Shqipëria digjet, qeveria bën sehir/ Mijëra hektarë pyje po shkrumbohen , bashkitë po ngrohen. Presidenti Meta: Merrni masat të neutralizoni zjarrin

274
Sigal

Shqipëria në flakë, mijëra hektarë pyje shkrumbohen

 Qeveria bën sehir, ku i çojnë fondet e emergjencës bashkitë

Shqipëria prej ditësh është nën pushtetin e flakëve nga jugu në veri. Problematike situata shfaqet në malin e Koshnicës në Gramsh, si dhe në Rubik, ku aktualisht janë aktive dy vatra zjarri. Në grykën e Qafë-Thanës, po ashtu janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme pishash. Njëkohësisht, flakët kanë shkaktuar probleme edhe në zonën e Ujit të Ftohtë në Tepelenë, kodrat e fshatit Hormovë në Gjirokastër, si dhe në malin e Shëngjinit, në Velipojë, në pyllin e Semanit, në Karavasta.

Haki Çako: Shumica e zjarreve të qëllimshme

Pasi shumë hektarë tokë janë përfshirë nga flakët ditët e fundit në vend, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, shprehet se shumica e vatrave janë të qëllimshme. “Në gjithë Shqipërinë janë prekur nga zjarri 598 hektarë sipërfaqe. Ministria e Mbrojtjes dhe AKMC-ja janë në gatishmëri të plotë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me prefektët e stafet e bashkive. Disa bashki  janë angazhuar maksimalisht në përballimin e zjarreve. Disa bashki ende sot nuk po përdorin asetet e deklaruara për emergjencat. Ato janë të parat që duhet të përballojnë fatkeqësitë. Problemi është: Ku shkojnë fondet e emergjencës që përfitojnë bashkitë? Pse, tani në zjarret, nuk janë marrë asnjë masë paraprake parandalimi, apo të kenë plan, strategji, mjete për ndërhyrje? Ku shkojnë fondet e emergjencës që përfitojnë bashkitë?

Presidenti  Meta  u bën thirrje autoriteteve: Merrni masat për të neutralizuar çdo vatër zjarri

Presidenti i Republikës Ilir Meta,  ka reaguar në lidhje me situatën e ditëve të fundit të përhapjes së vatrave të zjarreve në disa qarqe të vendit. Presidenti Meta në reagimin e tij thekson se autoritetet qendrore dhe vendore duhet të koordinohen në kohë, për marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive të emergjencës, për të neutralizuar çdo vatër zjarri, që do të dëmtonte rëndë pasurinë publike, kombëtare dhe atë private. Ndër të tjera Presidenti Meta thekson rëndësinë që ka mbrojtja e mjedisit, duke tërhequr veçanërisht vëmendjen, për eliminimin e rrezikut për jetët e qytetarëve. Presidenca e Republikës:  “Presidenti Meta nxit autoritetet qendrore dhe vendore për koordinimin në kohë dhe marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive të emergjencës, për të neutralizuar çdo vatër zjarri, që do të dëmtonte rëndë pasurinë publike, kombëtare dhe atë private. Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës, Presidenti Meta,  tërheq veçanërisht vëmendjen për eliminimin e rrezikut për jetët e qytetarëve. Prej 2 ditësh Shqipëria është në flakë. Zjarret në vendin tonë vazhdojnë që të shkrumbojnë sipërfaqe të tëra me pemë. Disa vatra zjarri janë ende aktive në Gramsh, Pyllin e Semanit, dhe Rubik, ku nevojitet ndërhyrja e helikopterit.