Shejtanët ikën nga djepi, iu bashkuan Kryeministrit

706
Sigal

Pas deklaratave të Presidentit të Republikës Ilir Meta, se Reforma në Drejtësi nuk është e suksesshme, deri sa nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe EURALIUS vepron me porosi politike, flasin ish-ministrat e Drejtësisë: Prof. Shefqet Muçi, Eduart Halimi dhe Ylli Manjani: Paralajmërimi i Venecias dhe dryni mbi Gjykatën e Lartë. Ish-kreu socialist i Komisionit të Ligjeve Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Kryeministri po zëvendëson Kushtetutën

Presidenti Meta: Kemi krizë institucionale. EURALIUS në Shqipëri vepron me porosi politike

 Reforma në Drejtësi nuk është e suksesshme, derisa nuk kemi Gjykatë Kushtetuese

Jakup B. GJOÇA

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në konferencën e organizuar nga Shoqata George C. Marshall Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën George C. Marshall për Studime të Sigurisë në Garmish, Albanian Policy Center & Ambasadën Amerikane në Tiranë me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”.

Presidenti Meta, në fjalën e vet, ndër të tjera theksoi se “Në Ballkan çdo komb është diku shumicë dhe diku pakicë. E vetmja zgjidhje është bashkëjetesa dhe respektimi i standardeve evropiane për pakicat. Ne e dimë shumë mirë se çfarë ka ndodhur në Ballkan. Qindra mijëra njerëz u vranë dhe asnjë centimetër kufi nuk u ndryshua. Nuk ka komb në Ballkan që ka përfituar më shumë se shqiptarët që nga rënia e ‘perdes së hekurt’, sepse nuk ka pasur një komb në Ballkan, që ka qenë më i shtypur se shqiptarët përpara ’90, si në Shqipëri edhe në ish-Jugosllavi.” Ndërkohë Presidenti Meta analizoi edhe mungesën e rendit kushtetues në Shqipëri, ndërsa, paralelisht në një sallë më larg, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka përjashtuar nga Gjyqësori anëtarin e Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj. Nuk mund të vlerësojmë vendimin e marrë, as pozitivisht, as negativisht, por problemi është se Gjykata e Lartë mbetet pa anëtarë, pasi një anëtar është tashmë në KLGJ, ndërsa anëtari i dytë i mbetur është akoma në ankimim të vettingut.

Presidenti Ilir Meta:Reforma në drejtësi ka krijuar krizë institucionale

“Unë jam e bindur se Shqipëria tashmë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur. Për shembull, reforma e drejtësisë, e cila dallon edhe në krahasim me progresin e bërë në këtë fushë në vendet fqinje,” deklaroi ambasadorja gjermane Sussane Schutz. Ndryshe nga ndërkombëtarët presidenti i Republikës Ilir Meta mendon që reforma në drejtësi nuk është e suksesshme, por përkundrazi ka shkaktuar krizë institucionale.

Presidenti Ilir Meta: Kemi krizë serioze në Shqipëri

Kemi krizë serioze në Shqipëri, të cilës nuk mund t’i shmangemi. Pasi vendi pësoi 97-n, për fat të keq, u bë një Kushtetutë e jashtëzakonshme, me ndihmën e ekspertëve më të mirë të Komisionit të Venecias edhe me kontributin e shumë personaliteteve në këtë vend, sepse u nxor mësim nga viti ’97. U bë një Kushtetutë për të parandaluar një ’97, pra për të menaxhuar kriza, të cilat mund të dalin jashtë kontrollit dhe një rrëshqitje të demokracisë drejt humnerës dhe anarkisë. Në 2008 për dy ditë një Kushtetute të bërë me aq sakrifica ia hoqëm të gjitha vidat, kontroll, balancë, llogaridhënie dhe kaluam nga një sistem parlamentar, kemi kaluar në një sistem të mbyllur partiak. Kjo është e vërteta, pse ne sot kemi këtë situatë, ku parlamenti nuk është funksional, sepse dy partitë e opozitës në mënyrë të papranueshme kanë lënë mandatet e tyre, por ka qenë jo funksional edhe kur kanë qenë ata, që të jemi të qartë. Ne flasim për sukseset e reformës në drejtësi. Po bën 3 vite nga miratimi me konsensus i reformës në drejtësi dhe mund t’ju them që po të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese. Kur është bërë reforma kam qenë kryetar Kuvendit, kam thënë prit: Vettingu po, patjetër, por do të kemi kujdes, sepse mund të kërcënohet funksionimi i Gjykatës Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presione, bëhet me standarde. Nëse reforma bëhet me emra atëherë nuk ka një reformë të qëndrueshme, por ka forma të reja për kapjen e institucioneve.

