Si “blihet” dosja e pronave me 1000 euro nën dorë

483
Sigal

Ish – pronari nga Elbasani: Më kanë shitur, humbur dhe fallsifikuar dosjen   


Maksim TUFA

 

Dy zyrtarë të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP) janë denoncuar nga një ish-pronar nga Elbasani, për korrupsion, shitje, humbje dhe fallsifikim të dosjes së tij. Ngjarja ka ndodhur rreth muajit  shtator 2016, kur një person me njohje të gjerë në rrethet e politikës qeverisë dhe Rilindjes ka vajtur në zyrat e ATP në Tiranë, dhe ka “blerë” dosjen e ish-pronarit nga Elbasanit M. K. duke e mbajtur atë për afro 3 javë, nga ku ka mundur të grisë mbi 32 faqe të dokumentacionit zyrtar, të fallsifikojë dhjetëra shkresa të tjera zyrtare madje edhe shkresa që mbanin firmat dhe vulat e viteve 1906 dhe 1910, si dhe dokumentacionin e viteve të ish-Mbretit Zog. Duke folur për “Telegraf” ish-pronari M. K. u shpreh i indinjuar se “këto skandale ngjasin vetëm në arkivat dhe institucionet e shtetit tone të shkatërruar, si ka mundësi që një person vjen nga rruga, prezantohet se “jam miku dhe njeriu afërt i X dhe Y, njeri me peshë  në qeveri, dhe tjetri deputet i Rilindjes, arrin të blejë dosjen time të pronave, e cila ka të kopsitura mbi 140 mijë metra katrore prona në qytetin tim, e cila ka edhe mjaft dokumente të rralla qysh nga koha e lindjes së shtetit shqiptar, qysh nga koha e Turqisë, ish-Mbretit Zog, të cilat ATP m’i kishte kërkuar për të mbyllur përfundimisht problemin 22 vjeçar të pronave të familjes sime, që janë grabitur, blerë dhe shitur nga persona të cilët nuk kanë patur as tagrin  e përfaqësimit dhe asnjë lidhje me familjen tonë. Por më skandaloze, është fakti se lajmin për grabitjen ose më mirë blerjen dhe fallsifikimin e dosjes time në ATP, e mora pikërisht nga grabitësi dosjes sime, nga ai që duke u fshehur pas ministrit dhe deputetit të Rilindjes, ka ngritur pallate dhe vila luksoze mbi pronat e mia”. Duke vazhduar rrëfimin e tij M.K. tha se “jam nisur me urgjencë drejt ATP dhe përgjigja e vetme aspak shfajësuese nga dy zotërinjtë atje ishte, “dosjen tënde e ka marrë një person që u paraqit dhe na tha se kishte lidhje familjare me ju. Një skandal, një shkelje ligjore e paprecedent, e cila ndodh në zyrat e shtetit, por nga gërmimet e mia mësova. se dosja ime ishte “blerë” plot 1000 euro nën dorë, dhe se tani unë rrezikoj të mbetem pa dokumente origjinale, pa ato tapi me firmë dhe vula turke apo edhe të kohës së Zogut, të cilat u nxorën nga sëndukët e gjyshërve të mi  pas 120 vitesh, dhe që u shitën nga matrapazët e zyrave të këtij shtetit”. Ish-pronari ngre pyetjen se, si ka mundësi që të dalin nga zyrat e shtetit, të shiten, humbin dhe fallsifikohen dosjet e pronave, dokumentet e shumta arkivore, si arrijnë persona nga rruga të futen në zyrat e shtetit, të komprometojnë dhe korruptojnë djelmosha dhe vajzat e Rilindjes, të cilët nuk njohin as fjalën “Ndjesë” kur u zbulon skandalin? Lidhur me ecurinë dhe hapat e mëtejshëm, ish-pronari nga Elbasani tha, se “dje kam dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori ndaj dy zyrtarëve të ATP, ndërkohë edhe ndaj personit që ka vajtur e është paraqitur si “pjesëtar i familjes time” dhe ka blerë, shitur dhe fallsifikuar gjithë dosjen time voluminoze dhe dhjetëra dokumente  e tapi të cilat ishin mbi 1 shekullore, me të cilat tashmë mund të tjetërsohen pronat e familjes time, duke ligjëruar pallatet  e ndërtuara dhe hipotekuara në mënyrë të paligjshme”. Duket se korrupsioni nuk po njeh limit, ai po blen dhe shet edhe dosjet e arkivave të institucioneve të një rëndësie të veçantë, siç është edhe ATP apo ZRPP apo edhe arkivat e qyteteve tona. Dhe janë pikërisht Rilindësit e rinj, ata që janë punësuar nga “portalet” e ministrive të kësaj qeverie, pasi kanë fituar “konkurset” e hapura, janë pikërisht ata  të cilëve nuk u bën përshtypje asgjë legale dhe njerëzore në zyrat ku militojnë, veç të mbushin xhepat me para të pista. Dhe pikërisht nga ato zyra, ku qytetarët besojnë, se janë të sigurta, nis tjetërsimi, zhvatja dhe grabitja e qindra metrave katrorë, dhe qindra hektarëve troje nga ish-pronarët, për të bërë  papritur çifligarë tokash  ministrat dhe deputetët mavi të Rilindjes.