SHQIPËRIA NË PRAG TË KAOSIT POLITIK

491
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Opozita e Bashkuar merr vendimin: Djegim mandatet e deputetëve. Kërkojmë zgjedhje të parakohshme me qeveri tranzitore

Shqipëria në kaos politik, alarmohen ambasadorët në Tiranë, takohen me kryeministrin dhe kryeparlamentarin. Rama ironizon: Basha bën blofin e radhës

Pas protestës së 16 shkurtit, për opozitën e Bashkuar nuk ka më rrugë tjetër, veçse të dorëzojnë mandatet e deputetëve dhe aksioni politik ta zhvillojnë në rrugë dhe sheshet e Shqipërisë. Ky është vendimi politik që u morr në Grupin Parlamentar të PD-së, në dakordësi të gjithë deputetët, ndërsa më vonë, kryetari i PD-së u takua edhe me aleatët e vet parlamentarë dhe partiakë, të cilët, edhe ata, u solidarizuan dhe mbështetën vendimin që gjithë Opozita e Bashkuar të djegë të gjitha mandatet e deputetëve. Shqipëria zhytet në një krizë të thellë politike, e pashembullt, që pas vitit 199-1, ku opozita për herë të parë djeg të gjitha mandatet. Shqipëria është vetëm 3 muaj larg vendimmarrjes së BE-së për të hapur, ose jo negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, por kjo krizë e madhe politike, paraprakisht, e penalizon Shqipërinë, e bën më të pamundur hapjen e negociatave. Palët politike në Shqipëri nuk u ndërgjegjësuan aspak, pas qershorit të 2018-s, ku BE-ja i dha edhe një mundës të dytë Shqipërisë, që të plotësonte 14 kërkesat e integrimit. Përkundrazi, mazhoranca dhe opozita vunë primare interesat e tyre partiake dhe aspak integrimin e Shqipërisë, duke e kurorëzuar përplasjet politike deri në vendimin e djeshëm të opozitës, për të djegur mandatet e deputetëve. Hetimet e deritanishme të prokurorisë kanë zbardhur fakte tronditëse, ku vërtetuan akuzat e opozitës se maxhoranca ka blerë votat, sepse zbardhjet e hetimeve dëshmojnë që kandidatë në zgjedhjet vendore dhe partiake kanë bashkëpunuar me personat e botës së krimit për të blerë dhe tjetërsuar votat. Reforma e re zgjedhore është e pa miratuar, edhe pse zgjedhjet e pushtetit lokal duan 3 muaj. Opozita, siç e pohon i ka ezauruar të gjitha mjetet politike, dhe e vetmja armë e saj politike është dorëzimi i mandateve të deputetëve. Vendimi i djeshëm i Opozitës së Bashkuar, që të vetë-përjashtohet nga Parlamenti alarmoi ambasadorët e akredituar në Tiranë, të cilët, dje, në mënyrë urgjente, u takuan në bisedime me kryeministrin dhe kryeparlamentarin. Kryeministri Rama, dje i pohoi një gazete të huaj, se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, siç e kërkon opozita.

Basha: Ja arsyet pse djegim mandatet e deputetëve

Duke pasur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare ku ndodhet vendi për shkak të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore publikuar nga mediat ndërkombëtare. Për shkak të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale, të eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë, eliminimit të Gjykatës Kushtetuese, kapjes totale të sistemit të drejtësisë, paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve, duke përfshirë të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës, që ka shkaktuar një krizë të paprecedentë të krizës ekonomike, të emigracionit masiv kombëtar dhe gjendjes katastrofale të mjerimit social. Duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozitës së bashkuar, të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që do të garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë e hapjes së negociatave me BE-në, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të Partisë Demokratike në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017.

Basha: Edi Rama nuk është më kryeministër

Kryetari i PD-së, u takua edhe me aleatët e opozitës, Pas mbledhjes, Basha deklaroi:

Parlamenti nuk është më legjitim, Edi Rama nuk është më kryeministër, dhe kjo është shkaku që mblodhi dje qytetarët në shesh. Edi Rama nuk mund të ofrojë zgjidhje sepse është i kapur nga krimi dhe oligarkët dhe këta nuk e lënë atë që të ofrojë zgjidhje.

