Shtatori muaji i shpresës për finalizimin e Reformës në Drejtësi

396
Koalicioni qeveritar dhe shumica e majtë në parlament janë angazhuar se shtatori do të jetë periudha më e frytshme për reformën në sistemin e drejtësisë. Pak ditë para se të mbyllej sesioni parlamentar shumica dhe opozita arritën një marrëveshje për mbarëvajtjen e komisionit për reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi po mbështetet nga diplomatët perëndimorë, të cilët po i kërkojnë autoriteteve të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, si rruga e vetme për t’u integruar në Bashkimin Europian. 
PD, gati në shtator paketën për dekriminalizimin, kusht kryesor testi drogës për politikanët, pushtetarët dhe gjykatat e nivelit të lartë
Paketa e dekriminalizimit nga PD do të jetë gati në fillim të shtatorit, ku ajo do t’i paraqitet komisionit përkatës parlamentar. Në paketën që demokratët kanë aktualisht në përpunim e sipër dhe që atyre u pëlqen ta quajnë si ligji “severino plus”, shtohet edhe koncepti i përjashtimit nga zgjedhja në poste publike e personave të dëbuar jashtë vendit si të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale, si psh të pjesëmarrjes në trafikun e drogës apo të qenieve njerëzore. Nëse paketa “severino plus” e opozitës miratohet, ajo u hap rrugën ndryshimeve kushtetuese që ndërpresin menjëherë mandatet e deputetëve dhe zyrtarëve me të shkuar kriminale brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe ndalon zgjedhjen apo emërimin e tyre në të ardhmen. Ndërkohë në fillim të muajit shtator demokratët pritët të paraqesin në Komisionin e Dekriminalizimit platformën e plotë dhe të detajuar për largimin e personave të inkriminuar nga politika. Ekspertët pranë Partisë Demokratike kanë nisur hartimin e amendamenteve të cilat do të bëjnë të mundur ndërhyrjet konkrete në Kushtetutë. Mësohet se Partia Demokratike, do të ketë si kushte kryesore për votimin e Reformës në Drejtësi, realizimin e testit të drogës për të gjithë politikanët dhe funksionarët e lartë, ndërprerje e mandatit për zyrtarët me të kaluar kriminale si dhe marrjen e shenjave të gishtërinjve.
Halimi: Reforma në drejtësi duhet të jetë tërësore dhe afatgjatë
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, thekson se “vetëm një proces transparent, gjithëpërfshirës, bazuar në ekspertizën ndërkombëtare dhe i sinqertë, mund të prodhojë një reformë cilësore”. Halimi : “T’i thuash qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se këta janë specialistë të pavarur nuk e ndihmon procesin. Ndihmon partinë, por jo reformën; shpërblen shokët e miqtë e partisë dhe kryetarit, por jo drejtësinë.
Fatmir Xhafa: Do të ketë ndryshime thelbësore në Kushtetutë 
Kryetari i komisionit parlamentar të ligjeve, Fatmir Xhafaj, theksoi se kjo reformë do ta prekë edhe Kushtetutën në nenet që lidhen me presidentin, prokurorinë, KLD dhe Gjykatën Kushtetuese. Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë e përcaktuar gjithashtu nga Kushtetuta, sikundër çështjet e korrupsionit do të shqyrtohen nga një prokurori dhe gjykatë antikorrupsioni të posaçme. Janë disa nga elementët që do të përmbajë reforma, ndërkohë që Kushtetuta do të ndryshojë edhe për çështje të tjera që nuk lidhen me reformën në drejtësi.
Reforma në drejtësi, 1400 ekspertë
Komisioni i Posaçëm për Reformën, ka kaluar në një fazë tjetër, në atë të vlerësimit të projektligjeve që pritet të hartohen bazuar në reformë. Dy dokumentet e përpunuara nga komisioni, strategjia dhe plani i veprimit i janë vënë në dispozicion 1400 gjyqtarëve, prokurorëve, pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë, noterëve dhe avokatëve që janë diplomuar jashtë vendit pas 2010, për të dhënë opinionet dhe rekomandimet e tyre. Mësohet se fillimisht do të hartohet një vlerësim paraprak, për t’u ndjekur më pas për përcaktimin e disa grupeve të ekspertëve për ligjbërjen, në përbërje të të cilëve do të jetë një ekspert i nivelit të lartë shqiptar dhe një ndërkombëtar. Mësohet gjithashtu se po hartohet edhe plani i veprimit për koston buxhetore që do të ketë vënia në zbatim i reformës në drejtësi. Për këtë qëllim, ka një komunikim të vazhdueshëm mes Ministrisë së Drejtësisë dhe BE, ndërsa në muajin shtator do të ketë një takim me donatorët, për të kërkuar fondet që bëjnë të mundur aplikimin e kryereformës.
