Sherr në Kuvend. Topalli: Qytetarët nuk ndihen më të sigurt. Rama: Po deformoni dhe fabrikoni shifrat e kriminalitetit

284

Opozita braktis kuvendin, Maxhoranca miraton projektligjet

 Me gjithë bojkotimin e seancës nga deputetët e opozitës, maxhoranca e Majtë miratoi dje në Kuvend me 84 votat dy projektligje, projektligjin “për amnistinë” dhe “ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale”. Amnistia e miratuar dje nga Parlamenti shqiptar, synon përjashtimin nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit e të gjithë personave që plotësojnë kriteret sipas dispozitave të këtij ligji. Gjatë seancës, deputetët e opozitës akuzuan maxhorancën, për mos zhvillimin e Parlamentit të enjten e kaluar, ku duhej të ishte miratuar procesverbali i seancës plenare të datës 27 shkurt 2014 dhe sipas tyre, duhet të mblidhej përpara Konferenca e Kryetarëve dhe të merrte një vendim.

Pas debateve opozita u largua nga Kuvendi duke u shprehur se, nuk po zbatohet Rregullorja e Kuvendit, Kushtetuta, ligji.

Qeveria ka dështuar në vendosjen e ligjit

Punimet e Kuvendit vijuan me interpelancën e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me sigurinë dhe rendin në vend, të thirrur nga deputetja e PD-së, Jozefina Topalli. Sipas saj, kjo interpelancë vjen në një kohë kur, në vend janë rritur rastet e shpërthimit me tritol, ndërsa akuzoi qeverinë se, ka dështuar për të vendosur ligjin dhe sigurinë në vend. Topalli deklaroi se, qytetarët nuk ndihen më të sigurt, ndërsa bëri një bilanc të krimeve të ndodhura kohëve të fundit. Në vijim ajo tha se, vetëm një herë në parlament, Kryeministri ka folur për rendin, ndërsa shtoi se, bilanci i krimeve është tragjik. “A mund ta matësh me përqindje suksesin për vrasjet, po kur fëmija vritet në shkollë, a mendoni për nënën e fëmijës? A mund të thoni në këtë pasiguri se nuk keni asnjë dështim, në një kohë kur shoqëria është e kërcënuar nga revanshi i drogës, krimit dhe mafies. A nuk ishit ju z.Kryeministër që sollët modelin e tritolit, kur kryenit shpërthime me C4?”,-tha Topalli. Po ashtu, ajo theksoi se, Kryeministri mund të mohojë çdo gjë, por e vërteta është aty. “Vetëm sot tritol, dje dy herë tritol, dje dy të vrarë, unë ju pres t’iu dëgjoj”,-mbylli fjalën e saj Topalli.

Po shtrëmbërohen faktet

Kryeministri Edi Rama në interpelancën e kërkuar nga z.Jozefina Topalli, akuzoi opozitën se, po luan në mënyrë makabre me shifrat e kriminalitetit, duke shtrembëruar fakte e fabrikuara. Duke krahasuar periudhën e mes shtatorit 2013 – fund shkurtit 2014, me të njëjtën periudhë të një viti më parë, bazuar në shifrat zyrtare, Rama tha se: “Kemi ulur me një të tretën numrin e vrasjeve dhe të viktimave. Opozita sot nuk ka moral të gjykojë punën e kësaj qeverie, kur u largua nga qeveria duke lënë këtë vend në mëshirën e pasigurisë totale, policinë e shtetit me moshën më të vjetër të mesatares në rajon dhe Europë, të rrënuar, të demotivuar, të tkurrur në numrin më të ulët për frymë popullsie në rajon dhe Europë”. Sipas tij, policia nën drejtimin e qeverisë së kaluar, ishte me nivelin më të ulët të arsimimit në rajon e më gjerë. “E latë policinë me mbi 70% të trupës me arsim të mesëm, shifër marramendëse që nuk gjendet as e përafërt në rajon dhe Europë. Policia e Shtetit për ju ishte shumë më tepër një mundësi për asistencë sociale për të papunët e pashkolluar, se sa forca e shtetit në mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike”,-iu drejtua Rama opozitës në sallën e Kuvendit. Kryeministri tha se: “sulmi i opozitës ndaj policisë së shtetit, nëpërmjet dezinformimit, është një sipërmarrje për prishjen e imazhit të policisë dhe qeverisë shqiptare në Europë dhe botë. “Nuk jemi as të përsosur dhe as të pagabueshëm, por të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm para njerëzve të këtij vendi”, theksoi Rama, ndërsa premtoi se: “Pas 6 muajsh të tjera fakte dhe shifra në rend dhe ekonomi do të flasin shumë më fort dhe pse e latë vendin në kushte të vështira”. Akuzës së opozitës për shkarkime dhe emërime të kundraligjshme në radhët e policisë, kreu i Qeverisë iu përgjigj me gjuhën e shifrave.