Shqiptarët rropaten për dy vakte në ditë, qeveria në ‘delir’: Kemi rritje ekonomike më shumë se BE

127
Sigal

 

Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi ka bërë një deklaratë të habitshme në Kuvend, kur krahasoi rritjen ekonomike të Shqipërisë në tremujorin e parë të vitit me vendet e Bashkimit Evropian. Duke iu referuar shifrave të INSTAT, Ekonomi tha: “Tani është një fakt i rëndësishëm që rritja ekonomike në Shqipëri shënoi 5.97% rritje në tremujorin e parë, që është rritja e nivelit më të lartë, e krahasueshme dhe me vendet e BE ku mesatarja është 5.6 %. Ndërkohë dhe në rajon kjo është rritja më e lartë”. “Duke parë ecurinë e ekonomisë deri në vitin 2021, kemi vënë re që gjërat kanë qenë të vështira, por ekonomia jonë ka rezistuar. Po të shikoni raportin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave ka një shifër që tregon dhe një rezistencë tjetër. Numri i individëve që kanë depozita të nivelit të sigurimit, pra 2 milionë e 500 mijë lekë të reja, numri i tyre në fund të 2021 ishte rritur me 9% krahasuar me fundin e vitit 2020. E numri i depozituesve kishte shkuar më shumë se 2 milionë e 611 individë. Kjo tregon që masat që janë marrë dhe rritja ekonomike i ka sjellë një të mirë familjeve shqiptare”, tha Ekonomi. Kurse zv.kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi sot se qeveria po mendon të shpërndajë një tjetër paketë ndihme për shtresat në nevojë në shtator. Por ai tha se është rritur konsumi dhe kursimet. “Ekonomia jonë është e vetmja në rajon që ka mbajtur rritjen 6%. Pse është rritur konsumi i popullatës? Si ka mundësi që çmimi i naftës është më i larti në Europë, dhe ndërkohë, konsumi, tregtia, ndërtimi, janë të rritura? Po pyetjen pse janë rritur kursimet e bëni? Po investimet që janë rritur, cila është arsyeja? Rritja është dyshifrore,”-tha Ahmetaj.