Shqetësimi i BE-së/ Elbasani është kthyer “Medelini” i Evropës. Shqipërisë i bllokohen negociatat për shkak të krimit

763
Sigal

BE është e shqetësuar, Elbasani është bërë “Medelini” i Europës

Portali që raporton vazhdimisht nga Brukseli, New Europe, sjell disa detaje se përse Shqipërisë nuk i hapet rruga për në BE. Shkrimi mban vulën e ‘Kasandrës’, insajderi legjendar që ka shkruar jo pak herë për Shqipërinë. Sipas shkrimit, Shqipëria po bllokohet nga BE-ja, për shkak të problemit me drogën. ‘Kasandra’ thekson se qyteti i Elbasanit është kthyer në ‘Medelinin’ e Evropës. “Shqipëria ka problemin e përhershëm të prodhimit të narkotikëve që nuk mund të kapërcehet, nëse Tirana nuk i jep Brukselit prova të padiskutueshme, se qyteti i Elbasanit nuk është më ‘Medelini’ i Evropës. Kjo është e vështirë, jashtëzakonisht e vështirë, por jo e pamundur. Megjithatë, nuk duhet të ketë dyshim se do të duhen vite… shumë vite”. “Sot BE i ka dhënë përparësi fillimit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dy vende që janë institucionalisht të dobëta në termat e parapërgatitjes për anëtarësim në BE, çka nënkupton se blloku nuk është gati të zgjerohet”. Kujtojmë se para disa vitesh, në Elbasan u kap një laborator i përpunimit të kokainës, në Xibrakë, për të cilin ende sot nuk janë gjetur organizatorët, edhe pse shumë pyetje janë ende pa përgjigje, sesi ka mundësi që ky laborator i përpunimit të kokainës ishte kaq pranë qendrës së banimit dhe nuk kishte rënë në sy. Elbasani nga ana tjetër është një nga qytetet ku krimi i organizuar është kthyer në një tmerr të vërtetë dhe disa herë janë zhvilluar edhe skema të një lufte të përgjakshme nga përplasjet verbale të bandave kriminale konkurrente me njëra – tjetrën.