Si drejtësia e re e Partisë po liron nga burgu të gjithë kriminelët e rrezikshëm

73

Të dënuar përjetë, por që tashmë shumica e tyre shijojnë lirinë jashtë ambienteve të burgut ku kanë kaluar një periudhë të gjatë të jetës.

Gjykatat shqiptare gjatë viteve të fundit po u japin shansin krerëve apo anëtarëve të bandave kriminale famëkeqe në vendin tonë të qëndrojnë në liri edhe pse kanë kryer nga krimet më të rënda. Shumica e pjesëtarëve të këtyre bandave janë jashtë qelisë, me arsye, sipas gjykatave, se janë rehabilituar gjatë periudhës së qëndrimit në burg.

Përfitimi i lirisë me kusht ndërsa kanë edhe disa vite burg për të vuajtur për krimet e rënda që kanë kryer në vitin 1997, sipas juristëve, u përket ta përfitojnë vetëm ata të dënuar specifikë që kanë kryer pjesën më të madhe të dënimit dhe gjatë kësaj periudhë kanë pasur një sjellje shembullore në burg.

Nëse një i dënuar me burgim të përjetshëm ka kryer 25 vite, që ka qenë dënimi maksimal në kohën kur ka kryer veprën, ose 35 vite pas ndryshimeve të bëra së fundi, dhe ka treguar sjellje të mire gjatë kohës së qëndrimit në institucion, atëherë atij i lind e drejta të kërkojë liri me kusht, kërkesë që miratohet apo rrëzohet nga gjykata. Ndërsa për të dënuarit të cilët kanë dënime të tjera, e drejta për përfitim të lirisë me kusht u lind pasi kanë kryer ¾-at e dënimit.

Por kush janë këta të dënuar përjetë që ditët e sotme ndodh edhe t’i ndeshim në rrugë.

Rasti më i fundit që iu drejtua Gjykatës së Korçës për t’u liruar me kusht është ish-kreu i “Bandës së Çoles”, që vepronte në Vlorë në vitin 1997, Myrteza Çaushi, ose i njohur ndryshe si Zani Çaushi. Më datë 17 korrik të këtij viti, gjyqtari i Korçës Selajdin Pysqyli kishte parashikuar të jepte një vendim për kërkesën e depozituar nga i dënuari përjetë, Zani Çaushi. Por seanca nuk shkoi ashtu duhej, pasi kërkuesi për t’u liruar me kusht u tërhoq nga kërkesa e tij, me pretendimin se institucionet nuk i kanë llogaritur mirë vitet e dënimit që ai ka vuajtur në burgun e sigurisë së lartë.

Po a është kjo arsyeja e vërtetë që Zani u tërhoq nga kërkesa e tij? Sipas burimeve, gjatë seancës që u zhvillua në Gjykatën e Korçës mes prokurorit të çështjes dhe Zani Çaushit kishte pasur një debat. Ky i fundit nuk ishte dakord që prokuroria kishte dhënë një deklaratë për media lidhur me kërkesën e bërë nga vetë ai për t’u liruar nga burgu.

Ndërsa theksojmë se Zani Çaushui në kërkesë i thoshte gjykatës se ishte rehabilituar gjatë kohës së qëndrimit në burg dhe se kishte dy fëmijë të mitur për të rritur. Për të qenë “korrektë” me drejtësinë, Zani thoshte se edhe do të punësohej pasi të lirohej. Kërkesa e tij tashmë pritet të përsëritet, por nuk dihet nëse dhe ai do të ketë fatin e “shokëve” të tij.

“GAXHAI”
Teksa në media “vlonte” diskutimi për lirimin e mundshëm nga burgut të të dënuarit përjetë Zani Çaushi, një tjetër kërkesë del në pah se ishte bërë në Gjykatën e Elbasanit nga “i forti i Vlorës”, Gazmend Braka, ose i njohur ndryshe si “Gaxhai”. Ky i fundit i ishte drejtuar Gjykatës së Elbasanit për uljen e dënimit të tij me 90 ditë burg.

Kërkesa e kapobandës së Vlorës është depozituar në gjykatë më 6 mars 2020 dhe në datën 8 korrik 2020 gjyqtarja e çështjes, Miranda Çekrezi, ka vendosur të pushojë gjykimin për uljen e dënimit të “Gaxhait”, për shkak se nuk ishte paraqitur avokati i tij mbrojtës. Nëpërmjet këtyre kërkesave për ulje dënimi, dhe nëse ato do të pranohen nga gjykata, “Gaxhait” shumë shpejt i hapet rruga për të kërkuar lirimin me kusht pasi llogaritja e dënimit fillon qysh prej datës 29 qershor 1999 kur është arrestuar në Durrës, vetëm pak momente pas vrasjes së dy shokëve të Lulzim Berishës, Ilir Paja dhe Arben Xhunga. Kujtojmë që “Gaxhai” është i dënuar me burgim të përjetshëm dhe dënimin e vuan në burgun e Peqinit.