LU: Gjykatësit e korruptuar, në burg 
Ambasadori i SH.B.A. në Shqipëri, Donald Lu, deklaroi se Shqipëria ka nevojë për institucione dhe procedura që të ndëshkojnë korrupsionin brenda radhëve të drejtësisë. Ambasadori Lu tha se një demokraci e mirëfilltë funksionale duhet të ketë institucione për identifikimin e korrupsionit, ndëshkimin e përgjegjësve dhe sigurimin e drejtësisë për qytetarët. Ai theksoi se disa gjykatës dhe prokurorë në Shqipëri meritojnë të pushohen nga puna dhe disa meritojnë të shkojnë në burg. Të gjithë kanë nevojë për prokurorë dhe gjykatës të pastër ashtu si kërkojnë të identifikojnë dhe ndëshkojnë ata që janë të korruptuar.
Kosovë, arrestohet prokurorja e krimeve të renda
Prokurorja e Krimeve të Rënda në Kosovë Vahide Badivuku, është arrestuar dje e para të mëngjesit. Badivuku është arrestuar nga prokuroria speciale e Kosovës me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ryshfet. Sipas Policië së Kosovës bashkë me prokuroren janë arrestuar edhe dy persona të por emrat e tyre ende nuk janë bërë publik. “Sot janë arrestuar tre persona, në mesin e tyre edhe prokurorja për krime të rënda, Vahide Badivuku. Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit”, ka deklaruar Policia e Kosovës. Badivuku ka qenë Prokurore në rastin e Gani Gecit. Edhe pse ishte i dyshuar për vrasje, Badivuku kishte bërë kërkesë për lirimin e tij. Prokurorja Badivuku, dyshohet për përfshirje në disa raste që kanë të bëjnë me fajde.
Avokat Emin Subashi: Reforma e Drejtësisë, e domosdoshme dhe urgjente
Reforma në drejtësi është e domosdoshme dhe me urgjente në agjendën e politikës shqiptare, të majtë e të djathtë. Sistemi i drejtësisë është më i përfoluri jo vetëm në fjalorin e ashpër shqiptare por dhe atë ndërkombëtar. Aktualisht drejtësia është e kapur nga korrupsioni dhe presoni politik, pa anashkaluar aspak dhe paaftësinë. Nga disa gjyqtarë jepen dënime selektive dhe të ashpra, nuk zbatohet ajo politike penale që vetë ligji e parashikon. Disa dënime që ligji parashikon, një dënim deri në 5 vjet heqje të lirisë, parë këtu shkallën e rrezikshmërisë veprës dhe rrethanat e kryerjes nuk aplikohet shërbimi i provës, duke lenë në burg disa nga këto të dënuar, gjë qe ka çuar në mbi popullim në vende të vuajtjes së dënimit. Pra shteti, vetë shoqëria shqiptare ka në kurriz një faturë të kushtueshëm financiar. Një gjykatës në Kukës len arrest me burg, një të arrestuar me akuzën korrupsion aktive vlera 1000 lek, Gjykata e Apelit në Shkodër len në fuqi të njëjtin vendim. Nuk jam aspak dakord për zbutje të dënimeve por mbi të gjitha duhet të funksionoj logjika e dhënies së masës së dënimit,duke aplikuar dhe dënime të tjera alternative, siç është ai me gjobë apo në shërbim të provës. Drejtësia ka nevojë për profesionist të ndershëm, që njohin dhe zbatojnë vetëm ligjin dhe jo të udhëhiqen nga një parim i vetë, atë të bindjes që krijon Gjykata apo në rastin konkret gjyqtari. Mendoje se ka ardhur koha që ky paragraf i ligjit duhet korrigjuar, pasi bindjet gjykata, trupi gjykues apo gjyqtari i vetëm duhet ti krijojë në bazë të ligjit, provave e fakteve dhe jo paragjykimit thjesht të mendimit të tij, me arsyetimin kështu e mendova dhe e bëra.
Sigal