Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë: Qeverisja e Ramës na izoloi, shpresë te fitorja e opozitës

607
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Maksim Rushi, kryetari kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë

Në vendin tonë ekzistojnë disa shoqata të aftësisë së kufizuar: shoqata me para dhe tetraplegjikëve, shoqata e të verbërve dhe shoqata e inalidëve të punës. Së fundi më 4 dhjetor  2012 me vendim nr. 3457 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u krijua edhe shoqata shqiptare e personave të paaftë, e cila shumë shpejt nisi shtrirjen e saj në të gjithë vendin. Kjo shoqatë u vjen në ndihmë personave me aftësi të kufizuar, të cilëve u është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimit fizik, shqisor, të intelektit, psikik/mendor, të lindur apo të fituar gjatë jetës nga aksidente, sëmundje, të përkohshme apo të përhershme, që nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin, e vërtetuar kjo nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), pra përfitojnë pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar. Por edhe pse është kështu kjo shoqatë që në fillesat e veta hasi në pengesa të shumta të qeverisjes Rama, të cilat do t’i rendisim më poshtë.

Madhësia e shoqatës tonë
Aktualisht Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë është e bllokuar totalisht,  madje nuk mund të kryejë dot asnjë veprim në Bankë. Pse ndodhi kështu? Ndoshta nga që numri i personave
me dëmtim fizik e pluridifekt, (të cilët nuk mbulohen nga skema e sigurimeve shoqërore, sepse ose kanë lindur të tillë, ose janë aksidentuar gjatë jetës), shkon në rreth 70.000 vetë, pra ka potencialin të jetë shoqata më e madhe e vendit, dhe ndoshta ai nuk e dëshiron  një shoqatë të tillë, kaq të madhe. E themi këtë sepse qeverisja Rama është sjellë krejt ndryshe me shoqatat e tjera të paaftësisë: me invalidët e punës, me para dhe tetraplegjikët apo edhe me të verbërit, ku numri i anëtarëve në këto shoqata është më i vogël. Megjithatë, pavarësisht nga arsyet që pati qeverisja Rama për të mos e trajtuar shoqatën tonë ashtu si shoqatat e tjera, sot një numër i madh i anëtarëve të shoqatës tonë, shohin si mundësi dalje nga kjo situatë vetëm fitoren e opozitës, pasi në të kundërt do të përjetojnë të njëjtët irritime si sot. Sipas qeverisjes Rama, shoqata jonë duhej të kishte depozituar në Bankë sigurimet shoqërore për administratorin, në një kohë kur shoqata jonë nuk ka asnjë aktivitet fitimprurës dhe nuk siguron të ardhura.

Nuk përfitojmë nga taksa e kontrollit të automjeteve
Trajtimi i anëtarëve të shoqatës në raport me shoqatat e tjera (të verbër, para dhe tetraplegjikë apo invalid pune) nuk është as i njëjtë as në varësi të pagesës që marrin, pasi qwndrimi qeveritar ndaj anëtarëve tanë është tejet mohues. Më konkretisht, nëse anëtarët e shoqatave të tjera të paaftësisë  përfitojnë nga përjashtimi i taksës së kontrollit të automjeteve, anëtarët e shoqatës tonë nuk përfitojnë asgjë, konsiderohen të barabartë si gjithë njerëzit e tjerë, që nuk kanë  mungesa aftësie. Mosbarazia bëhet edhe më e dukshme po të kihet parasysh fakti  që disa prej kategorive të aftësisë së kufizuar, përfitojnë edhe nga sistemi i sigurimeve shoqërore edhe nga sistemi i mbrojtjes sociale, kurse anëtarët e shoqatës tonë trajtohen si të njerkës.

 

 

Nuk përfitojnë nga taksa e aparatit të televizorit
Gjithashtu, anëtarët e shoqatës tonë nuk përjashtohen as nga pagesa e taksës së aparatit të televizorit. Kemi kërkuar të dimë pse ndodh kështu, por asnjëherë nuk kemi patur sqarimin e duhur, në një kohë kur shpjegimin e sjell krejt qartë neni 3 i ligjit nr. 93/2014, pika 9 ku thuhet: “Persona me aftësi të kufizuara; janë individët që kanë dëmtime afatgjata fizike, mendore, intelektuale ose ndijore, dëmtime të cilat, në bashkëveprim me pengesat e ndryshme, përfshirë ato mjedisore dhe të qëndrimit, mund të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efikase të këtyre personave në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët”. Pra ashtu si gjithë personat e tjerë me aftësi të kufizuar janë edhe anëtarët e shoqatës sonë, të  pajisur me vërtetim KMCAP. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, për ta bërë diskriminimin më të plotë dhe më evident ndaj shoqatës tonë, gjithë shoqatave të tjera për festimin e Vitit të Ri u dha nga 5000 lekë, kurse shoqatës tonë asnjë qindarkë!

Qeveria Rama, nuk njeh as librezën e shoqatës
Përveç sa më sipër, qeveria Rama nuk njeh as  librezën e shoqatës tonë, edhe pse për krijimin e shoqatës ka një vendim gjyqi dhe  gjithçka është kryer konform ligjeve shqiptare. Edhe në këtë rast, kjo lloj qeverisjeje njeh shoqatat e tjera: të të verbërve, para dhe tertraplegjikëve apo të invalidëve të punës, por nuk njeh librezën e shoqatës tonë. Pse ndodh kështu një Zot e di. Madje qeveria nuk mbajti fjalën e vet, as kur drejtoria e përgjithshme e politikave sociale në Ministrinë e Shëndetësisë, Merita Xhafaj në letrën e saj dt. 20.06. 2018, nr. 3319, prot. deklaroi: “Pajisja me librezë e të gjitha grupeve të aftësisë së kufizuar do të realizohet me qëllim vënien në kushte të barabarta të të gjitha grupeve të aftësisë së kufizuar dhe shmangien e abuzivitetit”, por edhe kjo nuk ndodhi, veçuan vetëm shoqatën tonë. Gjithashtu, qeveria në fjalë nuk u njeh as kontributet e sigurimeve shoqërore ndihmësave të personave me aftësi të kufizuara të grupit të parë. Më shumë se kaq ndoshta qeveria nuk kishte çfarë të bënte me një shoqatë të madhe si e jona, e cila sigurisht që do të funksinojë pa ndërprerje.

 

 

.