Shqipërisë i mungojnë dy “PO” për negociatat, Hahn: Mos harroni! Vendimi do jetë edhe politik

554
Sigal

Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, thotë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet nga Komisioni dhe Këshilli për hapjen e negociatave me BE.

Në një konferencë nga Luksemburgu, Hahn nuk e fshehu frikën për një përgjigje negative duke deklaruar se deri më tani nga 27 vende që ka Unioni janë siguruar 25 PO për  negociatat.

Hahn: Nuk duhet të surprizohemi nëse fuqi të tjera brenda Europës do të bëhen me të fuqishme se BE. Të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet e vendosura nga Komisioni dhe Këshilli. Jam besimplotë se vendimi do jetë pozitiv, shumica e vendeve nuk kanë preferuar ta ndajnë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut.25 vende anëtare nga 27 janë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Ndërsa Tuppurainen tha se është hera e parë që vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë  e Veriut do të diskutohet në nivelin e saj më të lartë

Tuppurainen: Nuk kemi marrë një vendim sot, çështja e integrimit të dy vendeve do të diskutohet së bashku. Ne bëmë më të mirën e mundshme për të arritur një marrëveshje për fillimin e bisedimeve të pranimit

Nga ana tjetër Hahn kujtoi se vendimi përfundimtar i vendeve anëtare përmban dhe elementë politik, dhe këtë tha ai nuk duhet ta harrojmë.

Hahn:  Disa vende anëtare kanë probleme të brendshme dhe për to nuk është e lehtë vendimmarrja që lidhet me zgjerimin e mëtejshëm të BE.

Deklaratat erdhën pas takimit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.

Takimi i ministrave të Jashtëm në Luksemburg i paraprin atij që krerët e shteteve mbajnë në 17 dhe 18 Tetor në Bruksel, ku do të vendoset përfundimisht për të ardhmen e 2 vendeve të Ballkanit Perëndimor.