Shezai Rrokaj: Matura shtetërore duhet thjeshtuar

463
Sigal

Nga Shezai Rrokaj

Përcaktimi i 5 provimeve, tre të detyrueshëm dhe 2 me të zgjedhur, u bë sipas ligjit të mëparshëm të arsimit të lartë. Asokohe, pesha specifike e secilit provim ishte e barabartë me mesataren e katër viteve të shkollës së mesme. Për këtë arsye, trysnia për të marrë nota të larta ishte shumë e madhe, gjë që e deformoi sistemin e pranimit. U rrit presioni për kopjime, nxjerrje e blerje tezash apo ndërhyrje korruptive të drejtpërdrejtë në sistemin e pikëzimit. Mirëpo ligji i ri, për fat të mirë, ua hoqi këtë fuqi çudibërëse 5 provimeve dhe tani, në mënyrë krejt logjike, nga institucionet e arsimit të lartë u jepet pesha kryesore për pranimet mesatares së tre viteve dhe gruplëndëve apo konkurimit për disa profile, si artet, arkitektura etj. Megjithatë, përsëri kalvari e stresi i pranimeve në universitete nuk ka të sosur. Sistemi i pranimeve fillon diku nga shkurti dhe përfundon në nëntor. Vijon të angazhohet masivisht policia e shtetit dhe rreth 2500 staf pedagogjik, të cilët kthehen nga mësues në roje. Dhe përse? Për 5 provime, të cilët janë përmbyllës të shkollës së mesme, dhe qē e kanë humbur peshën për pranimin në universitete. Ndaj vetëm 2 provime përmbyllëse për maturën si kudo në Evropë, janë të mjaftueshme: gjuhë-letërsi dhe matematikë. Në këtë mënyrë brenda 15 Korrikut sistemi i maturës dhe ai i pranimit pëmbyllen dhe çdo maturant ka fituar degën e kërkuar. Nga ana tjetër, duke humbur peshēn në sistemin e pikëzimit, lëndët e mësipërme nuk krijojnë trysni për kopjime, nxjerrje teze apo ndërhyrje korruptive në sistem.