Si BE po ndikon në rënien e demokracisë në vendet e Ballkanit*

485
Sigal

Nga Solveig Richter dhe Natasha Wunsch

Kushtëzimi politik është instrumenti madhor me anë të të cilit Bashkimi Evropian ka kërkuar nxitë reformat demokratike në Ballkanin Perëndimor. E megjithatë po bëhet përherë e më e qartë se ky mjet klasik i politikës së zgjerimit po dështon të krijojë kushtet e kërkuara në një kontekst të brishtë post-konflikt për të kryer me sukses reformat politike dhe ekonomike. Përkundrazi, ka një ndarje tronditëse midis një rritjeje të qëndrueshme në nivelet e ndjekjes formale të kushteve të hyrjes në BE, dhe njëkohësisht rënies së demokracisë liberale nëpër rajon, me trendin në vende të veçanta që shkon nga stanjacioni në regres të plotë. Në një studim të kohëve të fundit kemi gjetur evidencë për të sugjeruar që ndarja e vëzhguar vjen për shkak të kapjes së shtetit në shkallë të gjerë që i ndalon qeveritë në rajon të kryejnë transformimin efektiv demokratik. Në strategjinë e vitit 2018 për Ballkanin Perëndimor, Komisioni Evropian identifikoi kapjen e shtetit si pengesën kryesore për reforma rrënjësore në Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar se ‘vendet tregojnë elementë të qartë të kapjes së shtetit, përfshirë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe përfshirje të fortë në interesat publikë e privatë’.

Efektet e dëmshëm të kushtëzimit nga BE

Pse pati sukses përqasja e kushtëzimit nga BE në nxitjen e përmbushjes së kritereve formale të anëtarësimit, por jo në vënien e vendeve të BP në një rrugë të qëndrueshme drejt demokratizimit. Për të kuptuar këtë paradoks, duhet të faktorizojmë sistematikisht politikat e brendshme informale në analizë dhe të shqyrtojmë efektet negative (të pavetëdijshme) të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në radhë të parë, ne nuk pretendojmë që BE shkaktoi kapjen e shtetit, pasi ky është një proces me shumë shkaqe që synon të shfaqet përgjatë një rangu kontekstesh tranzicioni. E megjithatë, ka kontribuar me disa mënyra në krijimin e modeleve të tillë të dëmshëm qeverisjeje. Ne kemi identifikuar tre sisteme ndërlidhës të qartë që lidhin kushtëzimin e BE me konsolidimin e kapjes së shtetit.

Së pari, presioni i jashtëm për liberalizimin e tregjeve në mungesë të një kuadri ligjor tërësor lejoi një elitë të vogël ekonomike të arrinte përfitime private dhe të ndërtonte rrjete të fuqishëm që influencojnë vendimmarrjen politike (para).

Së dyti, kushtëzimi i fortë nga lart poshtë mbyt çlirimin e brendshëm dhe dobëson mekanizmat e brendshëm të llogaridhënies, duke lejuar elitat sunduese të heshtin kundërshtarët e brendshëm (pushtet). Së fundi, progresi drejt anëtarësimit në BE dhe ndërveprimet e shpeshta me zyrtarë të rangut të lartë të BE dhe vendeve anëtare shërbejnë për të legjitimizuar elitat sunduese (lavdi). Si rezultat, vendet e BP kanë ngecur në një kurth të kapjes së shtetit që çon në stanjacionin e demokratizimit dhe paaftësinë për të implementuar reforma të thella. Atëherë, a duhet të konkludojmë që vendet e BP janë një kauzë e humbur për demokracinë dhe shtetin ligjor? Përkundrazi. BE mbetet motivuesi i jashtëm më i rëndësishëm për një ndryshim të tillë. Megjithatë, përqasja aktuale e vënies së kushteve rrezikon fuqizimin e mëtejshëm të kapjes së shtetit. Një rregullim i thjeshtë i kushtëzimit nuk do të jetë i mjaftueshëm për të luftuar çaktivizimin e gjerë të ‘checks and balances’ në rajon. Nëse transformimi i plotë demokratik mbetet ende qëllimi kryesor i BE në rajon, kushtëzimi duhet të shoqërohet me një fuqizim të plotë të parlamenteve kombëtare dhe aktorëve të shoqërisë civile si kundërpeshë e ekzekutivit dominant.

*Artikull i botuar nga “London School of Economics and Politikal Science”