‘Shqipëria dënon referendumet e rreme nga Rusia’/ Ministria e Jashtme: Shkelje e ligjit ndërkombëtar

407
Sigal

Ministra e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas vendimit të presidentit rus Vladimit Putin për të aneksuar katër rajonet ukrainase. Në postimin e ministrisë në Twitter, theksohet se ‘Shqipëria dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara’. Publikimi i plotë: “Shqipëria dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara. Çdo aneksim i territorit të një shteti nga një shtet tjetër, që vjen si pasojë e kërcënimeve ose nga përdorimi i forcës është shkelje e parimeve të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar”.

Presidenti Bajram Begaj: Është lajm i keq për paqen dhe rendin botëror

Presidenti rus Vladimir Putin organizoi një ceremoni në një nga sallat e Kremlinit për të shpallur sundimin e Rusisë mbi rreth 15% të Ukrainës, aneksimi më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Për këtë çështje ka reaguar dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka dënuar “shkeljen e përsëritur të integritetit territorial të Ukrainës nga ana e Rusisë”. “Sfida e hapur dhe flagrante e Rusisë ndaj ligjeve dhe komunitetit ndërkombëtar është lajm i keq për paqen dhe rendin botëror,” – u shpreh Begaj. Me referendumin që u zhvillua nga data 23-27 shtator në Ukrainë, rajonet e Khersonit, Zaporizhzhias dhe Donbasit mund të shkrihen përfundimisht me ‘Nënën Rusi’. Sipas Putin, ky tashmë është një realitet edhe pse Perëndimi refuzon të pranojë rezultatet e referendumit duke i quajtur ato të ‘rreme’ dhe ‘të imponuara me dhunë’ nga ushtria ruse.

Ilir Meta: PL dënon referendumet Ruse. Çdo aneksim, shkelje e ligjit ndërkombëtar

Kryetari i PL-së Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për aneksimin e katër rajoneve ukrainase. ‘Partia e Lirisë dënon me forcë referendumet e rreme, me rezultate të paracaktuara, të organizuara nga Rusia në Ukrainë’, shkruan Meta në Tëitter. Postimi i plotë: Partia e Lirisë dënon me forcë referendumet e rreme, me rezultate të paracaktuara, të organizuara nga Rusia në Ukrainë. Rajonet e Donetsk, Luhansk, Kherson, Zaporizhzhia janë territore të Ukrainës dhe çdo aneksim i tyre nga Rusia, është i papranueshëm, vjen në shkelje të ligjit ndërkombëtar, si dhe çdo parimi të sovranitetit dhe integritetit territorial.  

Sali Berisha: Aneksimi nga Rusia është një akt i rëndë, PD nuk do e njohë kurrë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se PD nuk do e njohë kurrë aktin rus të aneksimit të territoreve ukrainase. “Diktatori Vladimir Putin ka vendosur të shpallë sot aneksimin pas agresionit barbar të katër provincave të një vendi të pavarur, të Ukrainës. Ky përbën një akt jashtëzakonisht të rëndë. Përbën një dhunim, siç shprehet edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB, të Kartës së OKB-së. PD deklaron se nuk do të njohë kurrë këtë vendim të Rusisë, nesër në pushtet, dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të dëgjojë zërin e presidentit Zelensky, ta përjashtojë Rusinë nga Këshilli i Sigurimit. Shkelja që ky diktator i bën Kartës së OKB, e bën të domosdoshme largimin e menjëhershëm të tij nga Këshilli i Sigurimit.” –tha Berisha.