Shqipëri-Kosovë, sot mbahet mbledhja e tretë e përbashkët

447
Mbledhja e tretë e përbashkët e dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, do të mbahet sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, vend që tashmë i ka përfunduar përgatitjet për të pritur delegacionin shqiptar, teksa priten të nënshkruhen 7 marrëveshje në fusha të ndryshme mes tyre. Sipas axhendës së kësaj mbledhjeje, delegacioni shqiptar do të mbërrijë në pikën kufitare të Vërmicës në orën 10:00, ku do të pritet nga zëvendëskryeministri Kujtim Shala dhe Protokolli i Shtetit. Në orën 11:00, delegacioni shqiptar do të mbërrijë në Bibliotekën Kombëtare dhe brenda 5 minutave do bëhet radhitja e kabineteve qeveritare, sikurse edhe pritja e kryeministrave.
Në 11:10 do të zhvillohet pritja ceremoniale e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, për Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Në këtë kohë do të bëhet edhe intonimi i himneve kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës. Më pas kryeministrat Mustafa dhe Rama do të prezantojnë kabinetet. Në orën 11:20 është parashikuar të fillojë mbledhja e përbashkët e dy qeverive, gjatë së cilës do të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërmjet ministrive. Konferenca e përbashkët për mediat mes dy kryeministrave do të mbahet në orën 12:40.
Në orën 13:00 parashikohet dreka ndërmjet kabineteve, me pjesëmarrës kryeministrat, ministrat dhe delegacioni përkrahës prej 7 anëtarësh, ambasadorë, sekretarë dhe këshilltarë. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka thënë për “KosovaPress” se, energjetika dhe shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri do të jenë temat kryesore që do të diskutohen në mbledhjen e përbashkët ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Ai ka thënë gjithashtu se marrëveshja që Kosova të ketë akses në Portin e Durrësit është shumë më e lehtë për t’u realizuar.
Sigal