Ai ka dy dënime me burg përjetë: i pari i është dhënë për vrasjen e Ilir Pajës dhe Arben Xhungës, dy shokëve të Lulzim Berishës në Durrës dhe i dyti për vrasjen e Bashkim Dules, Sadik Kurtit, Avdul Bajramit, Dhimitraq Mishkës, Zini Harunit, Robert Myftarit dhe policit Viron Rrapaj.

Të dyja këto vendime “Gaxhai” më datë 23 mars 2018 i ka bashkuar në një të vetëm. Duke qenë se ka kryer më shumë se 20 vite burg, “Gaxhai” tashmë do të nisë rrugëtimin e tij në gjykatë deri sa përfundimi të jetë dalja e tij nga burgu. Dhe kërkesa e tij për lirim pritet të vijë fill pasi gjykata do të vendosë nëse do t’i ulë dënimin me 90 ditë apo jo, kërkesë kjo që pritet të përsëritet sërish nga i dënuari.

“BANDA E DURRËSIT”
Në janar të këtij viti, lirimi i ish-anëtarit të “Bandës së Durrësit”, Endrit Dokle, krijoi një diskutim të gjerë në vendin tonë. Dokle, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm, u lirua nga gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha. Ai kishte kryer vetëm 25 vite burg, ndërsa gjyqtarja Hoxha e liroi me kusht, ku për pesë vite do të paraqitet në Shërbimin e Provës.

Arsyeja që Endrit Dokle i kishte paraqitur gjykatës kërkesën për lirim ishte gjendja shëndetësore jo e mirë e dy prindërve të tij dhe që duhet të punonte për t’u kujdesur për ta. Për këtë, i dënuari përjetë siguroi edhe një kontratë pune si korrier, e cila do t’i mundësonte të ardhura për familjen. Në nëntor të 2018-ës dy gjyqtarë të Apelit në Durrës projektuan lirimin nga burgu të Viktor Ymerit, ose siç njihet ndryshe në Vlorë, si “Tori i Xhihanes”, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen në Durrës të Arben Pajës e Ilir Xhungës, dy miqtë e Lulzim Berishës.

Edhe ky i dënuar me burgim të përjetshëm, por prej disa vitesh gëzon lirinë, pasi vuante nga një sëmundje dhe i rrezikohej jeta në qeli. Dyshja e gjyqtarëve rrëzuan dënimin e me burgim të përjetshëm të Ymerit, duke e dënuar atë përfundimisht me 25 vite burgim.

Anëtari tjetër i trupit gjykues, Valbon Çekrezi, ka votuar kundër shuarjes së dënimit të përjetshëm. Një vit më vonë, në dhjetor të 2019-ës, gjyqtarja e Elbasanit Enkeleda Kapedani e liroi nga burgu, duke i shuar një pjesë të dënimit të mbetur Viktor Ymerit. Ymeri qëndronte në burg prej 20 vitesh. Ndërkohë, në nëntor të 2017-ës, gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha ka liruar nga burgu edhe Genc Tafilin, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari. Tafili kishte bërë vetëm 17 vite burg.

“I FORTI I TIRANËS”
Në shkurt të 2019-ës, gjyqtari i Korçës Markelian Kuqo liroi nga burgu Gert Gjinararin, i dënuar më burgim të përjetshëm për vrasjen e të konsideruarit si “i forti i Tiranës”, Naim Zyberit, në vitin 1997 në Itali. Në vendimin e gjyqtarit thuhet se Gjinarari është plotësisht i rehabilituar dhe i gatshëm për t’u riintegruar në shoqëri.

ISH-KREU I “BANDËS SË DURRËSIT”
Në dhjetor 2016 gjyqtarët e Apelit në Durrës, Arben Vrioni, Anita Mici dhe Petrit Çeno, liruan nga burgu ish-kreun e “Bandës së Durrësit”, Lulëzim Berishën, kur këtij të fundit i kishin mbetur edhe 5 vite burg për të kryer. Vendimi solli një reagim të fortë edhe nga përfaqësitë diplomatike të SHBA-BEsë në Shqipëri. Prokuroria nisi një hetim, i cili më pas u pushua. Lulëzim Berisha akuzohej si kreu i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale që merrej me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Organizata e drejtuar prej tij akuzohej edhe për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit e Arjan Pajës; Marsel Sotirit, Dritan Dishës dhe Ervin Lames. Para këtij vendimi, gjyqtarët Tritan Hamitaj, Shpëtime Pitaku, Fejzo Hysi dhe Eda Kaja, në periudha të ndryshme, i kishin ulur dënimin Lulzim Berishës.

Nga Xhentila Gjoshi