‘Sikur të shembësh Koloseun’/ Gazeta italiane: Tensione në Shqipëri

42

Edhe gazeta e njohur italiane, ‘Corriere della Sera’ i bën jehonë shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe zhvillimeve që po pasojnë ngjarjen.

Ajo i referohet edhe Confindustria Albania, që përfaqëson të gjitha bizneset italiane në Shqipëri, e cila thotë se ishte sikur të shembësh Koloseun

Shembja e një godine të ngritur në epokën fashiste në qendër të Tiranës ka rindezur përplasjen politike në Shqipëri dhe ka nxjerrë qindra njerëz përsëri në rrugë- duke shkelur rregullat anti-koronavirus- për të kundërshtuar qeverinë dhe për të ngritur kritika edhe në nivel evropian se si u trajtua kjo çështje. Në orën 4:30 të mëngjesit të së dielës së 17 majit, buldozerët e Bashkisë së kryeqytetit shkatërruan Teatrin Kombëtar, teksa pak metra më tej, forcat policore pastruan zonën ku ishin mbledhur dhjetëra artistë për të penguar ndërhyrjen. Dhjetëra njerëz u shoqëruan në polici, përfshi Monika Kryemadhin, e cila nuk është vetëm gruaja e presidentit të Republikës, Ilir Meta, por edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, forca e dytë më e rëndësishme në opozitë.

Tre frontet

Frontet janë të paktën tre. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, që bashkon artistët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, dhe pretendon se teatri përfaqësonte një trashëgimi historike dhe kulturore të Shqipërisë. Qeveria socialiste, e drejtuar nga Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që nuk diskutojnë për vlerën e saj, por thonë se godina- duke pasur parasysh periudhën e ndërtimit- ishte në rrezik shembje, ndërhyrjet për restaurim nuk mund të bëheshin, dhe në vend të tij do të ndërtohet një teatër modern, më i madh, i projektuar nga arkitekti danez, Bjarke Ingels. Opozita- e udhëhequr nga Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, dhe Kryemadhi- pretendon se është vetëm një akt korruptiv nga qeveria, e cila nuk heq dorë nga aferat e pista edhe në këto momente pandemie.

Padia në Kushtetuese

Në këtë çështje ndërhyri edhe kreu i shtetit, Ilir Meta, prej muajsh në përplasje me kryeministrin Rama (dikur ishin shokë partie). “Mafia në pushtet urdhëroi prishjen,” akuzoi ai. “Askush nuk mund të pretendojë se ka një shtet të së drejtës në Shqipëri”. Dhe kur ekzekutivi transferoi pronësinë e teatrit në Bashkinë e Tiranës për të vazhduar me shembjen, Meta apeloi në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit. Një gjest joefektiv, për shkak se kjo gjykatë nuk mund të vendosë pasi i mungojnë anëtarët, disa prej të cilëve u rrëzuan gjatë procesit të verifikimit të magjistratëve.

Kompanitë italiane

I ashpër edhe reagimi nga Confindustria Albania, që përfaqëson të gjitha kompanitë italiane që punojnë në vendin ballkanik. “Një nga monumentet më të rëndësishëm kulturorë të Shqipërisë dhe Europës u vodh nga qyteti i Tiranës dhe historia e arkitekturës, italiane dhe jo vetëm,” komentoi presidenti Sergio Fontana. “Është sikur të shkatërrosh Arenën e Veronës apo Koloseun për të ndërtuar në vend të tyre një teatër më të rehatshëm dhe më të madh. Një teatër i ri kombëtar mund të ishte ndërtuar në një zonë tjetër, pa shkatërruar një simbol të artit, historisë dhe kulturës”. Kjo ndërtesë, vazhdon Fontana, “ishte një shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës italiane, një dëshmi arkitekturore e lidhjes së thellë dhe vëllazërimit që ka bashkuar gjithmonë dy popujt”.

Historia

Ndërtesa e Teatrit Kombëtar, në zemër të Tiranës, është ndërtuar në vitin 1939 nga arkitekti italian, Giulio Berte gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë për aktivitete pas pune. Pas luftës u shndërrua në një prej skenave më të rëndësishme. Polemikat- politike dhe kulturore- kishin vazhduar për dy vite. “Duhej të merrnim një vendim të duhur, por tepër të vështirë,” shpjegon kryebashkiaku Erion Veliaj. “Nuk mund të rinovohej më në një teatër modern sepse struktura ekzistuese nuk ishte e përshtatshme. Është vendimi i duhur sepse për 70 vite diskutohej në lidhje me fatin e tij, ndërkohë që është përdorur edhe si gjykatë popullore në epokën komuniste, madje edhe si sallë bingoje”. Veliaj parashikon që brenda tre muajsh, Bashkia do të fillojë procedurën për sigurimin e fondeve dhe kantieri i ndërtimit do të nisë në fund të vitit. “Teatri i ri do jetë të paktën tre herë më i madh se ndërtesa e vjetër dhe do ndërtohet me teknologjitë më moderne”. Një version që nuk e tërheq opozitën dhe artistët që shpallin protesta të mëtejshme.

Europa

Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Donald Tusk, dënoi prishjen dhe dhunën e përdorur nga autoritetet shqiptare kundër demonstruesve. “Dënoj shembjen e Teatrit Kombëtar të Tiranës të dielën, që shkon kundër vlerave evropiane si mbrojtja e trashëgimisë kulturore, sundimi i ligjit dhe dialogu transparent,” tha Tusk në Twitter. Ndërsa Partia Socialiste Europiane tha se po ndjek zhvillimet në Tiranë nga afër dhe me shqetësim. Sipas tyre, vendimi për këtë ‘ndërtesë problematike’ kishte mbetur në balancë për 22 vite në Shqipëri.