Shqipëria boshatiset, intelektualët bëjnë gati valixhet për kurbet

1438
Sigal

Shqipëria boshatiset. Të arsimuarit, bëjnë gati valixhet, duan të ikin në emigrim

Edhe punonjësit me rroga 1.000 euro kërkojnë emigrim, për një jetë më të mirë në Kurbet

Kushtet e punës, pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës janë disa nga faktorët që i shtyjnë njerëzit të migrojnë. Të dhënat tregojnë se në disa sektorë të ekonomisë dhe në disa profesione, si në shëndetësi, call center, rrobaqepësitë, këpucaritë, ndërtim, etj., njerëzit janë më të prirë të migrojnë.

Jeta e shqiptarëve në Shqipëri bëhet përditë edhe më e zymtë, sepse nuk kanë punë, nuk kanë as shpresë për një të nesërme më të mirë, shkollat në Shqipëri nuk u hapin asnjë perspektivë fëmijëve, studentëve,të diplomuarve për t’u punësuar gjëkundi.

52 % e grupmoshës 18 -40 vjeç duan të emigrojnë

Valët e emigrimit kryesisht të moshave të reja do të vijojnë me një intensitet të lartë edhe në periudhat në vijim teksa një sondazh për Potencialet e Emigrimit i mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert zbuloi këtë javë se mbi 52 % e popullsisë në grupmoshën 18 – 40 vjeç dëshiron të emigrojnë nga Shqipëria, me një rritje me 8 pikë përqindje në krahasim me 2007. Vala e ikjeve ka përfshirë qytetet me nivel më të lartë jetese. Gjysma e personave që marrin paga nga 1000-1400 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të ikin sërish. Rikthimi i flukseve të larta të emigrimit vitet e fundit është vetëm maja e ajsbergut të asaj që pritet të ndodhë. Rezultatet e frikshme të anketimeve të fundit, ku më shumë se gjysma e popullsisë së vendit dëshiron të largohet dhe tashmë ka nisur përgatitjet për këtë proces, ndoshta është përgjigjja më e saktë se Shqipërisë nuk po i shkojnë punët aspak mirë. Vala e fundit e emigrimit është më dramatike dhe po rrezikon ta çojë vendin drejt “shuarjes”, pasi eksodi ka përfshirë qytete të mëdha si Vlora, Tirana Durrësi dhe Elbasani, kurse ata që duan të ikin janë individë në punë me paga të larta dhe të mirë-arsimuar – fenomene që nuk ishin vërejtur në vrojtimin e vitit 2007. Përpos arsyeve ekonomike për të emigruar, mungesa e shpresës se situata në Shqipëri do të përmirësohet për mirë është një faktor që ka shënuar rritje krahasuar me 10 vite më parë. 50% e personave që marrin paga nga 1000-1470 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen sërish.

Nis zbrazja e Vlorës, Tiranës, Elbasanit…

Vlora, Elbasani, Tirana, Berati, Lezha, Fieri dhe Durrësi janë evidentuar si qarqet me potencialet më të larta të emigrimit. Dëshira për të ikur është e lartë për qytetarët e Vlorës, ku 66.7% e qytetarëve i kanë thënë po emigracionit, të ndjekur nga elbasanllinjtë, ku mbi 57% e tyre duan të emigrojnë dhe po në këtë masë, kanë dëshirë të ikin nga Shqipëria edhe qytetarët e Tiranës. Kryeqyteti, i cili ka të ardhurat për frymë mbi mesataren kombëtare dhe ofron mundësi më të larta jetese, renditet i treti në 12 qarqet e vendit për potenciale të larta të emigrimit. Duan të emigrojnë 56% e beratasve, 54.8% e lezhjanëve, 52.7% e fierakëve, 51.6% e durrsakëve dhe 50% e shkodranëve. Potencialet më të ulëta për emigrim në raport me mesataren kombëtare u vunë re në Qarkun e Dibrës me 21.7%, në Gjirokastër me 23.2%, në Korçë me 40.7% dhe në Kukës me 41.2%. Përqindja më e ulët e potencialeve për emigracion në këto qarqe reflekton zbrazjen e këtyre qyteteve nga migrimi i brendshëm dhe emigracioni i lartë që kanë pësuar në të shkuarën.

Planifikojnë të ikin në tre vitet në vijim

Të dhënat e anketës 2018 treguan se 17.2% e shqiptarëve të grupmoshës 18 deri në 40 vjeç ose 33.1% e atyre që shprehin dëshirën për emigrim mendojnë të ikin brenda vitit. Ndërsa 16.7% e shqiptarëve të kësaj grupmoshe, ose 32.1% e atyre që shprehin dëshirën për migrim, mendojnë të migrojnë brenda 3 viteve të ardhshme. Pjesa tjetër e emigrantëve potencialë shprehet se dëshiron të migrojë në harkun kohor të 10 viteve të ardhshme (16%) ose në më shumë se 10 vjet (0.7%).

