Shtëpia e Bardhë: Ballkani, luftë korrupsionit e krimit të organizuar

524
Uashingtoni konfirmon mbështetjen për vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, por kërkon përpjekje në luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, krahas angazhimit për paqe dhe bashkëpunimin kundër terrorizmit. Shtëpia e Bardhë njoftoi se forcimi i paqes, respektimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin ndër çështjet kryesore që u diskutuan në takimin që këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Trump, H.R. McMaster pati me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në takim morën pjesë ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Kosovës, Bosnje Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Ata ishin në Uashington për të marrë pjesë në konferencën një-ditore të Këshillit të Atlantikut mbi Ballkanin. Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, në takim u diskutua edhe rreth rrugëve për të thelluar bashkëpunimin në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare McMaster tha se vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të jenë një përparësi e lartë për Shtetet e Bashkuara dhe ai theksoi se administrata amerikan mbetet plotësisht e angazhuar për aspiratat Euro-Atlantike dhe të integrimit në B.E. të vendeve të rajonit.


Sigal