Shoqëria civile, sot marshim drejt Kryeministrisë

580
Sigal
Organizatat e shoqërisë civile kanë thirrur për paraditen e sotme një marshim nga parku “Rinia” drejt selisë së qeverisë për të protestuar kundër “arrogancës, dhunës dhe koncesioneve”. Mbështetësit e shoqërisë civile kanë njoftuar se do të grumbullohen në orën 12:00 te Parku “Rinia” për të nisur marshimin drejt Kryeministrisë. 

Thirrja e shoqërisë civile
Të shtunën në orën 12.00 te Parku “Rinia” bashkohemi e marshojmë drejt Kryeministrisë.
Nuk je dakord me taksën në Rrugën e Kombit? Me dhunën policore? Me procedimet dhe arrestimet? Organizohuni dhe takohemi të shtunën në shesh.
Nuk je dakord me vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël? Organizohu, bashkohu me ata që kanë të njëjtin hall dhe bashkohemi në shesh.
Nuk je dakord me represion tatimor ndaj të vegjëlve? Eja të shtunën në shesh!
Je kundër zaptimit të Teatrit Kombëtar nga kullat e oligarkëve? Organizohu, njofto ata që mendojnë si ty dhe bashkohemi nesër në shesh.
Je kundër taksës rënduese të banesës? Të shtunën bashkohu në shesh.
Je kundër koncesioneve? Kundër ndërtimeve të hidrocentraleve që po thajnë lumenjtë? Organizohu dhe sa më shumë të shtunën në shesh.
Je kundër inceneratorëve që do djegin plehrat e Evropës? Kundër importit të plehrave? Njofto këdo që ndan të njëjtin hall dhe bashkohemi të shtunën në shesh.
Je punëtor i ARMO-s apo “by-pass”-it të Fierit dhe nuk të kanë dhënë lekët e punës? Të shtunën bashkohu me zemëratën kundër arrogancës.
Të përjashtuan padrejtësisht nga ndihma ekonomike? Të hoqën bukën? Merr gruan, fëmijët dhe bashkohuni të shtunën në shesh.
Je minator i keqpaguar? Je punëtor fason i keqtrajtuar? Je qytetar i pakënaqur me qeverisjen dhe shërbimet e saj? Të shtunën eja në shesh!
Të shtunën merr nga dora familjen dhe eja në shesh të tregojmë se jemi gjallë dhe NUK JEMI DAKORD!
Jo për partitë, por për veten tënde! 
Jo për kryetarët, por për qytetarët!
Kur ne bashkohemi, atyre u merret fryma!