EKSPERTET E VENECIAS DALIN NGA TAKIMI ME XHAFEN – Raportuesit e Komisionit te Venecias, duke dale nga nje takim me Kryetarin e Komisionit te Ligjeve, Fatmir Xhafa ne Kryesine e Kuvendit, ku kane dhene konkluzionet e tyre per draftin e Reformes ne Drejtesi./r/n/r/nVENICE RAPPORTEURS LEAVE AFTER THE MEETING WITH XHAFA – Rapporteurs of the Venice Commission leave after a meeting with the chairman of the Laws Committee Fatmir Xhafa.

Gjykata Kushtetuese dhe EURALIUS politik

Vijmë tek rasti i Gjykatës Kushtetuese. Dy herë janë hedhur shortet e KED-së, që është institucioni kryesor që ka të bëjë edhe me zgjedhjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të Inspektorit të Përgjithshëm. Kam bërë përpjekjet më të mëdha që gjithçka të bëhet në përputhje me Kushtetutën. Herën e dytë, si president duke ditur dështimin e herës së parë që u humb një vit kohë dhe askush nuk mbante përgjegjësi, sepse njëra palë thoshte me ka dezinformuar ky, tjetri thoshte ky, papërgjegjshmëri totale përfshi edhe partnerin ndërkombëtar. Kam kërkuar me shkrim angazhimin e delegacionit të BE dhe Euralius, që është një mision që paguhet me taksapaguesit evropian për të garantuar zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri sipas standardeve evropiane dhe në respekt me Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë. Kam folur hapur si presidentit. Më takon si president me Kushtetutë të hedh shortin, por ne e dimë sa çfarë ka ndodhur një vit më parë. Kështu që të ftojmë të gjithë aktorët, jashtë kamerave, jashtë mediave, kryetarin e Kuvendit, kryetarin e Komisionit të Ligjeve që të unifikojnë në një qëndrim të përbashkët sepse jemi në një situatë ekstraligjore, sipas parashikimeve të vetë Kushtetutës, që mos kemi debate, kontestime. Ditën e fundit EURALIUS i çon përgjigje zyrës së Presidentit që ne në takim nuk vijmë dot sepse ne jemi mision teknik. Një mision teknik do të thotë që kemi marrë porosi politike. Unë nuk e di dhe sot nga kush u mor porosi politike. Të kërkon presidenti i Republikës, ta kërkon zyrtarisht për të mirën e përbashkët dhe një reformë që e kemi bërë të gjithë bashkë, ku do të diskutohet me të gjithë institucionet. Bëhet fjalë për gjërat e rëndësishme të një vendi. Kushtetutën e një vendi, për gjykatën Kushtetuese, Inspektorin e Përgjithshëm që është aq i rëndësishëm sipas kësaj reforme. Kam një pyetje për të gjithë: Ky EURALIUS s’i i jep një vërtetim një kryetari shumë të nderuar të Komisionit të Ligjeve për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë. Kjo nuk mund të jetë drejtësi evropiane, në rast se nuk e shikojmë dhe nuk e vlerësojmë. Kjo nuk do të luftojë më shumë korrupsionin, krimin e organizuar dhe të garantojë të drejtat e njeriut dhe në fund fare këto historitë e peshqve i keni dëgjuar dhe vazhdoni dëgjojini. Unë kam thënë që në fillim dhe do e them prapë. Reforma në drejtësi do të jetë e suksesshme kur në Shqipëri të ketë më shumë investime amerikane, gjermane, britanike dhe nga vendet më të zhvilluara, bizneset e të cilave kanë kriter kryesor sistemin e drejtësisë dhe gjykatave.

Meta: I kam kërkuar Drejtorit të përgjithshëm të zgjerimit, Danielson, komision vlerësimi për reformën në drejtësi

Ne duhet t’i bëjmë të qartë kujtdo që Kushtetutën tonë nuk mund ta shkelë askush, as presidenti jo e jo, se ka vënë dorë mbi Kushtetutë dhe duhet të përgjigjet për çdo shkelje. Por asnjë ambasador, asnjë diplomat, as një komisioner dhe asnjë tjetër. I kam kërkuar që në fillim të tetorit, Drejtorit të Përgjithshëm të zgjerimit, zotit Danielson, që është një njeri shumë i përgjegjshëm. I kam thënë që ne jemi në një situatë të tillë. Ju shumë mirë që flisni për sukseset e reformës në drejtësi, por në kemi kaq kohë pa Gjykatë Kushtetuese. I kam thënë sillni një komision vlerësimi për zbatimin, sepse po ikën kaq kohë, të reformës, që ne vërtet të garantojmë që kjo është një histori suksesi për ne dhe për ju. Përmes kësaj reformë ne do të jemi më të besueshëm për të çelur negociatat dhe për t’u anëtarësuar në BE.

