Shpopullimi- mediat britanike/ Ambasadori Qirjako Qirko, “tallet” me eksodin e atyre që vijnë me gomone, tha s’duan vetë të vijnë me avion

78
Sigal

Mediat e mëdha britanike kanë ‘kryqëzuar’ ambasadorin shqiptar në Angli, Qirjako Qirko, i cili bëri një paraqitje skandaloze në seancën e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit britanik. Ambasadori ishte i ftuar për të diskutuar për eksodin masiv të shqiptarëve drejt Britanisë.“Ambasadori i Shqipërisë e shpalli shtetin ballkanik ‘të sigurt’- duke u tallur me numrin e madh të të ardhurve me gomone këtu duke kërkuar azil”,- shkruan gazeta e madhe britanike, ‘The Sun’. Kritikët kanë argumentuar prej kohësh se, larg të qenit viktima të skllavërisë moderne, shumë prej atyre që mbërrijnë në Britaninë e Madhe me varka të vogla, janë emigrantë ekonomikë. Një e treta e 33 mijë personave që kaluan Kanalin mes janarit dhe shtatorit ishin nga Shqipëria- një rritje e madhe në krahasim me 3% të regjistruar në vitin 2021. Qirko tha se do të mbështeste planet për kthimin e shpejtë të emigrantëve, duke deklaruar se vendi i Europës Lindore është i sigurt”- shkruan ‘The Sun’. Pikërisht kjo kokëfortësi nga ana e ambasadorit, solli një reagim të ashpër nga deputeti konservator, Tim Loughton. Ky i fundit e pyeti Qirkon nëse kryeministrit Edi Rama ia ndjente për të gjithë këtë. “Këta janë njerëz që mund të punojnë dhe paguajnë taksa në Shqipëri. A nuk shqetësoheni për largimin e personave të kualifikuar?” “Cila do të ishte përgjigjja e qeverisë shqiptare, sepse ky është çelësi nëse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do ta miratojë këtë projektligj apo jo”? Qirko tha se ai nuk shihte se një problem i tillë ekziston, ndërsa deklaroi se zgjidhja për emigrimin e paligjshëm është që shqiptarët të mund të emigrojnë në mënyrë të ligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, duke vënë në dukje se Britania e Madhe ka vende pune të paplotësuara dhe ka nevojë për emigrantë. Në seancë deputeti konservator Lee Anderson ka pyetur ambasadorin shqiptar në Britaninë e Madhe, Qirko pse shqiptarët nuk kursejnë para për të mbërritur me linja fluturimi në mënyrë të ligjshme, por zgjedhin rrugët klandestine për të hyrë në Britani. Sipas tij, ata duan të shmangin dorëzimin e të dhënave në shtetin britanik. Një tjetër pyetje lidhej me faktin se a duhet qeveria shqiptare të rimbursojë qeverinë britanike për paratë e taksapaguesve që përdoren për të strehuar shqiptarët në Britaninë e Madhe? Ambasadori Qirko tha se kjo nuk është çështje e qeverisë shqiptare.