Shtrenjtimi i siguracionit të makinës: PD i kërkon ndërhyrje urgjente AMF-së

42
Sigal

Rritja e çmimit me 30%: Opozita denoncon taksimin e dyfishtë dhe mungesën e transparencës

Partia Demokratike i bën thirrje Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare të ndalojë rritjen e pajustifikuar të siguracioneve dhe të mbrojë qytetarët nga abuzimet e tregut. Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Jola Hysaj, kërkon publikimin e arsyeve të rritjes dhe masa për të mbështetur shtresat më të prekura.

Shtrenjtimi me 30% i siguracionit të makinës, ka bërë që PD t’i kërkojë zyrtarisht Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, që të ndërhyjë menjeherë për rritjen e çmimit.

Në një deklaratë për rmediat, sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Jola Hysaj tha se rritja e çmimeve të sigurimeve është një simptomë e mungesës së plotë të mbikqyrjes dhe planifikimit, duke bërë që qytetarët të taksohen dyfish.

“Rritja me 30% e çmimeve të sigurimeve të detyrueshme për automjetet është një barrë e rëndë për secilin prej jush, sepse pagat i keni të ulëta dhe kostot po u rriten çdo ditë.

Shqipëria ka sigurimet më të shtrenjta në rajon. Dhe ja ku vjen një shtesë tjetër për kurrizin tuaj. Ky është një tregues i qartë i braktisjes së qytetarëve nga institucionet që duhet t’i mbrojnë.

Më të prekurit nga kjo rritje do të jenë shoferët e rinj, ata të cilët e kanë edhe më të vështirë ta përballojnë. Ky është një taksim i dyfishtë për ta dhe prindërit e tyre.

Në emër të Partisë Demokratike i drejtohem Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF):

  1. Ndërhyni menjëherë: Ndalni abuzimet dhe rritjet e pajustifikuara të çmimeve. Qytetarët nuk mund të jenë burim fitimi për kompanitë e sigurimeve.
  2. Publikoni të vërtetën: Bëni transparencë të plotë mbi arsyet e kësaj rritjeje. Qytetarët kanë të drejtë të dinë përse po paguajnë çmime që janë rekord në rajon.
  3. Mbroni qytetarët në nevojë: Krijoni masa për të lehtësuar barrën e atyre që janë më të prekur nga rritja e kostove, sidomos të rinjtë dhe të pamundurit.
  4. Vendosni përgjegjësi: Shmangni propagandën dhe përqendrohuni në detyrën tuaj kryesore – mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe jo të grupeve të interesit.

Rritja e çmimeve të sigurimeve është një simptomë e mungesës së plotë të mbikqyrjes dhe planifikimit. Në vend që të mbështesin qytetarët, institucionet kanë zgjedhur të qëndrojnë indiferente, duke i lënë të përballen me një treg që vepron sipas dëshirës.

Jeni përballë një qeverie, që bën propagandë në vend që të marrë përgjegjësi. Që u rrit çmimet nga buka deri te siguracioni i makinës, që takson jetën dhe vdekjen, që u merr shpirtin. Të mos i lejojmë të vazhdojnë në kursin e varfërimit tuaj dhe pasurimit të vetes dhe oligarkëve të oborrit.

Më 11 maj vota juaj bën ndryshimin e këtij kursi! Përdoreni për të shpëtuar Shqipërinë dhe veten nga shushunjat gjakpirëse.