Reagimet e ish-ministrave të Drejtësisë për krizën institucionale në Drejtësi

Ndoshta, bllokimi i funksionimit të Gjykatës së Lartë është qëllimi i qeverisë për të penguar qytetarë dhe biznese që t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për t’u ankimuar për çështjet e ndryshme të tyre. Siç dihet, që një qytetar dhe bizneset të kenë të drejtën të ankohen në Gjykatën e Strasburgut, duhet që paraprakisht të kenë marrë përgjigje në të gjitha shkallët e Gjyqësorit në Shqipëri, domethënë edhe në Gjykatën e Lartë, edhe në Gjykatën Kushtetuese. Tashmë që Shqipëria nuk ka asnjë nga këto institucione të Gjyqësorit, qytetarët dhe bizneset në Shqipëri nuk akne asnjë mundësi të ankohen në Gjykatën e Strasburgut dhe kjo pamundësi i intereson drejtpërdrejt qeverisë së kryeministrit Rama.

Ish-ministër i Drejtësisë, Eduard Halimi: Shqipëria i vetmi vend në Evropë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë

Mbyllet përfundimisht Gjykata e Lartë. Nga sot Shqipëria i vetmi vend në Evropë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Shkarkimi nga detyra i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj (të cilin e njohin të gjithë si një gjyqtar korrekt) ka si qëllim të vetëm mbylljen përfundimtare të Gjykatës së Lartë. Nga sot Shqipëria është jo vetëm pa Gjykatë Kushtetuese, por dhe pa Gjykatë të Lartë. Nga sot nuk mund të shqyrtohet ASNJË nga 40.000 dosjet që prisnin në radhë dhe drejtësia përfundimisht është futur në kolaps total. Atë që Komisioni i Venecias thoshte në dhjetor 2015 po dalin çdo ditë. Dhe në këtë pikë ata që vuajnë nga mungesa e ekzistencës së një sistemi gjyqësor normal hierarkik janë padyshim qytetarët e thjeshtë dhe po aq shumë biznesi. Sikur Gjykata e Lartë të krijohet në fund të vitit kur të jenë më shumë se 60.000 dosje, çdo qytetari dhe çdo kompanie do t’i duhej të paktën 7-8 vjet pritje për t’i ardhur radha.

Ish-ministër i Drejtësisë, Ylli Manjani: Qeveria është shejtani, djalli, dreqi i mallkuar

Në përpjekje të pa precedentë për të justifikuar mungesën e Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri sqaron se: “më mirë djepi bosh se shejtani brenda”… Krejt pa lidhje është kjo shprehje mirditore me mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka qenë më e balancuara dhe gjithnjë ka arritur të japë zgjidhje të pranueshme çdo mosmarrëveshje ndërmjet pushteteve. Gjykata Kushtetuese, me apo pa shejtan brenda, është garancia që Kushtetuta dhe veçanërisht liritë dhe të drejtat themelore zbatohen. Mungesa e gjykatës, automatikisht shtoi vendimmarrjen abuzive të qeverisë ndaj lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Raste pa fund e të përditshme të sjelljes abuzive, haptazi anti-kushtetuese të qeverisë, policisë dhe administratës na dëgjojnë veshët e na shohin sytë. Në Shqipëri, pas nxjerrjes nga funksioni të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka më asnjë pushtet apo autoritet tjetër të pavarur apo autonom. Qartësisht është vetëm qeveria, e cila bën çfarë i do qejfi. Kushtetuta, themeli i sundimit të ligjit, ka rënë. Tani sundon vetëm qeveria! Ajo kontrollon gjithçka. Punën, pagat, bankat, telefonat, rrugët, pronat, jetën private, gjykatat, prokurorët po e po, mediat, fjalët në çdo faqe FB, shërbimet publike, biznesin privat, çdo gjë. Ndaj s’ka se si të ketë gjykatë Kushtetuese e Kushtetutë ky vend. Por, që shprehja Mirditore e përdorur nga Kryeministri të kishte kuptim, duhet të përdorej për QEVERINË. Aty është shejtani/djalli/dreqi i mallkuar. Aty është ulur këmbëkryq dhe bën çfarë i do qejfi. Në çdo sistem demokratik, qeveria është problemi dhe gjykatat janë mbi qeverinë për të siguruar që ky problem nuk bie në mënyrë abuzive mbi njerëzit. Edi Rama po rreket të na bindë për të kundërtën… Demokatikisht, cilido Kryeministër që mbron tezën se më mirë pa gjykata sesa pa qeverinë e tij, është i papranueshëm. Shumë turp!

