Shkëputja e deputetit nga realiteti dhe votuesi

319

Gjithëkush nga ne e di, e ka provuar dhe konstatuar në praktikë, fenomenin e zakonshëm, tashmë të shkëputjes së deputetit nga realiteti, dhe lidhja e tij me votuesit, sapo ai ka marrë mandatin nga KQZ. Askush nuk është në gjendje ta thotë saktësisht se përse ndodh  kjo gjë, pavarësisht opinioneve që qarkullojnë në gjirin e militantëve, dhe ithtarëve të partive në bazë. Po t’i kthehemi viteve pas, dhe të kujtojmë fillimin e tranzicionit politik në Shqipëri, do të konstatojmë se, lidhja e deputetit asokohe me votuesin ishte më e ngushtë, më e ngrohtë, më pa hile. Deputetët e parë të viteve të para të tranzicionit politik, ishin më të predispozuar dhe në shumë  raste, ata dukeshin sikur tejkalonin mundësitë e tyre për të përmbushur premtimet, apo edhe kërkesat e elektoratit të zonës nga ishin votuar. Ndoshta ishte fillimi, dhe nuk e kishin mësuar  ende Makiavelin? Deputeti asokohe mbante lidhje me votuesin, merrte përsipër të zgjidhte  çështje që kishin të bënin me pushtetin lokal apo institucionet e shtetit. Shpesh ai dilte edhe  jashtë mundësive dhe hapësirave që i jepte ligji. Dukej sikur gjithçka kishte nisur mirë, pasi  deputeti e kishte të qartë se nga predispozicioni që ai tregonte me votuesin e tij, varej mandati i ri në zgjedhjet e ardhshme. Kishte raste kur deputetë të ndryshëm, falë mbështetjes dhe simpatisë së votuesve, arrinin deri aty sa t’i imponoheshin strukturave drejtuese të partisë, si në rastin e PD-së, dhe më shpesh ka ndodhur kjo tek PS. Nuk kanë munguar edhe rastet kur ata nuk e gjenin këtë mbështetje në kryesi dhe forume, dhe në zgjedhjet e reja garonin të pavarur. Duke krijuar një raport të tillë deputet-votues, shpjegimin e gjen tek ndërtimi sistemit zgjedhor, kultura dhe egoja e deputetit. Por vitet kaluan, dhe aktualisht sot ne jemi në kushte të tjera, përsa i përket  edhe sistemit zgjedhor, edhe nivelit të kulturës politike, që kanë ndikuar ndjeshëm në sjelljen edhe të deputetëve. Sistemi proporcional ka përcaktuar një raport të ndryshëm mes deputetit dhe votuesit. Sot votuesi, në qoftë se kërkon të zgjidhë ndonjë problem nuk di kujt t’i drejtohet, pasi nuk e njeh deputetin e zonës, nuk e kap atë as në telefon, as fizikisht. Gjithashtu edhe deputeti  në rast se pretendon  të sigurojë mbështetjen për rikandidim, nuk ka shanse të identifikojë  votuesin e tij, shkëputja është e gjatë. Raportet personale kanë marrë të tjera përmasa dhe po njohin të tjera realitete. Deputeti e njeh komunitetin në tërësi, por jo votuesin në veçanti, njeh territorin ku shtrihet njësia zgjedhore. Njeh deri diku problemet kryesore të zonës, por jo ato të votuesve të veçantë. Njeh komunitetin, por jo votuesin që e ka takuar në fushatë. Të gjithë ne kemi votuar për listën e deputetëve, por nuk është e sigurtë nëse vota jonë shkon tek kandidati  ynë i preferuar. Në fushatën elektorale, ne kemi patur një kandidat, të cilit kemi vendosur t’i japim votën, por nuk e dimë me siguri nëse vota  jonë nuk ka shkuar kot. Bazuar mbi Kodin Zgjedhor aktual, deputeti nuk ka mundësi të dijë peshën e tij elektorale dhe sigurinë për të rikandiduar ose jo në zgjedhjet e ardhshme. Por edhe votuesit nuk mund ta dinë sa mbështetje  gëzon kandidati i tyre. E gjithë kjo pasiguri, krijon ashtu siç ka krijuar gjithmonë koniunktura që  kompensojnë karrierën politike të kandidatit. Pra rruga për të siguruar mandatin e deputetit nuk kalon më nga vota e lirë por nga selia e partisë. Ndaj dhe kandidati për deputet, nuk lodhet shumë sot të krijojë raporte individuale me votuesin për të njohur hallet e problemet e tij, por i intereson vetëm afrimi personal me liderin e partisë. Deputeti sot është servil i liderit të partisë, me qëllim sigurimin e një vendi  në listën e kandidatëve, pasi fitorja e tij nuk varet më nga  pozitiviteti elektoratit, por nga pozitiviteti i liderit. Është ky i fundit që përcakton fatin e karrierës së tij politike dhe jo votuesi. Kuptohet se kjo klimë ka dekurajuar zërat ndryshe brenda partisë, të cilët për të siguruar një vend të mirë në listë binden verbërisht ndaj liderit. Është fakt se drejtimi  i partisë, duke patur parasysh edhe mundësitë që ka sot sistemi zgjedhor, ka krijuar terrenin e duhur tek lideri për t’u imponuar strukturave dhe forumeve t’i  binden dhe të mos diskutojnë asnjë ide ndryshe. Ky lloj konformizmi po shfaqet edhe tek partitë e vogla, duke e kthyer në normë partie, besnikërinë në detyrim, servilizmin dhe hipokrizinë  në normalitet. Deputeti  sot është shkëputur nga realiteti, nga votuesi, duke mos krijuar asnjëherë individualitetin e tij politik. Reminishenca të sistemit të kaluar, janë bërë pjesë e partive politike ndonëse në forma të ndryshme, ku autoritarizmi shfaqet me taktika të reja politike nëpërmjet përqendrimit të drejtimit  të lidershipit, i cili cenon edhe lirinë individuale.