Shpërndahet kësti i parë i dëmshpërblimit për 106 ish të përndjekur: “Gati ndryshimet në ligj, prioritet atyre që janë gjallë

500
Sigal

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj deklaroi sot se çështja e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë nuk duhet politizuar dhe se ndryshimet e fundit ligjore do të bëjnë të mundur që t’u jepet prioritet atyre që janë gjallë. Sipas ministrit Veliaj, ndryshimet në ligj do të publikohen brenda 20 majit dhe ish të përndjekurit që do të dëmshpërblehen të parët janë ata mbi 70 vjeç.

Këto deklarata u bënë gjatë ndarjes së këstit të parë të dëmshpërblimit për 106 ish të përndjekur të tjerë, të cilëve këtë javë u ka kaluar në llogaritë bankare pagesa për vitet e burgut të kryera në regjimin komunist. “Ne jemi shumë të ndjeshëm, jo vetëm që t’i bëjmë në kohë pagesat, por edhe të rikuperojmë ato pagesa që nuk janë kryer ndër vite. Me të drejtë, disa ish të përndjekur kërkojnë këstin e tretë, ndërkohë që grupe si ky që po marrin paratë sot nuk kanë marrë ende këstin e parë. Por, unë gjykoj se po bëjmë gjënë e duhur duke shpërndarë fillimisht këstin e parë për të gjithë, e më pas të vijojmë me këstet e dyta e të treta”, u shpreh ministri Veliaj.

Ai shtoi se dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politikë nuk është aspak çështje politike dhe theksoi se ky proces do të vazhdojë pa ndërprerje. Nesër Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të publikojë një listë të re me emrat e ish të dënuarve që përfitojnë këstin e parë. “Kanë 23 vjet që nuk kanë marrë asnjë qindarkë të gjakut, punës dhe jetës së tyre. Bëhet fjalë për një shoqëri që po i kthen borxhin disa njerëzve që kanë punuar pa pagesë, njerëz që janë torturuar e që kanë humbur njerëz”, tha z. Veliaj.

Nga ana tjetër, ministri Veliaj shtoi se në asnjë vit tjetër jo elektoral nuk janë dhënë më shumë fonde për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve se sa këtë vit. Sipas tij, edhe ato para që jepeshin nuk shpenzoheshin plotësisht dhe digjeshin pa u shpërndarë. “Ata që kanë marrë këstin e dytë dhe presin të tretin, duhet të na kuptojnë dhe të tregohen solidarë ndaj atyre që nuk kanë marrë asnjë lek”, shtoi ai.

Z. Veliaj ftoi të gjitha forcat politike që të mbështesin ndryshimet në ligjin për ish të përndjekurit politikë, si një mënyrë për të vënë pak drejtësi për këta njerëz që kanë vuajtur në burgjet e komunizmit. “Dua t’ju bëj thirrje të gjithëve që të votojmë amendimet e reja në ligj dhe të sigurohemi që të marrin këstet ata që janë ende gjallë, për t’i kaluar vitet e fundit të jetës me dinjitet”, nënvizoi ai.

Mes atyre që morën këstin e parë sot ishte edhe 92 vjeçari, Gjelosh Biku, i cili mori 6 milion e 150 mijë lek për vitet e burgut, si dhe ish drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj, dhe dy anëtarë të tjerë të kësaj familje, të cilët me këstin e parë u dëmshpërblyen gjithsej me 2 milion e 500 mijë lek.