Shkarkimi i Konit, PD akuza Ramës: Atë që nuk e bëri dot me Shullazin po e bën me …

474
Sigal

Partia Demokratike ka reaguar përmes ish-deputetit Luçiano Boçi lidhur me pezullimin nga detyra e Rektorit të Mynyr Konit dhe komandimin në këtë funksion të zv.rektorit.

Vendimi është marrë nga Besa Shahini, ministre e Arsimit, e cila i ka kërkuar Presidentit Ilir Meta shkarkimin e Konit nga pozicioni i Rektorit të Universitetit të Tiranës.

Boçi, në një komunikim me mediat nga selia e PD-së, tha se vendimi i Shahinit është anti-ligjor, qoftë për pezullimin e Konit ashtu për emërimin në këtë funksion të zv. Rektorit.

Boçi akuzoi kryeministrin se atë që nuk e bëri dot me Shullazin, kur ky i fundit kërcënoi Konin, po e bën tashmë.

“Ministrja e Arsimit i vuri minat autonomisë universitare. E zëvendësuan rektorin me militant. Shumë kolegë thonë se Rama do të bëjë sot, atë që nuk mundi dot ta bënte me Shullazin. Jo vetëm vendimi që është anti-kushtetues, por edhe vendimi për emërimin e rektorit të ri, është në kundërshtim me ligjin.

Vendimi për të emëruar, pa ardhur vendimi i presidentit, është në shkelje të ligjit. Në asnjë nga nenet e ligjit nuk thuhet se ministri ka të drejtë të komandojë rektorin e ri. Rama mund të vjedhë prona dhe tendera, por s’ja mbyll dot gojën universitetit”, tha Boçi.

Profesori Mynyr Koni e ka cilësuar vendimin e Shahinit si një ndërhyrje në shkelje të ligjit. Përplasjet mes Konit dhe Qeverisë Rama kanë nisur që në momentin e garës për zgjedhjen e Rektorit dhe kanë vijuar më pas deri në ditën e pezullimit nga detyra.