Aleatët shprehen unanimisht pro djegies së mandateve

Fatmir Mediu: Ky do të jetë një vendim unanim i të gjithë kandidatëve për deputet. Jemi në një situatë problematike dhe kjo nuk është një situatë parlamentare. Vangjel Dule: Opozita është në kushtet e realizimit të misionit të saj. Një mision që nuk mbaron me djegien e mandateve. Ky koalicion opozitar është ai që drejton popullin, mbështetet nga populli për të sjellë ditën e nesërme, shtetin e së drejtës, demokraci funksionale, integrimin në BE. Misioni është i vështirë, i rëndë dhe kërkon mbështetje më shumë se kurrë. Nard Ndoka: Në fakt kryetarët folën qartë. Në fakt ata folën edhe për mandatin e kryeministrit, ai duhet ta lexojë qartë mesazhin e qytetarëve. Dashamir Shehi: Sa kohë të jetë Rama aty, aty do na shihni bashkë. Kjo punë është e mbyllur. Ato mandate s’na bëjnë ndonjë vlerë të madhe. Do bëhemi dhe më shumë. Agron Duka: Unë jam për zgjidhje institucionale, por përderisa përderisa opozita ka marrë vendimin për djegien e mandateve, ne do i djegim, nuk do hymë në parlament.

Kryeministri Rama: Basha bën blof

Kryeministri Rama mendon se deklarimet për lënien e mandatit janë një blof i Bashës dhe se opozita nuk do të gjejë dot konsensus mes saj për këtë vendim. Kryeministri duke komentuar protestën e opozitës tha se nuk do jepte dorëheqjen dhe se nuk do të mbaheshin as zgjedhje të parakohshme në Shqipëri. Kryeministri Rama mblodhi Grupin Parlamentar të PS-së dhe ka folur edhe në lidhje me propozimin e Lulzim Bashës për djegien e mandateve, duke e cilësuar këtë një gjest të dëshpëruar dhe blof të kryedemokratit. Kryeministri Rama: Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashës, pra një çadër në formë bojkoti para zgjedhjeve të qershorit, do të jetë sidoqoftë e vështirë të realizohet konsensusi mes tyre. Basha e di këtë por luan blofin. Unë them se ata do të hyjnë në zgjedhje, pasi të kenë bërë sikur nuk hyjnë deri në minutën e fundit, por hyjnë apo jo ata në zgjedhje, ne duhet të fitojmë jo thjeshtë votat e shumicës, por besimin e edhe më shumë qytetarëve se herën e kaluar.

Reagon zëvendëskryeministri Braçe: Vetëdjegia buron nga dëshpërimi i madh!

Arsye e fortë apo jo?! Vetëdjegia buron nga dëshpërimi i madh! Arsyeja është Reforma. Përpara pa pyetur për bllokimin me tym e flakë, hekur e beton, votë e bojkot prej tyre! Pse digjen tani? Sepse nuk i bëjnë më dot asgjë Reformës në Drejtësi, as SPAK e as BKH, as Gjykatës Kushtetuese e as Gjykatës së Lartë, të gjitha në punë shumë shpejt! Mekanizmi kushtetues çmonton bllokimin nga Kuvendi. Të parëndësishëm shumë shpejt! Reforma e para, Reforma përpara.

Deputeti Shehaj “flakë për flakë” Braçes: Shqetësohu për shokët dhe partinë tënde që do përfundoni keq!

Po dorëzojmë mandatet sepse u faktua mega korrupsioni prej 30 milionë eurosh dhe dolën përgjimet e blerjes së votave. Por askush nuk u arrestua. Rama, Gjiknuri, Sejdini, Balla, Ahmetaj dhe gjithë kupola e PS-se është e lidhur me krimin dhe e zhytur në korrupsion. Nxjerrja e tyre para drejtësisë është prova e SPAK-ut. Braçe duhet të shqetësohet për shokët dhe për partinë e tij qe do përfundojnë keq. Sa për ne demokratët, tashmë jemi pa imunitet!