Sherri për xhaminë e re, ende pa filluar punimet

507
Sigal

Rama: Ta gëzoni Xhaminë! Komuniteti Mysliman: Faleminderit! Pronarët:Është haram, toka është e grabitur!

Ende pa u hedh guri i parë i themelit për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë, pa u tharë boja në letrën e firmosur nga Edi Rama dje në një ceremoni përkatëse, ka nisur sherri mes pronarëve nga njëra anë dhe Komunitetit Mysliman e qeverisë nga ana tjetër. Duke u dorëzuar vendimin për fillimin e punimeve Rama u tha besimtarëve “Ta gëzoni”, ndërsa nga ana tjetër, pronarët kanë reaguar:’ Toka është haram për Komunitetin, është pronë e grabitur’. Ndërsa Majlinda Bregu e ka quajtur  Edi Ramën ‘Hipokrit që i mashtroi për 11 vite besimtarët për ndërtimin e xhamisë’.

CEREMONIA

Në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, është zhvilluar dje paradite ceremonia e dhënies së lejes së ndërtimit, e cila i hap rrugën fillimit të punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në kryeqytet. Ceremonia mblodhi kryeministrin Edi Rama, përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare, ministrin e Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, kryetarin e Komitetit Shtetëror për Kultet Ilir Hoxholli, myftinj e imamë, besimtarë e qytetarë të kryeqytetit dhe të rretheve, që kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë ditë të veçantë. Në fjalën e tij kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, theksoi se sot, pas shumë vitesh pritjeje, me vullnetin e Zotit të Madhëruar, pastaj me dëshirën e të gjithë faktorëve, arritëm që t’i japim fund pritjes dhjetëra vjeçare të besimtarëve të kryeqytetit, por jo vetëm. “Me vullnetin e Zotit të Madhëruar, me lutjet e dhjetëra-mijëra besimtarëve të Tiranës, e të mbarë shqiptarëve, si dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare, arritëm që t’i japim fund pritjes shumëvjeçare të besimtarëve, duke kurorëzuar të gjitha hallkat për ndërtimin e Kompleksit Namazgja, duke shpresuar që t’i përçojë brezave me radhë besim, dashuri dhe dije”, u shpreh z. Bruçaj.

KRYEMINISTI RAMA

Kryeministri Rama e cilësoi këtë datë historike jo vetëm për myslimanët, por për të gjithë shqiptarët, teksa u shpreh: “Sot përfundon më në fund dhe përgjithmonë historia e tej zgjatur e pengimit politik ndaj besimtarëve myslimanë për të pasur xhaminë e tyre të madhe krahas besimtarëve katolikë dhe atyre ortodoksë”.

Duke përshëndetur durimin e treguar nga KMSH, z. Rama tha: “Ju keni përcjellë melhem atje ku ka pasur një plagë të hapur për kaq vite me radhë.” Sipas z. Rama, kjo ditë mbart një simbolikë të veçantë për myslimanët dhe për vetë kryeqytetin, pasi me ndërtimin e kësaj xhamie plotësohet mozaiku i objekteve të kultit në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve. Në përmbyllje të ceremonisë, Kryeministri Rama i dorëzoi kryetarit Bruçaj lejen e plotë të ndërtimit të kompleksit Namazgja.

PROJEKTI

 Xhamia e re që do të ngrihet në sheshin e Namazgjasë është projektuar nga studio “Hassa” e arkitektit turk Muharrem Hilmi Shenalp, i cili ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio, Berlin, Këln, etj. Xhamia do të jetë një objekt me kapacitet faljeje për 5.000 besimtarë njëherësh. Objekti i kultit do të jetë mjaft kompleks duke përfshirën jë qendër kulturore, ambiente shërbimi, zyra, salla konferencash, si dhe Muzeun e parë Islam në Ballkan, etj, me një arkitekturë funksionale që i përgjigjet kritereve dhe kërkesave të kohës dhe i hapur për të gjithë qytetarët

Xhamia, Pronarët: Toka është haram për Komunitetin, është pronë e grabitur

 TIRANË: – Pronarët e tokës kanë reaguar dje pas ceremonisë në Komunitetin Mysliman shqiptar ku kryeministri Edi Rama dorëzoi vendimin më të fundit të qeverisë për të ngritur Xhaminë dhe Muzeun e Bashkëjetesës. “Publikisht dhe nga pozitat e përfaqësuesit ligjor të familjes Kruja, i bëj me dije, KMSH, myftiut të Tiranës, imamëve dhe besimtarëve të kryeqytetit, se toka kufitare me Namazgjanë është haram për KMSH. Për ne si pronarë ajo është një pronë e grabitur. Ftoj teologët që do të marrin pjesë në ceremoni t’i shpjegojnë kreut të KMSH dhe Edi Ramës pse mbi atë truall nuk të ndërtohet një Shtëpi e Zotit, pa u marre pëlqimi i pronarëve kufitare”, – shkruan Alban Bala, përfaqësues i pronarëve të tokës. Sipas tij, “për vendimin e saj grabitqar, qeveria do të ballafaqohet me ne në Gjykatë. Ne kërkojmë zbatimin e precedentit ligjor të vendosur nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, standard i detyrueshëm ligjor për Shqipërinë. Ky standard njeh shpronësimin për interes publik vetëm me çmimin e tregut. Individualisht të gjithë ata që janë përfshirë në këtë grabitje, apo do të bëhen pjesë e këtij tjetërsimi prone, do të kenë punë vetëm me Zotin dhe me amanetin që i kemi lënë atij. Pas këtij çasti nuk mbajmë asnjë përgjegjësi për çdo pasojë që do të kenë ata apo të afërmit e tyre prej kësaj! Zoti i bëftë shembull për ata që mendojnë, në këtë botë dhe në tjetrën, në mënyrën më të mirë!”

  Bregu: Rama hipokrit e bllokoi për 11 vite

 TIRANE- Deputetja e PD-së Majlinda Bregu ka akuzuar sot Edi Ramën për bllokimin e ndërtimit të Xhamisë së Madhe, e cila sipas saj nuk mund të ndërtohet në një truall që është me probleme pronësie. Bregu tha se Rama bëri hipokritin pasi e bllokoi dy herë projektin edhe kur ishte krye bashkiak i Tiranës por edhe si kryeministër. “’E mos e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën dhe me vetëdije të fshihni realitetin’. Është me vend kjo porosi nga Kurani i shenjtë, për këdo harron të vërtetën e ndërtimit të xhamisë së Tiranës. Nëse ka një përgjegjës sot për vonesën e ndërtimit të Xhamisë së Madhe, ai është Edi Rama. Për 11 vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai u bë pengesë dhe bllokoi mundësitë për ngritjen e këtij objekti kulti, kaq të nevojshëm për besimtarët myslimanë”,-pohoi Bregu