Ikin të rinjtë

Dëshirojnë të emigrojnë të rinjtë dhe se dëshira për migrim ulet dukshëm në moshat pas të 40-ave. Ajo zbret në 43.7% për grupmoshën 18-50 vjeç, 35.9% në grupmoshën 18-60 vjeç dhe 30.3% deri në 70 vjeç. Shumë nga ata që mendojnë të migrojnë pas të 60-ave dëshirojnë bashkim familjar me fëmijët e tyre emigrantë, kryesisht në Greqi, Itali dhe në SHBA. Studimi tregon se dëshira për emigrim kulmon në segmentin 27 deri në 30 vjeç. Të dhënat e anketës tregojnë se mesatarja e migrimit potencial për këtë segment të popullsisë shqiptare arrin në 71.2%.

Meshkujt largohen më shumë

Historikisht kanë emigruar meshkujt, por në vitet e fundit, përqindja e femrave që kanë emigruar dhe dëshirojnë të ikin është rritur. Dëshira për të ikur mbetet më e lartë te meshkujt, me rreth 61.8%, ndërsa te femrat, 48.3%. Pak më shumë se gjysma (51.7%) e atyre që dëshirojnë të migrojnë janë të martuar dhe 47.6% janë beqarë. Dëshira për migrim është dukshëm më e lartë tek meshkujt e pamartuar, 64.6% se sa tek ata të martuar me rreth 35.4%.

 

Rritet emigracioni i të arsimuarve, 65% e studentëve duan të ikin

Ekziston një lidhje e fortë midis edukimit dhe dëshirës për migrim. Migrimi potencial është më i lartë për personat që kanë edukim profesional, terciar dhe sekondar. Ky fakt shpjegohet me mundësitë më të mëdha të punësimit të personave që zotërojnë aftësi në vende si Gjermania dhe në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian dhe SHBA. Një krahasim me anketën e vitit 2007 shihet një përmbysje e tendencës. Të dhënat e anketës të vitit 2007 tregonin se sa më i ulët ishte niveli arsimor, aq më e lartë ishte dëshira për migrim. Rreth 10 vite më parë, 75% e personave të pashkolluar dëshironin të emigronin, ndërsa aktualisht duan të emigrojnë vetëm 20%. Kjo shpjegohej me faktin se njerëzit e paarsimuar dhe të pakualifikuar ishin të papunë ose kishin vështirësi në gjetjen e një pune në Shqipëri dhe dëshironin të migronin (kryesisht në Itali dhe Greqi). Ndërsa ata që zotëronin një profesion, ose kishin një arsimin më të lartë, e kishin më të lehtë të integroheshin në tregun e punës në Shqipëri. Ndërsa në vitin 2018, personat me universitet dhe master nuk shohin perspektivë në Shqipëri, pasi 53% e tyre planifikojnë të ikin, në raport me 40% që kishin plane të tilla më 2017. Dëshira për t’u larguar është rritur edhe te të rinjtë me shkollë të mesme, pasi 53-57% e tyre duan të ikin, me një rritje 12-13% në krahasim me anketën e vitit 2007. Personat e kualifikuar gjithnjë e më shumë dëshirojnë të emigrojnë në Gjermani, Amerikën e Veriut dhe në vende të tjera shumë të zhvilluara të Evropës Perëndimore. Kurse personat me më pak edukim dëshirojnë të ikin më shumë në Greqi dhe pjesërisht në Itali, ku nëpërmjet rrjeteve sociale mund të gjejnë punë të pakualifikuara, qoftë edhe në sektorin informal. Dëshira për të migruar në Gjermani dhe në vende të tjera të zhvilluara të Evropës Perëndimore mund të shërbejë si nxitje për arsimim, kualifikim profesional dhe mësimin e gjuhës së huaj nga ana e emigrantëve potencialë. Numri i të rinjve që mësojnë dhe marrin dëshminë e gjuhës gjermane është rritur tre herë në vitin 2017, në krahasim me vitin 2013. Thuajse 85% e emigranteve potencialë dëshirojnë të marrin pjesë në një trajnim në Shqipëri për t’u përgatitur për të jetuar dhe për të punuar jashtë vendit. Emigrantët potencialë që dëshirojnë të marrin pjesë në këto kurse shprehin më shumë interes për mësimin e gjuhës së huaj (72.3%), trajnim profesional (39.1%), orientim kulturor (22.9%) dhe studime universitare (17%) .

Preferojnë të largohen më shumë personat me paga mbi 1000 euro

Një nga risitë e anketës ka qenë zbulimi se, personat që duan të largohen janë më së shumti ata me paga të larta. Pavarësisht se dëshira për migrim vërehet tek të gjitha grupet shoqërore, ajo nuk është më një karakteristikë vetëm e grupeve të varfra të shoqërisë shqiptare. Anketimi i vitit 2018 gjeti se rreth 55% personave që kishin pagë ndërmjet 1000-1400 eurove, donin të iknin. Gjithashtu, në këto përmasa, planifikojnë të ikin edhe personat me paga 470 deri në 950 euro në muaj. Nga ana tjetër, shihet se më pak se 50% e personave me paga nën 370 euro planifikojnë të ikin. Kjo tregon se punësimi në vetvete nuk e parandalon migrimin. Kushtet e punës, pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës janë disa nga faktorët që i shtyjnë njerëzit të migrojnë. Të dhënat tregojnë se në disa sektorë të ekonomisë dhe në disa profesione, si në shëndetësi, call center, rrobaqepësitë, këpucaritë, ndërtim, etj., njerëzit janë më të prirë të migrojnë.

