Shqipëria e lirë nuk mund të jetë ajo që bën sehir diktaturën

532
Sigal

Flet Prof. Agim Hushi: Ikja e njerëzve është plaga më e madhe e shqiptarëve! Rinasi dhe kufijtë e vendit janë larë me lot për familjet që largohen të pashpresë, të papunë, të pangopur në atdheun e mashtrimeve, të drogës dhe bandave shtetërore. Koncepti i qeverisë së “rilindjes” për “Diasporën” është si dikur me “Mërgatën e Qyqeve”

Agim Hushi, “Nder i Kombit”

Qasja e sëmurë e Kryeministrit për t’i fshehur Evropës ngjarjet shqiptare është, padyshim, ajo mungesë sinqeriteti që na bën partnerë jo të besueshëm të evropianëve

 Shqipëria e lirë s’mund të jetë ajo që bën sehir diktaturën 

Agim Hushi, “Nder i Kombit”, artisti që ka mahnitur skenat e Artit botëror dhe ka përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në mbarë botën, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” shpreh bindjen, se Shqipëria e lirë nuk mund të bëhet serish pre e diktaturave. Artisti me famë botërore, Agim Hushi shprehet se kryeministri ynë u fsheh partnerëve tanë ndërkombëtarë të vërtetën, prandaj bëhemi të pabesueshëm. Zoti Hushi thotë se të huajt kanë 2 imazhe për Shqipërinë. Shqipërinë e bukurive natyrore, që e admirojnë dhe Shqipërinë e qeverisjes së kësaj klase politike, me korrupsionin në shifrat më të larta, me drogë dhe banda kriminelësh ulur në majën e pushtetit dhe se tranzicioni që vuajmë kaq gjatë, padyshim, është vepër dhe pasqyrë e shëmtisë së klasës sonë të babëzitur politike. Artisti Hushi shprehet për emigrimin e shqiptarëve se “Ikja e njerëzve, padyshim është plaga më e madhe e shqiptarëve! Është larë me lot Rinasi e kufijtë e Greqisë për djemtë që ikin të pashpresë, të papunë e të pangopur në atdheun e mashtrimeve!”. 

Jakup B. GJOÇA

– Zoti Hushi, ju si e vlerësoni progresin e Shqipërisë në integrimin e dëshiruar drejt Evropës?

– Natyrisht megjithëse do të donim të shpreheshim ndryshe ka një stanjacion të natyrshëm në marrëdhëniet evropiane të Shqipërisë! Qasja e sëmurë e Kryeministrit për t’i fshehur Evropës ngjarjet shqiptare janë padyshim mungesë sinqeriteti që na bëjnë partnerë jo të besueshëm të evropianëve. Jo pak herë zoti Rama i përgjigjet opozitës duke e etiketuar atë si nxirëse e fytyrës së Shqipërisë. Referuar situatës së tanishme ka një harrim evropian karshi Shqipërisë. Kryeministrin Rama s’e pret askush dhe si për ta bërë më të prekshëm këtë harrim Edi Rama cakton një të mitur ministër të Jashtëm dhe të çështjeve të Evropës! Do ishte e tepërt të gjykonim më thellë se kush na ka lënë, Evropa apo ne Evropën…!

– Cili është imazhi i Shqipërisë sot në përshtypjet që ju shprehin miqtë tuaj?

– Ka dy pamje të përhershme të Shqipërisë; Shqipërisë së Zotit, ajo Shqipëri e bukur, e bekuar me diell, dete, lumenj, liqene, kodra, male dhe pyje, e bukura e dheut që nuk shqitet nga mendja e çdo të huaji dhe që mahnitet me bukurinë e saj. Dhe Shqipëria e njerëzve dhe politikanëve! Ajo Shqipëri e varur prej nesh. Gjithmonë problematike, me korrupsionin në shifrat më të larta, me drogë dhe banda kriminelësh ulur në majën e pushtetit, ku ministrat shesin drogë dhe pronën e popullit e trajtojnë si mallin e tyre. Një Shqipëri që konkurron Sirinë dhe Afganistanin për nga numri i refugjatëve për të ikur… Një Shqipëri që është bërë turpi i botës, pre e emisarëve të huaj që vijnë t’u japin mend politikanëve tanë…

– Sipas jush, përse zgjat kaq shumë tranzicioni i Shqipërisë dhe ende nuk arrijmë të ndërtojmë një shoqëri me standarde demokratike?

– Tranzicioni i dhimbshëm 30 vjeçar padyshim është vepër dhe pasqyrë e shëmtisë së klasës sonë të babëzitur politike! Është një formë agresive e pushtetit! Tranzicioni shqiptar është fushata më e egër, më brutale dhe e pashpirt që është ndërmarrë kundër këtij populli dhe në emër të tij! S’ka pasur kryqëzate e ndëshkim më të egër dhe më të pashpirt ndaj shqiptarëve se sa ky i quajtur tranzicion. Është tragjike që shkaktarë të këtij tranzicioni janë 4-5 emrat e instalimit politik që tragjikisht shqiptarët vazhdojnë t’i duartrokasin! Përderisa ky instalim kriminal vazhdon të duartrokitet edhe tranzicioni do vazhdojë!

– Përse sot emigrojnë shqiptarët kaq masivisht, mbi 100.000 veta çdo vit, saqë tashmë Shqipëria renditet ndër vendet e para në botë për emigrim, për azilkërkues?

