Shtabi i drogës, “telegram” Xhafaj: Mos i mërzit “çunat e policisë!”

462
Vjollca KUTA

“Shtabi” i drogës i dërgon “telegram” ministrit Xhafaj: “Mos i ngacmo “çunat e policisë!”
Shkak mendohet se është sulmi ndaj depove të drogës, kapja e sasive të mëdha, asgjësimi i të mbjellave të reja, nxjerrja jashtë loje e mbrojtjes policore të këtij biznesi 

Duhet pranuar dhe përshëndetur fakti, që Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, qysh ditën e parë të marrjes së detyrës, i ka shpallur luftë të ashpër e konkrete me bilanc suksesi, krimit të mbjelljes, kultivimit, fshehjes, përpunimit, transportit brenda vendit dhe trafikimit të drogës në vijën kufitare detare e tokësore. Po asgjësohen të mbjella kanabisi në farishte, parcela, sera, bodrume e tunele. Po asgjësohen sasitë të shumta nëpër magazina e depo dhe të nxjerra në treg. Hapi i parë i kësaj beteje jo të lehtë, ka qenë takimi ministrit Xhafaj me 12 drejtuesit e policisë së qarqeve e më pas me shefat e komisariateve dhe me drejtues të tjerë shërbimesh policore, prej të cilëve kërkoi përgjigje për pesë çështje: 

1. Informacion zyrtar e privat për situatën e kultivim-trafikut të drogës, për kultivuesit dhe mbështetësit qofshin edhe politikanë e shtetarë të çdo niveli zonal, apo qendror.
 
2. Të plotësonin deklarata personale si qytetarë e drejtues të lartë policie, nëse kishin ose jo dijeni, lidhur me aktivitetin kriminal të kultivimit dhe trafikut të drogës dhe me kultivuesit e trafikantët e saj.

3. Deklarime, nëse familjarë, vartës apo të afërm të tyre ishin ose jo pjesë e kultivimit dhe trafikut të drogës. 

4. Deklarim, nëse drejtues të lartë të policisë deri tek ministri kishin dijeni për aktivitetin dhe emrat konkretë të biznes-krimit të drogës dhe çfarë përgjigje iu është dhënë pas informacionit. 

5. Të dhëna konkrete, për raste ndërhyrjesh nga politika, nga shtetarë e pushtetarë qendrorë dhe lokalë apo nga drejtues të lartë në Ministrinë e Brendshme, për të mbyllur dosje për persona të zbuluar e të arrestuar për kultivim, përpunim dhe trafikim droge! 

Referuar përgjigjeve të dhëna nga drejtuesit rajonalë të policisë, ministri Xhafa krijoji një ekip të posaçëm për të përpunuar informacionin e grumbulluar e për ta ballafaquar atë deklarimet e bëra prej drejtuesve policorë të çdo niveli, duke i ballafaquar edhe me informacionet e shumta që vinin nga banorët e zonave. Rezultoi, se të 12 drejtorët e policisë të rajoneve dhe vartësit e tyre të nivelit të parë e të dytë, pas presionit të ministrit Xhafaj, pranuan se kishin dijeni të plotë për çdo centimetër katrorë, për çdo rrënjë hashash të mbjellë në çdo parcelë, kodër, mal, përrua, tunel, depo, hangar e bahçe të çdo familjeje lagjeje, fshati, komune, qyteti e rrethi ku ata drejtonin strukturat dhe shërbimet e policisë. Madje, u dha informacion edhe për strukturën e trafikut dhe hartën e transportit të ngarkesave. Mbi bazën e këtyre informacioneve, ministri nisi së pari, operacionin e goditjes së mbështetësve të kultivimit dhe trafikut të drogës brenda policisë së shteti dhe në 15 ditët e fundit, janë bërë shumë arrestime dhe kërkime policësh që kanë qenë pjesë e trafikut. Po kështu, janë larguar e përjashtuar nga policia shumë inspektorë e drejtues zonalë. Vetëm 3 ditë më parë, ministri Xhafaj nisi shkarkimet dhe ndryshimet në kupolat drejtuese të policisë në qendër e në qarqe. Flitet për shkarkim të 12 drejtorëve të policisë dhe të krejt drejtuesve të komisariateve të rretheve, duke shkuar deri tek shkarkimi i drejtuesve të stacioneve policore dhe shefave të shërbimeve. Ky “operacion” i përshëndetur nga opinioni dhe ndërkombëtarët, thuhet se do të vazhdojë. Mirëpo, ky operacion ka prekur “kupolën” e biznesit të drogës në Shqipëri. Sipas burimeve tepër të sigurta nga ministria e Brendshme, thuhet se “shtabi” i kultivim-trafikut të drogës, i gjendur përballë shpërbërjes së strukturave të tyre mbrojtëse brenda kupolave të policive rajonale, i kanë dërguar një mesazh paralajmërues me përmbajtje të plotë e të qartë kërcënuese me këtë kujtesë: :Mos i mërzit çunat e policisë!” Cilët ia kanë dërguar këtë “telegram”? Për çfarë e kanë fjalën? Përse dërgohet pikërisht tani, në momentin që ministri Xhafaj po bën ndryshimet e plota në kupolat e policive rajonale e qendrore, ku drejtojnë “çuna” të emëruar prej ish-ministrit Tahiri? A ka lidhje kujtesa që i bëhet ministrit Xhafaj, për të mos “mërzitur çunat e policisë”, me shkatërrimin strukturës policore që ka lejuar, monitoruar, menaxhuar e mbrojtur kultivimin, përpunimin dhe trafikimin e drogës që mbuloi territorin e vendit?! Bëhet me dije, se lidhur me këtë mesazh paralajmërues, ministri Xhafaj ka informuar kryeministrin Rama dhe ndërkombëtarët, ndërkohë që ka aktivizuar një strukturë hetimore speciale, për të shkuar në “centralin” prej nga është dërguar ky paralajmërim, duke hetuar si “pistë” fillestare, lidhjet e grupeve që janë goditur pas emërimit të tij si ministër, me drejtuesit e policisë që janë arrestuar, përjashtuar, larguar, qarkulluar e shkarkuar në këto pak javë të drejtimit prej ministrit Xhafaj.
Sigal