Shehu: Ndryshimet e Kushtetutës pa Gjykatë Kushtetuese, konsolidim i Grushtit të Shtetit!

250
Sigal

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu deklaron se ndryshimet e Kushtetutës pa Gjykatë Kushtetuese, është konsolidim i Grushtit të Shtetit.

Në një reagim përmes rrjeteve sociale, teksa referon nismën e kryeministrit Edi Rama për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme Ligjin Themeltar të Shtetit, thekson se zanafilla e këtij deformimi të thellë të demokracisë është dita dhe procedura, që dekapituan sistemin e drejtësisë, duke e privuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në këtë kontenst, ish-deputeti demokrat deklaron se në këto kushte e momente tejet të rrezikshme për të sotmen e të nesërmen e demokracisë sonë, askush nuk mund e duhet të qëndrojë i strukur në “qoshen e tij”, përfshi këtu dhe “garantët e reformës” në drejtësi, që nuk mund të “lajnë duart” vetëm me ndonjë prononcim evaziv.

Reagimi i Shehut

O tashti o kurrë!

Ndryshimet e Kushtetutës pa Gjykatë Kushtetuese, konsolidim i Grushtit të Shtetit!

Shqipëria është në gjendjet më antidemokratike në Botë prej disa vitesh: pa Gjykatë Kushtetuse, pa Gjykatë të Lartë, me një “Parlament” qesharak vetëm me 122 deputetë, nga të cilët 42 “pupacë”, me një qeverisje Lokale krejt moniste, etj!

Zanafilla e këtij deformimi të thellë të demokracisë është dita dhe procedura, që dekapituan Sistemin e Drejtësisë, duke e privuar nga Gjykata Kushtetuese.

Shqipëria që nga ajo ditë është nën një Grusht Shteti në zhvillim.

Tentativat e fundit për të prekur edhe Kushtetutën nën këto kondita, janë vetëm një hap tjetër i konsolidimit për afate shumë të gjata i këtij Grushti Shteti, për ta çuar vendin tonë përfundimisht nën një Autokraci, shumë larg demokracisë perëndimore.

Modelet lindore tashmë ekzistojnë për këto kalime tragjike drejt neodiktaturave, inspiruese dhe inkurajuese për Ramën &CO.

Në këto kushte e momente tejet të rrezikshme për të sotmen e të nesërmen e demokracisë sonë askush nuk mund e duhet të qëndrojë i strukur në “qoshen e tij”, përfshi këtu dhe “garantët e reformës” në drejtësi, që nuk mund të “lajnë duart” vetëm me ndonjë prononcim evaziv.

O tashti o kurrë!