Flasin për gazetën “Telegraf”

?????????????

Shefqet Muçi, ish-ministër i Drejtësisë: Kryeministri i ka me vete të gjithë shejtanët

-Kryeministri Rama e ka thënë edhe më përpara, që më mirë “djepi bosh, sesa shejtani brenda” për mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Por varet se në çfarë kuptimi e thotë, kë djep ka parasysh kryeministri dhe varet edhe se çfarë shejtani ka parasysh. Kryeministri tërë shejtanët i ka me vete, që të gjithë. Në kuptimin që ato janë justifikime politike dhe janë broçkulla. Gjykata Kushtetuese duhet të ekzistojë, Gjykata e Lartë duhet të ekzistojë, në të kundërtën, mungon pushteti Gjyqësor nuk ka organet më të rëndësishme dhe shteti nuk funksionon. Gjykata Kushtetuese, edhe mund të kenë të meta, sepse nuk janë të gjithë njësoj. Po le ta zëmë, se tani me vettingun, dolën të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë të “liq”, por këta “të liq” i kanë bërë të gjitha punët, ashtu siç kanë qenë me ato mangësi, por ama kanë penguar ca të tjerë, më të liq sesa ata. Ai “shejtani” që ishte brenda në djepin e Gjykatës Kushtetuese, ka mbajtur ekuilibrat e pushteteve kushtetuese në Shqipëri, dhe në kohën kur ky kryeministër ishte në opozitë, Gjykata Kushtetuese me “shejtanin” brenda në djepin e saj ka fituar mbi 18 gjyqe kundër qeverisë së atëhershme, e cila sot është në opozitë, ndërsa sot, ajo parti që ishte në pushtet atëherë dhe sot është në opozitë nuk bën dot asnjë ankimim kundër ligjeve të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, sepse ajo nuk ekziston fare. Nga sot nuk funksionon dot më as Gjykata e Lartë. Mehdi Bici është edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, nuk është më anëtar i Gjykatës së Lartë. Janë 2 anëtarë të GJ. L, njërit i ka kaluar mandati 5 vjet dhe rri akoma aty, i pa mandatuar, dhe tjetri është me kërkesë ankimor në Komisionin e Posaçëm të Apelimit. Gjykata e Lartë do të paktën 5 veta të funksionojë Kolegji.

Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Kryeministri e quan se zotëron fuqi ligjore, saqë zëvendëson edhe Kushtetutën

Ndërkombëtarët nuk kanë asnjë kompetencë të kërkojnë krijimin e institucioneve të shtetit shqiptar, të cilat nuk bazohen në asnjë nen kushtetues dhe ligjore. Së dyti, mendimi i shfaqur se, më mirë djepi bosh se shejtanin brenda, për të justifikuar mungesën e Institucioneve të Drejtësisë si Gjykata e Lartë dhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese si vet-institucion që garanton respektimin e normave juridike kushtetuese dhe që bën interpretimin e vetë normave kushtetuese dhe akteve të tjera ligjore, që nxjerrin institucionet legjitime të shtetit Shqiptar. Nuk mund të pranohet, sepse kjo vërteton së pari, që Kryeministri paska një fuqi ligjore, të cilën nuk ia garanton asnjë norme kushtetuese për të bërë deklarata të tilla dhe, në një farë mënyre, vetë Kryeministri është personi që përcakton se cili është shejtani, cili është djepi dhe se paska bërë dhe diagnostifikimin e gjithë kësaj trupe të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese në kundërshtim me të gjitha parimet e funksionimit të shtetit. Asnjë Institucion Ndërkombëtar dhe asnjë Ambasador nuk mund të imponojë institucionet e një shteti legjitim të krijojë institucione të cilat nuk gjejnë një bazë kushtetutshmërie. Gjatë gjithë periudhës që unë kam qenë Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve nuk ka pasur guxim një institucion ndërkombëtar që të bëjë kërkesa, të cilat nuk bazohen në parimet e së drejtës të shtetit Shqiptar. Por, mesa kuptohet, të huajt kanë kuptuar shumë mirë defektet që kanë institucionet e Shqipërisë dhe drejtuesit e tyre që logjikisht tregon se janë të kapur dhe urdhërohen për të krijuar norma të reja ligjore, të cilat nuk bazohen në norma juridike kushtetuese ose në norma të ligjeve që kanë të bëjnë me organizimin e institucioneve të shtetit Shqiptar dhe në rastin konkret të krijimit të një institucioni të akuzës siç është Prokurori.