 

Ekonomia dhe arsimi, shkaqet e emigrimit

Ekzistojnë shkaqe të ndryshme të migrimit potencial, ku mund të përmendim faktorët ekonomikë, arsimorë, familjarë e shëndetësorë. Vërehet një rritje e numrit të njerëzve që theksojnë faktorët arsimorë, mungesën e së ardhmes në Shqipëri dhe, në një masë më të vogël, përkujdesjen shëndetësore që kanë për perspektivën e tyre në vendlindje. Sidoqoftë, faktorët ekonomikë, ku bëjnë pjesë përmirësimi i standardeve të jetesës, papunësia, pagat e ulëta dhe kushtet e punës, skemat e sigurimeve sociale dhe borxhet, vazhdojnë të mbeten shtytësit kryesorë të emigrimit shqiptar. Këta faktorë përfaqësojnë 57% të shkaqeve të migrimit, ose më shumë se gjysmën e të gjithë faktorëve. Kjo tregon se migrimi shqiptar edhe në dekadën e tretë të tij, vazhdon të udhëhiqet nga faktorë ekonomikë. Krahas faktorëve ekonomikë, një grup më i vogël personash (19.4%) citojnë faktorë që lidhen kryesisht me mungesën e perspektivës ekonomike, sociale dhe politike në Shqipëri. Një grup tjetër faktorësh është edhe arsimimi (17.4%). Një pjesë e emigrantëve potencialë theksojnë se ‘dëshirojnë të arsimohen’ në vendin pritës (5.4%) ose të ‘financojnë arsimimin e fëmijëve’ të tyre (12%).

 Zhvendosja te Gjermania, kryeson listën

Gjermania është vendi i parë i preferuar i emigrantëve potencialë shqiptarë dhe rreth 22% e tyre dëshirojnë të migrojnë në këtë vend. Imazhi i krijuar për Gjermaninë nga azilkërkuesit shqiptarë, si një vend social (arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale) me mundësi të mëdha punësimi dhe të ardhura të larta, është transmetuar në masën e gjerë të njerëzve kur ata janë kthyer në Shqipëri. 520 studentë shqiptarë që studiojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe në Britaninë e Madhe pohuan se 16% e tyre dëshirojnë të migrojnë pas përfundimit të studimeve në Gjermani. Dhjetë vendet e para ku dëshirojnë të migrojnë shqiptarët janë Gjermania me 21.7%, SHBA me 16.4%, Italia me 15.7%, Greqia me 14.4%, Britania e Madhe me 11%, Franca me 3%, Kanadaja me 2.7%, Zvicra 2.3%, Suedia me 2.3% dhe Austria me 1.3%. Nga figura e mëposhtme shihet qartë se emigrimi potencial shqiptar, nga njëra anë, përqendrohet në vendet e Bashkimit Evropian (74.6%), dhe nga ana tjetër në Amerikën e Veriut (SHBA dhe Kanada – 19.1%). Tendencat e reja tregojnë se migrantët shqiptarë do të koncentrohen gjithnjë e më shumë në vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore. Impakti i flukseve të reja të migracionit shqiptar në ekonominë e vendit – nëpërmjet remitancave financiare e sociale, investimeve dhe kapitalit human në rast kthimi – do të jetë më i madh. Është interesante se Gjermania është vendi i parë i dëshiruar nga 23.7% e emigrantëve potencialë. Shumë nga migrantët potencialë që kanë zgjedhur si vend të parë të migrimit Greqinë ose Italinë, kanë si opsion të dytë Gjermaninë. Emigrantët potencialë janë pyetur edhe për disa nga faktorët që ndikojnë në përzgjedhjen e vendit të dëshiruar të migrimit. Përgjigjet tregojnë se përzgjedhja e këtyre vendeve përcaktohet kryesisht nga faktorë ekonomiko-socialë, si mundësia e punësimit dhe të ardhurat e larta (39.6%), mundësia për të kursyer para (12.5%), ekzistenca e rrjeteve sociale (10.6%), mundësitë e arsimimit (9.6%), bashkimi familjar (5.3%) dhe sistemi i sigurimeve sociale (4.2%). Nga përgjigjet vërehet se punësimi dhe të ardhurat, mundësia e arsimimit të fëmijëve, bashkimi familjar, prania e rrjeteve sociale dhe përvojat e mëparshme në atë vend janë faktorët kryesorë shtytës të migrimit potencial. Kështu faktorët kryesorë që i frymëzojnë njerëzit të emigrojnë janë material, humanë (edukimi) dhe kapitali social. /Blerina Hoxha