përmbushin kriteret ligjore, nuk e miratuam për të patur një drejtësi me dy standarde! Në fund kam një sugjerim për personin që do të bëhet shumë shpejt Kryeministër i ardhshëm: Mos e prano detyrën! Mos, se kjo Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, do të të faturojë edhe zullumet e këtij Kryeministri, të cilat do të fundosnin çdokënd që e pason, se këtë nuk e gjen gjë, për aq kohë sa ka Prokuroren e Nënës me 69 vota.
Sigal