– Ikja e njerëzve padyshim është plaga më e madhe e shqiptarëve! Si çdo gjëje edhe kësaj gjëme të boshatisjes së atdheut kryeministri ynë ia ka gjetur fjalën: Kanë ikur për qejfe, por po i kthehem dhe unë me gjuhën e tij! T’u boshatistë shtëpia dhe ty për qejfe! Është tmerr të dëgjosh arsyetimin e një njeriu ta pashpirt! Është larë me lot Rinasi e kufijtë e Greqisë për djemtë që ikin të pashpresë, të papunë e të pangopur në atdheun e mashtrimeve! Ku çdo ditë ushqehen me gënjeshtra!

– Kryeministri Rama, duke iu përgjigjur pyetjeve të mediave të huaja, është përgjigjur se shqiptarët emigrojnë, ngaqë duan të jetojnë më mirë. Ju, si do t’i përgjigjeshit kryeministrit?

– Bota po sheh çudi me këtë ikje si prej lufte. E natyrisht kësaj çudie nuk mund të mos i përgjigjet kryeministri ynë që ka çdo përgjigje gati: Janë për qejfe. Duan jetë më të mirë! A thua se mirësia e qeverisë së tij është pilaf?! Që të rinjtë shqiptar e duan më të mirë! Gënjeshtra është bërë natyrë e dytë për kryeministrin tonë këmbëgjatë!

-Sa i vlerësueshëm është intelektuali dhe cili është roli i tij në progresin e Shqipërisë?

– Intelektualizmit Rilindja e ka vënë traktorin. Duke qenë në deficiencë absolute lidershipi i ri socialist i ka vënë kazmën intelektualizmit! Qoftë brenda në PS ku vetëm dorë lëpirësit shpërblehen, qoftë në jetën sociale shqiptare! Intelektualët heshtin përballë masakrës rilindëse, dajres së rilindësve që shurdhon çdo zë qytetar dhe ndjesi njerëzore! Mallkimi dhe gjuha e urrejtjes me të cilët Rama godet zërat kundër është ulëritëse! Mjafton të dëgjosh fjalorin e tij për të kuptuar se çfarë ka përballë inteligjenca shqiptare!

– A mundet një intelektual, një dijetar, një shkencëtar, një personalitet shqiptar që shquhet në një vend tjetër, të rikthehet në vend dhe të kontribuojë për të mirën e Shqipërisë? 

– Jo! E shoh të pamundur rikthimin e intelektualëve në Shqipëri! Së pari, mendjemadhësia e pushtetit, depersonalizimi i figurave të shquara është në moralin dhe fokusin e qeverisë së sotme. Të mos harrojmë që udhëhiqemi nga një njeri me komplekse të theksuara mendore që i mbushet mendja të vejë ministër një fëmijë apo një aktiviste të arsimit dhe nuk është i përgjegjshëm për akademikët dhe personalitetet. Natyrisht do të jetë një zhgënjim total çdo orvatje për rikthim në atdhe!

– Pse heshtin intelektualët në Shqipëri dhe nuk reagojnë, derisa merren nëpërkëmbë nga pushtetarët dhe nuk u jepet mundësia të kenë rolin e tyre në progresin që duhet të bëjë Shqipëria?

– Heshtja e intelektualëve ka të bëjë me dy probleme mendoj… E para, ka të bëjë me blerjen e heshtjes. Duke qenë rrogëtarë të thjeshtë intelektualët kanë frikë të flasin se i flakin nga puna dhe u marrin bukën e gojës. Së dyti, mendoj që mendimit intelektual ia ka zënë vendin zhurma e kazanit! Gjithnjë e më pak bëjnë jehonë shkrimet intelektuale dhe përsiatjet sociale!

– A mendoni se qeveria shqiptare e çmon Diasporën Shqiptare dhe a ka bashkëpunim për të kontribuar për çështjen e Kombit Shqiptar?

– Diaspora shqiptare është një figurante shtesë në teatrin qeverisës të mjeshtërve të showt të rilindjes. Asgjë nuk ka ndryshuar në Konceptin e qeverisë për ‘Mërgatën Qyqeve’. Ata janë aty për të duartrokitur fitoret e Atdheut mëmë. Për të shijuar drekat dhe darkat e paguara me djersën e shqiptarëve dhe për t’u kthyer andej nga erdhën me bythë plot! Nëse kjo është diaspora, më mirë mos qoftë! Por diaspora shqiptare ka ditur t’i japë përgjigjen e merituar pushtetit maskara që ka dashur të vërë dorë mbi misionin e shenjtë të diasporës dinjitoze shqiptare që nuk i shërben kurrë diktatorëve dhe diktaturave!

– Zoti Hushi, a cenohet Ikona e Shqipërisë në opinionin, në sytë e miqve tuaj, të të huajve, dashamirësve të Shqipërisë nga protestat e vazhdueshme të shqiptarëve në Shqipëri kundër keqqeverisjes?

– Jo! Përkundrazi mendoj se çdo komb i civilizuar e ka kryengritjen në themel të tij dhe lirisë së tij. Kombet e civilizuara s’kanë lejuar kurrë të nëpërkëmben dhe ndjenja e revoltës ka qenë ajo që i ka mbajtur demokracitë të pacenuara për të mos u shndërruar në diktaturë! Thëniet për gomat e djegura në Shqipëri i përkasin njerëzve pa vizion dhe shpirt të vdekur lirie. Shqipëria e lirë nuk mund të jetë ajo që bën sehir diktaturën dhe nuk mund t’i mbajë ison asnjë diktatori, sado orator apo dhe i egër të jetë!

– Faleminderit!